Ndërsa Adriatik Lapaj vazhdon prej pothuajse dy muajsh qëndresën e tij në shesh, lëvizja politike “Shqipëria Bëhet” ka hedhur një hap vendimtar drejt bashkimit të forcave shoqërore. Në takimin e djeshëm me iniciativën e Ermal Hasimes, “Forumi për Dialog Politik“, është hartuar një platformë e qartë që synon jo vetëm rrëzimin e qeverisjes aktuale, por edhe reformimin rrënjësor të sistemit politik në vend.
Pavarësisht përpjekjeve, sfida kryesore mbetet ngurrimi i partive politike për të gjetur rrugën e bashkëpunimit. Ndërsa qeverisja e Edi Ramës përballet me akuza të vazhdueshme për korrupsion, mungesa e një fronti të bashkuar opozitar mbetet pengesa kryesore për një ndryshim real.
Në këtë kuadër, qëndrimi i partisë “Shqipëria Bëhet” mbi Forumin e Dialogut Politik bazohet në këto pika kyçe:
- Krijimi i një komiteti qytetar per qeverinë tranzitore, i cili të ketë objektiv krijimin e një qeverie tranzitore të përbërë nga personalitete të respektuara me mandat të kufizuar 12 mujor dhe kompetenca të përcaktuara qartë, e cila garanton ndarjen e pushtetit nga interesat e partisë – shtet dhe administrimin e ndershëm të procesit zgjedhor.
- Vendosjen e të gjitha grupeve të interesit në sheshin përballë Kryeministrisë në protestë 24 orë në 24 pa ndalim dhe Organizimin e protestave masive kombëtare me qëllim Dorëheqjen e Edi Ramës.
- Reformë zgjedhore gjithëpërfshirëse, me lista të hapura, bazuar në sistemin proporcional kombëtar, me lejimin e koalicioneve parazgjedhore, si garanci për përfaqësim real, barazi vote dhe konkurrencë të ndershme politike.
- Pjesëmarrja në tryezën e dialogut te përfaqësive politike dhe partiake pa kryetarë, për të shmangur personalizimin e procesit dhe për t’i dhënë përparësi përfaqësimit, ideve dhe vullnetit qytetar.
- Zhvillimin e dialogut në një tryezë të përbashkët në shesh, si simbol i transparencës, hapjes dhe sovranitetit të qytetarëve mbi procesin politik.
- Pasurimin e grupit negociator me emra të spikatur të shoqërisë civile.

Ky dakordësim vjen në një moment kritik. Propozimi për një dialog “pa kryetarë” dhe në mes të sheshit është një sfidë e hapur ndaj mënyrës tradicionale të të bërit politikë në Shqipëri, ku marrëveshjet shpesh mbyllen pas dyerve të mbyllura.
Adriatik Lapaj, përmes qëndresës së tij dymujore, ka dëshmuar se vullneti qytetar nuk mungon. Megjithatë, pyetja që mbetet pezull është: a do të arrijnë forcat e tjera politike të lënë mënjanë egot e tyre për t’iu bashkuar këtij vizioni, apo do të lejojnë që kjo lëvizje të mbetet një tjetër mundësi e humbur përballë një qeverisjeje të akuzuar si të korruptuar?
Transparenca e kërkuar në pikën 5 dhe përfshirja e shoqërisë civile në negociata janë hapa që mund të kthejnë besimin e humbur të qytetarëve tek politika.

