Taulant Toma, një nga kriminelët më të kërkuar shqiptarë në Evropë, është arratisur sërish nga burgu, për herë të katërt. I quajtur nga mediat italiane “magjistari i arratisjeve”, 40-vjeçari u largua në orët e para të së dielës nga burgu i sigurisë së lartë Opera në Milano, duke përdorur të njëjtën metodë që i ka funksionuar disa herë më parë: një limë hekuri dhe çarçafë të nyjëzuar.
Sipas autoriteteve italiane, Toma kishte vjedhur një limë hekuri nga punishtja e burgut dhe kishte prerë hekurat e dritares së qelisë. Më pas kishte lidhur disa çarçafë, kishte zbritur nga lartësia 6 metra dhe ishte zhdukur në errësirë. Ai ishte dënuar për trafik droge, trafik armësh, grabitje të dhunshme dhe sulme fizike, me një dënim që zgjaste deri në vitin 2048. Tani, është sërish në arrati.
Kjo nuk është hera e parë. Në vitin 2009, ai u arratis nga burgu i Terni-t, por u kap dy muaj më pas në Milano me armë, drogë dhe mallra të vjedhura. Në 2013 u arratis nga burgu i Parmës, sërish me limë hekuri dhe çarçafë. Më vonë u kap në Belgjikë, por edhe aty arriti të zhdukej nga burgu i Lantin, duke qëndruar dy vite në arrati para se të kaptej sërish në 2015.
Pavarësisht historikut të arratisjeve, ai ishte dërguar përfundimisht në burgun Opera të Milanos, një institucion që prej vitesh kritikohet për mbipopullim dhe mungesë personeli. Sipas sindikatës së gardianëve UILPA, burgu ka kapacitet për 900 të dënuar, por mban mbi 1,300, ndërsa numri aktual i rojeve është shumë më i ulët se minimumi i nevojshëm. Sipas tyre, kushtet aktuale janë të papërballueshme dhe rrezikojnë si sigurinë e të burgosurve, ashtu edhe të stafit.
Policia italiane ka nisur një operacion kombëtar kërkimi dhe ka hapur një hetim të plotë për të kuptuar se si mund të ketë ndodhur një arratisje e tillë në një burg me mbikëqyrje të rreptë. Mediat vendase e kanë kthyer këtë ngjarje në tituj kryesorë: Corriere della Sera shkroi se “magjistari”, vendosi ta shkurtojë dënimin e tij, duke nënvizuar se Toma ka përdorur të njëjtin skenar arratisjeje kudo që ka qenë i burgosur, brenda dhe jashtë Italisë.











