back to top
Monday, January 26, 2026
10.5 C
Tirana

Top 5 E JAVËS

Artikuj të ngjashëm

Çfarë është virusi Nipah? A mund të kthehet në një rrezik global?

Autoritetet shëndetësore në Indi janë vënë në gatishmëri pas konfirmimit të disa rasteve të virusit Nipah në shtetin e Bengalit Perëndimor, ku mes të infektuarve ka edhe mjekë dhe infermierë. Dhjetëra persona janë futur në karantinë, ndërsa pacientët po trajtohen në izolim spitalor. Edhe pse rastet janë ende të pakta, shqetësimi është i madh, sepse Nipah konsiderohet një nga viruset më të rrezikshëm në botë.

Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, Nipah është një virus zoonotik, që do të thotë se kalon nga kafshët te njerëzit. Bartësit kryesorë janë lakuriqët e natës që ushqehen me fruta. Infektimi ndodh zakonisht përmes frutave ose ushqimeve të ndotura nga pështyma apo urina e tyre, por virusi mund të përhapet edhe nga njeriu te njeriu përmes kontaktit të afërt me lëngjet trupore.

Simptomat e para janë të paqarta dhe të ngjashme me gripin: temperaturë, dhimbje koke, lodhje, dhimbje muskujsh dhe probleme me frymëmarrjen. Kjo e bën zbulimin e hershëm të vështirë. Por rreziku më i madh shfaqet disa ditë më vonë, kur virusi mund të prekë trurin, duke shkaktuar inflamacion të rëndë (encefalit), konfuzion, kriza epileptike, humbje të vetëdijes apo edhe koma.

Shkalla e vdekshmërisë është alarmante. Në varësi të shpërthimit dhe variantit të virusit, mes 40 dhe 75 përqind e të infektuarve nuk mbijetojnë. Edhe ata që shërohen mund të përballen me pasoja afatgjata neurologjike, si çrregullime të kujtesës, ndryshime të personalitetit apo kriza të vazhdueshme.

Virusi u identifikua për herë të parë në vitin 1999 në Malajzi, pas një shpërthimi mes fermerëve të derrave. Që atëherë, raste sporadike janë raportuar pothuajse çdo vit në Bangladesh dhe në disa rajone të Indisë, veçanërisht në zona rurale ku kontakti mes njerëzve, kafshëve dhe lakuriqëve të natës është më i shpeshtë.

Ajo që e bën Nipah veçanërisht shqetësues është fakti se nuk ekziston as vaksinë dhe as trajtim specifik. Kujdesi mjekësor kufizohet vetëm në trajtimin e simptomave dhe mbështetje intensive për pacientët. Për këtë arsye, OBSH e ka përfshirë virusin në listën e patogjenëve prioritarë që kërkojnë urgjentisht kërkime shkencore.

Parandalimi mbetet arma e vetme. Ekspertët këshillojnë shmangien e frutave të papastra ose të kafshuara nga lakuriqët, zierjen e lëngjeve të palmës së hurmës, përdorimin e pajisjeve mbrojtëse gjatë kontaktit me kafshë të sëmura dhe higjienë të rreptë gjatë kujdesit për persona të infektuar.

Edhe pse Nipah nuk përhapet lehtësisht si gripi apo Covid-19, potenciali i tij për shpërthime lokale me vdekshmëri të lartë e bën një kërcënim serioz për shëndetin publik. Pikërisht për këtë arsye, epidemiologët e konsiderojnë një “virus për t’u mbajtur nën vëzhgim”, që mund të shkaktojë kriza të reja nëse nuk kontrollohet shpejt.

Artikujt më të klikuar