Forumi Ekonomik Botëror në Davos këtë vit nuk ishte një samit ekonomik klasik por u kthye në një arenë ku tema kryesore ishte rendi global pas konfliktit në Ukrainë, paqja e ardhshme, Groenlanda dhe raportet mes SHBA-së dhe Evropës.
Takimi Trump-Zelensky dhe negociatat për Ukrainën
Në Davos Presidenti amerikan Donald Trump dhe Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky u takuan për të diskutuar përfundimin e luftës në Ukrainë. Trump tha se një marrëveshje “mund të vijë shumë shpejt”, duke e paraqitur drejtimin drejt një procesi të ri diplomatik. Shtetet e Bashkuara kanë nisur bisedime me Moskën për të ndihmuar në një zgjidhje, por Evropa është e shqetësuar se pa përfshirjen e saj mund të bëhen kompromiset që cenojnë sigurinë e saj afatgjatë.
“Bordi i Paqes”: ide e re, skepticizëm i vjetër
Trump e lançoi në Davos edhe “Bordin e Paqes”, një strukturë të re ndërkombëtare për zgjidhjen e konflikteve, me pjesëmarrje nga shumë vende. Ai tha se bordin do ta bashkëpunojë me Kombet e Bashkuara, por shumë diplomatë janë skeptikë se kjo strukturë mund të minojë rolin e OKB-së.
Groenlanda, tensioni që rrezikon aleancën
Një nga momentet më të nxehta të forumit ishte debati për Groenlandën, territori strategjik arktik nën drejtimin e Danimarkës. Trump rivendosi idenë për kontroll amerikan mbi ishullin, duke argumentuar se ai është thelbësor për sigurinë dhe mbrojtjen nga ndikimet e Rusisë dhe Kinës. Ndërkohë, ai tha se nuk do ta marrë me forcë, por këmbënguli se Uashingtoni dëshiron negociata të menjëhershme mbi territorin.
Pas takimit me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte, Trump njoftoi një “kornizë për marrëveshje të ardhshme” lidhur me sigurinë në Arktik dhe u tërhoq nga kërcënimet e tarifave ndaj vendeve evropiane që ishin kundër idesë së tij. Rutte tha se çështja e sovranitetit të Groelandës nuk u diskutua direkt.
Reagimi i Bashkimit Evropian
Bashkimi Evropian ka dhënë sinjale të forta kundër qasjes së Trump. Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, tha se sovraniteti i Danimarkës dhe i Groenlandës është i pacenueshëm dhe kritikoi përdorimin e tarifave për presion politik. BE po përgatit edhe një paketë të mbështetjes për sigurinë në Arktik dhe zgjidhje diplomatike që ruajnë bashkëpunimin transatlantik, ndërsa theksohet nevoja për autonomi strategjike.
Ndërkohë, Parlamenti Evropian ka pezulluar edhe procedurat për ratifikimin e një marrëveshjeje tregtare me SHBA-në në përgjigje të kërcënimeve të Trump për tarifa, duke e quajtur këtë lëvizje “shantazh”.
Megjithëse Davosi tradicionalisht fokusohet në investime, rritje dhe inovacion, këtë vit ekonomia u diskutua kryesisht përmes prizmit të pasigurisë. Kërcënimet për tarifa mes SHBA-së dhe Bashkimit Evropian, debatet për zinxhirët e furnizimit dhe tensionet gjeopolitike në Ukrainë dhe Arktik kanë rritur frikën për një ngadalësim të tregtisë globale. Bizneset dhe investitorët paralajmërojnë se çdo përshkallëzim i ri mund të ndikojë drejtpërdrejt në çmimet e energjisë, eksportet evropiane dhe stabilitetin e tregjeve financiare. Për këtë arsye, shumë kompani në Davos kërkuan më pak retorikë politike dhe më shumë parashikueshmëri ekonomike, duke theksuar se stabiliteti diplomatik është tashmë kushti kryesor për rritje dhe investime.

