BE forcon praninë ushtarake për të mbrojtur Groenlandën, ndërsa Donald Trump kërcënon ta marrë ishullin me forcë.
Tensionet brenda NATO-s kanë hyrë në një fazë të re, pasi disa vende europiane po dërgojnë ushtarë në Groenlandë për të mbështetur Danimarkën përballë kërcënimeve të përsëritura të Donald Trump për të marrë kontrollin e ishullit. Presidenti amerikan ka deklaruar se Shtetet e Bashkuara janë gati ta bëjnë Groenlandën pjesë të tyre, “me dëshirë ose me forcë”, duke tronditur aleatët dhe duke ngritur frikën e një përplasjeje të paprecedentë brenda aleancës.
Danimarka, e cila mban përgjegjësinë për mbrojtjen e Groenlandës, paralajmëroi se çdo sulm ndaj ishullit do të përbënte fundin e NATO-s si e njohim sot. Kopenhageni njoftoi këtë të mërkurë shtimin e pranishmërisë ushtarake në territor, “në bashkëpunim të ngushtë me aleatët”.
Brenda disa orëve, Gjermania, Suedia, Norvegjia, Finlanda, Franca dhe Holanda konfirmuan se po dërgojnë personel ushtarak në Groenlandë. Trupat e para gjermane pritet të mbërrijnë këtë javë, ndërsa Suedia dhe Norvegjia kanë nisur tashmë oficerët e tyre. Franca deklaroi se një ekip francez është tashmë në terren dhe do të fuqizohet me komponentë ajrorë, detarë dhe tokësorë.
Ndërkohë, Kanadaja dhe Franca po hapin konsullata të reja në Nuuk, kryeqytetin e Groenlandës. Helsinki ka dërguar dy oficerë lidhës, ndërsa Hollanda do të marrë pjesë me një oficer të marinës.
Prania e trupave të NATO-s në territoret e aleatëve nuk është e pazakontë, por momenti dhe sinjalet politike janë të jashtëzakonshme. Shumë analistë e shohin vendimin e Europës si një deklaratë të qartë uniteti në një kohë kur aleanca është futur në krizë të besimit për shkak të qëndrimit të presidentit amerikan.
Trump ka qenë i hapur për ambicien e tij: kontroll total amerikan mbi ishullin më të madh të botës. Në konferenca dhe postime në rrjetet sociale, ai ka theksuar se SHBA “do të bëjë diçka në Groenlandë, pavarësisht nëse u pëlqen apo jo”, duke e justifikuar me rëndësinë gjeostrategjike të territorit në Arktik.
Deklaratat e tij kanë shkaktuar shqetësim të thellë në kryeqytetet europiane dhe kanë ngritur pyetjen bazike për të ardhmen e NATO-s. Aleanca është e ndërtuar mbi premisën se një sulm ndaj një vendi anëtar është sulm ndaj të gjithëve. Ky parim i sigurisë kolektive vihet në pikëpyetje nëse pikërisht SHBA kërcënon një territor të mbrojtur nga NATO.
Ndërkohë, udhëheqësit europianë po përpiqen të ruajnë dialogun diplomatik. Zyrtarë nga Danimarka dhe Groenlanda u takuan me sekretarin e shtetit Marco Rubio dhe zëvendëspresidentin JD Vance, por pas bisedimeve danezët pranuan se mbetet “një mospërputhje themelore” me Uashingtonin. Palët u pajtuan të krijonin një grup pune të nivelit të lartë për të kërkuar një rrugë të përbashkët.
As Kanadaja nuk ka qëndruar indiferente. Ministrja e Jashtme Anita Anand riafirmoi “mbështetjen e palëkundur të Kanadasë për sovranitetin e mbretërisë së Danimarkës dhe Groenlandës”, dhe paralajmëroi se Ottawa do të ndërhyjë diplomatikisht dhe ushtarakisht nëse duhet për të mbrojtur sigurinë e Arktikut.
Shumica e kryeqyteteve europiane paralajmërojnë se kërcënimet e Trump mund të çojnë në një përçarje historike të aleancës që për 75 vite ka garantuar sigurinë kolektive të Atlantikut të Veriut.
Për momentin, të gjitha palët po përgatiten. Europa po e shfaq qartë praninë e saj fizike në Groenlandë. Ndërsa SHBA mbetet më e fuqishmja ushtarakisht, aleatët po i bëjnë të ditur Uashingtonit një mesazh të qartë: Groenlanda nuk është për shitje dhe nuk mund të merret me forcë.


