“Hëna e kuqe” do të ndriçojë qiellin më 7 shtator

Më 7 shtator 2025, Evropa dhe një pjesë e madhe e botës do të jenë dëshmitare të një fenomeni të rrallë astronomik: një eklips i plotë hënor, i njohur ndryshe si Hëna e Kuqe (Blood Moon).

Ky fenomen ndodh kur Toka vendoset mes Diellit dhe Hënës, duke bllokuar dritën diellore që normalisht e ndriçon satelitin tonë natyror. Atmosfera e Tokës filtron rrezet më të shkurtra (blu dhe jeshile) dhe lejon vetëm ato të gjata (të kuqe dhe portokalli) të kalojnë, duke i dhënë Hënës atë nuancë të kuqërremtë magjike. Ky proces quhet shpërndarja Rayleigh.

Kur ndodh fenomeni?

Eklipsi do të fillojë në orën lokale CEST, 19:31, dhe do të arrijë kulmin në 20:11. Përfundimi i eklipsit të plotë do të shënohet në 20:53 dhe fundi i eklipsit penumbral në 22:55.

Nëse moti do të jetë i kthjellët, fenomeni do të shihet qartë në mbarë Evropën Lindore dhe pjesërisht në Evropën Qendrore, si dhe në shumë vende të tjera të Azisë dhe Afrikës. NASA parashikon se rreth 5.8 miliardë njerëz (76% e popullsisë së botës) do të kenë mundësinë ta shohin këtë spektakël qiellor.

Sa shpesh ndodh?

Edhe pse Hëna është në fazë të plotë çdo muaj, një eklips i plotë nuk ndodh shpesh për shkak të orbitës së pjerrët të saj. Zakonisht, në vit ndodhin rreth tre eklipse hënore (jo gjithmonë të plota). Pas këtij fenomeni, eklipsi tjetër i plotë do të ndodhë më 3 mars 2026.

Si ta shijoni fenomenin?

Zgjidhni zona të hapura, larg ndotjes së dritës së qyteteve. Nuk nevojitet asnjë pajisje mbrojtëse, ndryshe nga eklipsi diellor, Hëna e Kuqe është e sigurt për t’u parë me sy të lirë. Për një foto të qartë të hënës, përdorni një tripod dhe kamera me cilësime manuale. Një teleskop apo dylbi mund ta bëjë përvojën edhe më emocionuese.

Hëna e kuqe pritet të zgjasë rreth 82 minuta, duke e kthyer natën në një spektakël të paharrueshëm për astronomët amatorë, fotografët dhe të gjithë dashamirësit e qiellit.

Shpërndaje

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here