Në një botë digjitale që lëviz me shpejtësinë e një “scroll-i” të pamenduar, të gjesh një zë që kërkon thellësi dhe vlerë afatgjatë është sfiduese. Një nga këto zëra është Ina Xhakollari, një profesioniste me thuajse një dekadë përvojë në fushën e marketingut, e cila beson se suksesi i një marke nuk matet vetëm me sa njerëz e shohin, por sa besim dhe autoritet ajo markë krijon.
Me një formim akademik solid që ndërthur anën analitike të Informatikës së Biznesit me anën strategjike të Marketingut, Ina ka ndërtuar një karrierë që shtrihet nga mjediset e mëdha korporative deri te sipërmarrja. Pasioni për t’u dhënë shpirt markave e ka shtyrë atë të kontribuojë me këshilla dhe strategji praktike për bizneset e vogla, duke i ndihmuar ato të gjejnë zërin e tyre unik dhe të ndërtojnë një prezencë digjitale me kuptim.
Kohët e fundit, Ina ka ndarë mendimet e saj mbi “Rikthimin e Karuseleve” në Instagram. Ajo argumenton se pas dominimit të videove të shpejta, përdoruesit po kërkojnë histori që konsumohen me ritëm më të ngadaltë. Për Inën, ky është momenti ku markat duhet të zgjedhin edukimin dhe lidhjen reale mbi thjesht “të qenit viral“.
Në këtë bisedë, ne zbulojmë rrugëtimin e Inës dhe vizionin e saj për marketingun e vitit 2026.
Ina, ti ke një profil unik të ndërthurjes së informatikës së biznesit me marketingun. Si i përdor të dhënat analitike (data insights) për të mbështetur vendimet e tua kreative dhe për të siguruar që një “storytelling” të jetë jo vetëm i bukur, por edhe efektiv?
IXh: Është pikërisht kjo ndërthurje që më ka ndihmuar shumë. Unë nuk e shoh kreativitetin si diçka të shkëputur nga të dhënat. Të dhënat më tregojnë ku të fokusohem, çfarë funksionon dhe çfarë jo, ndërsa kreativiteti është mënyra si e përkthej këtë në histori që njerëzit e kuptojnë dhe ndjejnë. Pra, për mua të treguarit të një historie nuk nis nga “çfarë duket bukur”, por nga “çfarë audienca jote krijon një lidhje”, dhe aty pastaj vjen estetika.
Çfarë mendon se mungon më shumë në tregun shqiptar që të shtyu të fokusohesh te qartësia dhe rritja e bizneseve të vogla? Dhe nëse do të duhej ta përmblidhje me një fjali mesazhin që kërkon të lësh pas përmes këshillave të tua, cili do të ishte ai?
Dëshira për të ndihmuar lindi nga nevoja për të plotësuar një mungesë shumë praktike të bizneseve të vogla dhe të mesme. Shikoja shumë biznese që bënin shumë përpjekje, por komunikonin në mënyrë të paqartë; shumë zhurmë dhe pak mesazh. Mendoj se në një treg kaq të çregullt si i yni, biznesi i vogël ka nevojë për ndihmë që të thjeshtojë komunikimin me audiencën e tij. Nëse do ta përmblidhja me një fjali mesazhin që dua të lë pas, ai është: Qartësia është strategji, jo luks.
Qartësia është strategji, jo luks.
Si dikush që punon çdo ditë me markat për të kthyer “kaosin në qartësi”, cili është ai gabim që sheh më shpesh tek bizneset e vogla në Shqipëri kur përpiqen të ndërtojnë prezencën e tyre online?
Gabimi më i madh është që përpiqen të duken si të gjithë të tjerët. Ndjekin trende pa pyetur veten: “A ka lidhje kjo me mua, me klientin tim?” Rezultati është një prezencë online aktive, por jo domethënëse. Ka shumë postime, por pak drejtim.
“Një histori me vlerë nuk kërkon buxhet gjigant, kërkon qartësi dhe ndjeshmëri; njerëzit nuk lidhen me perfeksionin, lidhen me të vërtetën. Nëse e di kush je, çfarë ofron dhe kujt i flet, edhe mjetet më të thjeshta funksionojnë.” – Ina Xhakollari, Marketere
Përpara se të ndalemi te shkrimi yt për karuselet, sa shpesh të ndodh që bizneset të kërkojnë me ngulm “një reel viral”? Dhe si i bind që viraliteti nuk është gjithçka?
Thuajse çdo biznes, në një moment, kërkon “një reel viral”. Ajo që përpiqem t’u shpjegoj është që viraliteti sjell vëmendje, por jo domosdoshmërisht besim apo shitje.
Mënyra që arrij t’i bind është duke i kthyer te qëllimi: “Nëse dikush e sheh këtë video, çfarë do të dijë më shumë për ty pas 10 sekondash?” Nëse s’ka përgjigje, atëherë viraliteti nuk po na shërben.
Në shkrimin tënd mbi rikthimin e karuseleve, ti përmend se Instagram po zhvendoset nga kërkimi i reach-it “viral” drejt “vlerës”. Si mundet një biznes i vogël të gjejë ekuilibrin e duhur mes Reels (për shikueshmëri) dhe karuseleve (për edukim) pa u mbingarkuar?
Një biznes i vogël nuk ka nevojë të postojë çdo ditë. Mjafton një ritëm i qendrueshëm, ku çdo format ka një rol të qartë. Kur e di pse po poston diçka, mbingarkesa zhduket.
Unë do ta thjeshtoja shumë: reels për të të zbuluar njerëz të rinj dhe karusele për t’i mbajtur dhe edukuar ata.
Gjatë përvojës tënde thuajse prej një dekade, ke punuar me industri të ndryshme. Nëse një markë do të duhej të zgjidhte vetëm një element për të investuar në vitin 2026 midis vizuales, strategjisë apo edukimit të klientit, ku do ta orientoje ti?
Nëse duhet të zgjedh vetëm një: strategjia. Pa strategji, vizualet janë dekor dhe edukimi është i shpërndarë. Strategjia i jep kuptim gjithçkaje tjetër dhe e bën çdo investim më të vlefshëm.
Ke një mesazh për bizneset e vogla që mendojnë se duhet të kenë buxhete gjigante për të treguar një histori me vlerë?
Një histori me vlerë nuk kërkon buxhet gjigant, kërkon qartësi dhe ndjeshmëri; njerëzit nuk lidhen me perfeksionin, lidhen me të vërtetën. Nëse e di kush je, çfarë ofron dhe kujt i flet, edhe mjetet më të thjeshta funksionojnë.

