Qeveria e Shteteve të Bashkuara ka hyrë zyrtarisht në një shutdown pasi Partia Republikane e presidentit Donald Trump nuk arriti të binte dakord me demokratët për një projektbuxhet të ri. Kjo nënkupton se një pjesë e madhe e shërbimeve federale do të pezullohen përkohësisht, ndërsa vetëm shërbimet thelbësore do të vazhdojnë të funksionojnë.
Pse ndodhi bllokimi?
Në SHBA, Kongresi duhet të miratojë ligje për financimin e qeverisë. Republikanët kontrollojnë të dyja dhomat, por në Senat nuk kanë shumicën e cilësuar prej 60 votash. Demokratët refuzuan ta mbështesin projektbuxhetin, duke kundërshtuar shkurtimet në Medicaid dhe uljen e fondeve për institucionet shëndetësore publike, ndërsa kërkojnë zgjatje të kredive tatimore që e bëjnë sigurimin shëndetësor më të përballueshëm për miliona amerikanë.
Kjo përplasje çoi në mbylljen e parë të qeverisë amerikane pas gati shtatë vitesh, duke nisur në mesnatën e së mërkurës sipas orës lokale.
Çfarë do të funksionojë dhe çfarë ndalet?
Do të vazhdojnë mbrojtja kufitare, kontrolli ajror, policia dhe shërbimet mjekësore emergjente. Pagesat e sigurimeve shoqërore e mjekësore do të dërgohen, por shërbimet mbështetëse si verifikimet ose kartat e reja do të vonohen.
Do të ndalen programet e ushqimit për familjet në nevojë, kreditet studentore federale, inspektimet e ushqimeve, pjesa më e madhe e parqeve kombëtare, si dhe një sërë shërbimesh të tjera që konsiderohen “jo thelbësore”.
Punonjësit federalë që përbëjnë rreth 40% (mbi 800,000 persona) pritet të shkojnë në leje të papaguar derisa të arrihet marrëveshja.
Presidenti Trump ka lënë të kuptohet se kjo mbyllje mund të përdoret për të identifikuar punonjësit “jo të domosdoshëm” dhe për t’i pushuar përfundimisht nga puna.
Efektet ekonomike
Ekonomistët llogarisin se çdo javë bllokim mund të ulë rritjen ekonomike të SHBA me 0.1–0.2 pikë përqindje. Megjithatë, shumë nga humbjet pritet të rikuperohen pas rihapjes së qeverisë, përveç nëse pushimet nga puna bëhen të përhershme. Nga ana ekonomike, nëse konsumatorët dhe bizneset amerikane shpenzojnë më pak për shkak të pasigurisë, kjo do të ulë kërkesën për importe, përfshirë produkte dhe shërbime, duke ndikuar indirekt tregtinë dhe turizmin.
Një tjetër ndikim i mundshëm i mbylljes së qeverisë amerikane lidhet me udhëtimet ndërkombëtare. Nëse proceset burokratike në SHBA vonohen, mund të ketë vonesa në kontrollet e sigurisë, procesimin e vizave apo çështje të tjera që prekin edhe pasagjerët shqiptarë që udhëtojnë drejt Amerikës.
Sa shpesh ndodhin këto kriza?
Që nga vitet 1980, SHBA ka përjetuar dhjetëra mbyllje qeveritare. Gjatë mandatit të parë të Trump ndodhën tri, përfshirë edhe më të gjatën në histori (36 ditë në vitin 2019). Shkaku kryesor është sistemi politik amerikan, ku Kongresi duhet të arrijë kompromis për buxhetin, ndryshe nga vendet ku një votim i tillë lidhet me besimin ndaj qeverisë.
Në Shqipëri
Ambasada e SHBA në Tiranë njoftoi se për shkak të mbylljes së qeverisë amerikane, do të kufizojë aktivitetet e saj. Ajo do të jetë aktive vetëm për postime dhe shërbime urgjente, ndërsa pjesa tjetër e komunikimeve dhe shërbimeve konsullore mund të vonohet deri në fund të krizës.