Ndahet nga jeta farmacisti i njohur Kolec Daja

U nda nga jeta në moshën 76-vjeçare farmacisti i njohur Kolec Daja, një nga figurat më të respektuara të farmacisë shqiptare. Ai ishte themeluesi i Farmaci “Daja” në Tiranë dhe një emër i njohur për përkushtimin, profesionalizmin dhe kontributin e tij shumëvjeçar në fushën e shëndetësisë.

Kolec Daja lindi në Shkodër në vitin 1948 dhe u diplomua në degën e Farmacisë pranë Universitetit të Tiranës në vitin 1971. Karriera e tij nisi në Pukë, për të vijuar më pas në Ministrinë e Shëndetësisë dhe në drejtimin e ndërmarrjes farmaceutike Fu-Farma. Në dhjetor të vitit 1997, ai themeloi farmacisë që mban emrin e tij, duke vendosur themelet e një tradite familjare që vijon edhe sot.

I njohur për qasjen e tij të kujdesshme ndaj përgatitjeve galenike, Daja ishte ndër të paktët profesionistë që punonte me rigorozitet për të krijuar preparate të personalizuara për pacientët, sipas standardeve të larta farmaceutike. Laboratori i tij në Farmaci “Daja” u kthye në një pikë referimi për kolegët dhe në një adresë besimi për pacientët ndër vite.

Gjatë më shumë se pesë dekadave në shërbim të farmacisë, ai la një gjurmë të rëndësishme në historinë e këtij profesioni në Shqipëri, duke u vlerësuar për përkushtimin, integritetin dhe humanizmin që tregoi gjatë gjithë jetës së tij.

Lajmi për ndarjen e tij nga jeta ka sjellë reagime të shumta nga komuniteti farmaceutik dhe pacientët që e kanë njohur nga afër punën dhe ndershmërinë e tij.

Shpërndaje

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here