Gazetaria dhe opinioni publik shqiptar kanë humbur sot një nga figurat më të rëndësishme dhe më me ndikim të tranzicionit. Artur Zheji, publicist, analist dhe ish-drejtor i disa prej mediave kryesore të vendit, ndërroi jetë papritur në moshën 64-vjeçare, pasi dyshohet për një arrest të mundshëm kardiak.
Ngjarja e rëndë ndodhi teksa Zheji ndodhej në një restorant në rrugën “Butrinti” në Sarandë, ku po drekonte me bashkëshorten dhe djalin e tij. Papritur ai pësoi një arrest kardiak. Pavarësisht ndërhyrjes së shpejtë dhe transportimit me autoambulancë drejt spitalit “Petro Nako” të qytetit, ai nuk mundi të mbijetonte. Lajmi ka tronditur jo vetëm familjen dhe të afërmit, por edhe komunitetin e gjerë mediatik dhe publikun shqiptar.
Një jetë mes medias, akademisë dhe kulturës
I lindur në vitin 1960 në Tiranë, Zheji studioi për Gjuhë dhe Letërsi Shqipe në Universitetin e Tiranës, ku më pas shërbeu si pedagog. Që në fillim të viteve ’90, me hapjen e mediave të para të lira pas komunizmit, ai u përfshi fuqishëm në gazetari dhe u shndërrua shpejt në një nga figurat më të spikatura të publicistikës shqiptare.
Ai mbajti disa nga postet më të rëndësishme në median shqiptare si Drejtor i Përgjithshëm i Televizionit Publik Shqiptar (TVSH), si dhe drejtor i gazetës Mapo. Veprimtaria e tij përfshin analiza politike, shkrime editoriale dhe drejtimin e programeve televizive. themelues i platformës analitike “360° Gradë“, ku u shqua me editorialet dhe analizat e tij politike deri në fund të jetës.
Përveç punës në media, ai dha kontribute të vlefshme edhe në kulturë dhe akademi. Ishte eseist, përkthyes dhe studiues i letërsisë franceze, duke pasuruar letrat shqipe me vepra dhe analiza të rëndësishme.
Roli në gazetari dhe shoqëri
Artur Zheji shihet si një nga analistët më të formuar dhe të pavarur të tranzicionit shqiptar. Komentet e tij shpesh shoqëroheshin me një gjuhë të drejtpërdrejtë, ironi fine dhe aftësi për të analizuar realitetin politik.
Jeta personale dhe familja
Artur Zheji vinte nga një familje intelektuale e njohur. Ai ishte djali i Petro Zhejit, gjuhëtar, filozof dhe përkthyes i shquar, i cili la një trashëgimi të vyer në kulturën dhe mendimin shqiptar dhe i aktores së njohur, Besa Imami.
Në jetën personale, Artur Zheji ishte i martuar dhe baba i tre fëmijëve. Ai shpesh shprehej se familja ishte forca e tij më e madhe dhe mbështetja që e shoqëroi në gjithë rrugëtimin profesional.
Artur Zheji do të kujtohet si një figurë që ndikoi thellë në debatin publik shqiptar, duke mbetur një intelektual i lirë, gazetar i guximshëm dhe mendimtar kritik. Ngushëllime familjes.