Televizioni kombëtar News24 ka ndalur sot transmetimin e tij, pasi në orët e para të mëngjesit policia ndërhyri në ambientet e tij në ish-Uzinën e Autotraktorëve në Shkozë, duke kërkuar largimin e gazetarëve dhe zbrazjen e godinës. Sipas Panorama, policia pengoi hyrjen e stafit dhe ndërpreu energjinë elektrike, ndërsa sinjali i News24 u fik në orën 07:36. Ambientet ku ndodhen redaksitë e News24, BalkanWeb, Panorama dhe Gazeta Shqiptare pritet t’i kalojnë kompanisë shtetërore KAYO, e themeluar në vitin 2024 dhe pronare e godinës pas një vendimi qeveritar të 12 marsit 2025. News24 ka qenë qiramarrës afatgjatë në këtë objekt.
Mbyllja e papritur e transmetimit vjen pas një historie të gjatë të këtij televizioni me programe dhe debate kritike ndaj pushtetit, çka ka ngritur shqetësime mbi gjendjen e lirisë së shprehjes në Shqipëri.
Reagimet brenda vendit
Unioni i Gazetarëve të Shqipërisë (UGSH) e dënoi veprimin si “sulm frontal ndaj lirisë së medias” dhe kërkoi rikthimin e menjëhershëm të gazetarëve në punë.
Gazetarë të njohur si Anila Hoxha, Artan Hoxha, Osman Stafa dhe Klodiana Lala e cilësuan ndërhyrjen “diktaturë” dhe shkelje të të drejtës kushtetuese për informim.
Këshilli Shqiptar i Medias (KSHM) foli për “vendosje të heshtjes mediatike” dhe krahasoi rastin me kohët kur “fikej sinjali i televizioneve armiq”.
Asociacioni i Gazetarëve të Shqipërisë (AGSH) e quajti aksionin një shkelje flagrante të demokracisë dhe lirisë së shprehjes, duke kërkuar ndalimin e menjëhershëm të tij dhe rikthimin e gazetarëve në ambientet e punës.
Reagimet ndërkombëtare
BIRN (Balkan Investigative Reporting Network) dhe Reporterët pa Kufij (RSF) shprehën shqetësim për situatën, duke e cilësuar ndalimin e transmetimit një goditje serioze ndaj pluralizmit mediatik. Në reagimin e tyre, ata bënë thirrje për transparencë mbi arsyet e ndalimit dhe garantimin e kushteve të lira të punës për gazetarët.
OSBE, përmes Përfaqësuesit të saj për Lirinë e Medias, nënvizoi se autoritetet duhet të sigurojnë që asnjë formë presioni politik ose ekonomik të mos cenojë pavarësinë editoriale të mediave. Organizata theksoi se mbylljet e papritura të mediave, sidomos atyre kritike, dëmtojnë besimin publik dhe klimën demokratike në vend.
Reagimi i autoriteteve shqiptare
Pas publikimit të reagimeve, Qeveria e Shqipërisë i cilësoi pretendimet si të pabazuara. Në deklaratën zyrtare thuhet se:
“Liria e fjalës dhe e medias janë ndër arritjet më të rëndësishme në Shqipëri, të sanksionuara në Kushtetutë. Qeveria e Republikës së Shqipërisë nuk ka ndërhyrë dhe nuk do të ndërhyjë në asnjë rast në politikat e mediave.”
Autoritetet iu referuan gjithashtu një deklarate të Bordit të Gazetarëve të News24, e datës 29 gusht 2019, ku theksohej se ndryshimet editoriale dhe programore kryhen vetëm në interes të opinionit publik dhe se “asnjë politikë qeveritare apo politike nuk do të ndikojë në vijën editoriale të këtij televizioni”.