U zyrtarizua si Kryeinspektor i Kryeministrit. Dashit i thanë e kemi me primare përzgjedhjen; fito primaret, je deputet. I fitoi primaret, nuk e bënë deputet. Vetë partia e thyeu besimin, e thyeu premtimin e vet. Njejtë si me Hysen Kadiun. Tani iu thotë edhe pse nuk ndoqëm meritokracinë, edhe pse iu bëmë padrejtësi, edhe pse thyem premtimin që dhamë vetë, ju duhet të rrini aty, ta pranoni padrejtësinë që ne iu bëjmë!
Nëse nuk e pranoni, quheni tradhëtarë. Dmth quhet tradhëtar kush nuk e pranon padrejtësinë, jo kush e thyen premtimin dhe e bën padrejtësi.
Sipas logjikës komuniste; logjikë e përftuar nga Sali Berisha qysh kur ishte sekretar i PPSH dhe kryetar partie kishte Enver Hoxhën, logjikë e transportuar deri në vitin 2026, ti duhet të pranosh fatin që ta cakton udhëheqësi me arbitraritet. Nëse nuk e pranon atë fat, je tradhëtar. Në atë sistem gjykimi dhe argumentimi, udhëheqësi i partisë përcakton fatet, cakton cila është e vërteta dhe cila gënjeshtra; cila është e drejta e cila e padrejta.
Dhe nëse udhëheqësi të godet, sipas atij sistemi, ti duhet të fikesh e të mbarosh si njeri, të mos kesh më jetë dhe karrierë, duhet të zhdukesh nga qarkullimi. Është mentaliteti që po të goditi Enveri, të largonin dhe nga qyteti, të hiqnin edhe nga puna dhe të çonin në punë më të rënda e të rëndomta. Ti mbaroje si njeri, nuk kishe asnjë mundësi as për të reaguar, as për tu ringritur.
Sot ka vetëm një problem i cili e sfidon atë lloj sistemit të të gjykuarit; pluralizmi i interesave. Nuk ekziston më një parti dhe një udhëheqës me kontroll në të gjitha hallkat e shtetit dhe të shoqërisë. Sot janë dy ose më shumë parti dhe fakti që pushteti legjitimohet me zgjedhje, individëve që goditen iu jep mundësi ringritjeje, duke i bërë të nevojshëm diku tjetër, në një strukturë tjetër, brenda disa interesave të tjera.
Iu tundet para syve besnikëria? Ripërsëris fjalinë e famshme të Milovan Gjilasit në librin mbi Titon: “Besnikëria jonë ndaj partisë, është dobësia jonë përballë partisë”. Sepse udhëheqësi ty të kërkon besnikëri, ndërsa vetë atë, udhëheqësin, ska kush e gjykon për mungesë besnikërie. Sepse turma e partisë është me udhëheqësin.
Përshembull Sali Berisha u ngrit me 9 shtator 2021 me premtimet për të ndërtuar parti demokratike, parti me meritokraci, parti ku lideri mban përgjegjësi dhe jep dorëheqjen nëse humb. Asnjërin premtim nuk e mbajti. A ka pabesi e mungesë besnikërie më të madhe se kaq? Jo, nuk ka. Mirëpo siç thamë, në partitë me sistem bolshevik mendimi, pabesinë e udhëheqësit nuk ka kush e gjykon, sepse turma është me udhëheqësin. Individi të cilit i është bërë padrejtësia, mbetet pa mbrojtje sepse turma nuk e mbron. Turmat janë krah udhëheqësve, sado pabesi të bëjnë ata. Kështu janë partitë autoritare quasi-bolshevike.
Jo po Dashi duhet të ishte besnik ndaj parimeve të veta, jo ndaj Sali Berishës; le të largohej nga Sali Berisha por të mos shkonte tek Rama. Ky quhet imoralitet i thellë i militantizmit. Sepse Berishës nuk i kërkohet besnikëri ndaj parimeve që ka premtuar.
Militanti nuk e kupton se partia është fraksionim i tri llojeve të interesave: Ideologjiko-identitare-kulturore, interesa ekonomike, psh mbron interesat e një fushe të caktuar të ekonomisë, dhe interesa karrieriste të cilat janë legjitime. Militanti është te tifozeria. Dashi në ketë rast ka pasur interesa karrieriste brenda partisë, pra është klasifikuar tek fraksioni i tretë. S’mund të jenë të gjithë tifozë.
Edi Rama pa dyshim ka pasur interesin që nëpërmjet Dashit të japë një mesazh: Partia ime është parti e cila përfshin interesa. Ata që janë vlerë elektorale dhe në sistemin e interesave, e kanë derën hapur. Ketë e ka thënë në vitin 2003 kur pati kandiduar: Partia nuk është monument kulture i cili ruhet i paprekur. Dmth partia është dinamike dhe në rrugëtimin e saj është si autokombanja; mbledh interesa gjatë rrugës që përshkon.
Ndryshe nga autokombanja përballë, partia e Sali Berishës nuk mbledh interesa, përkundrazi, në vend që të ishte në zgjerim e ekspanzion, është në zvogëlim dhe tkurrje.
Dhe zgjidhja pa zgjidhje është akuza për tradhëti.

