Nga Mentor Kikia: Në PD dikush edhe fitoi…

Në PD dikush edhe fitoi…

Opozita e ka për detyrë që të denoncojë dhe prokuroria ka për detyrë të hetojë çdo rast të manipulimit të votës. Ne të tjerët jashtë, e kemi për detyrë t’i mbështesim dhe nxisim ata në këtë mision jo thjesht politik, por kombëtar. Ne duhet të vendosim një vijë të kuqe në raport me deformimin e votës dhe demokracisë. Nga listat e patronazhistëve, deri tek deputetët e organizatave kriminale.

Kjo histori duhet të marrë fund!

Por PD duhet të gjejë forcën dhe vullnetin, që të bëjë edhe “diçka” tjetër të madhe. Ajo duhet të rinovojë lidershipin. Një nga shkaqet e humbjes së thellë ishte edhe fakti se ajo u fut në garë me të njëjtin lidership politik dhe alternativë qeverisëse që ishte rrëzuar në vitin 2013. Është e pamundur që një skuadër, p.sh., të shkojë në finalet e Botërorit me të njëjtin ekip që kishte humbur 4 vjet më parë.

E kam thënë shumë herë: Sado i korruptuar të jetë Rama, kjo nuk mjafton që Berisha të rikthehet në pushtet.

Sot PD ka dy njerëz që kanë marrë rreth 35 mijë vota të dy. Janë dy njerëz që nuk i akuzon dot as për parkim të gabuar të makinës.

Politika duhet të drejtohet nga njerëzit me integritet dhe të pastër. Shqiptarët duket sikur janë dashuruar me modelin e autoritarit (edhe diktatorit po të duam), me megalomanët, mendjemëdhenjtë, populistë të shfrenuar e mashtrues… Por mendoj se ky ka qenë modeli që u është ofruar deri tani, që nga 1945.

Por është koha që superpushteti socialist të shënojë ndoshta edhe fundin e një epoke.

Që të ndodhë kjo, opozita duhet të ofrojë njerëz të aftë e të ndershëm, që të kenë besimin e qytetarëve. Duhen njerëz që të përbashkojnë të gjitha energjitë opozitariste.
Rrotacioni i shëndetshëm politik është nevojë urgjente e demokracisë sonë hibride. Stabiliteti që predikojnë ndërkombëtarët, nuk përputhet me demokracinë. Mos prisni që Ramën ta rrëzojë nga pushteti një aktor i jashtëm, as SPAK-u.

Shpërndaje

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here