Rrugëtimi i sipërmarrëses shqiptare që e ktheu emigrimin nga sakrificë personale në mision për fuqizimin e grave dhe diasporës.
Diaspora shqiptare ka pushuar së qeni thjesht një histori migrimi; sot ajo është një forcë vitale suksesi dhe një motor zhvillimi që operon në dy fronte. Përtej integrimit të shkëlqyer në vendet ku jetojnë, profesionistët shqiptarë po dëshmojnë se kontributi i tyre nuk njeh kufij gjeografikë. Ata po shërbejnë si ambasadorë të vlerave tona më të mira, duke investuar kapitalin e tyre intelektual dhe ekonomik jo vetëm në shtetet pritëse, por duke u kthyer në pika referimi dhe ure lidhëse me Shqipërinë. Kjo simbiozë e re po riformaton imazhin tonë në botë, ku suksesi jashtë kthehet në vlerë të shtuar brenda vendit.
Në ballë të këtij brezi që po ndërton këtë rrjet të ri ndikimi, spikat figura e Mirela Mezanit. Ajo dëshmon se suksesi nuk ka kufij kur ndërthuret me pasionin dhe vullnetin. E vendosur në Gjenevë të Zvicrës, ajo ka arritur të ndërtojë një karrierë solide si sipërmarrëse, por mbi të gjitha si një urë lidhëse për komunitetin shqiptar në Evropë. Nga fillimet e saj në Tiranë me shkollën e parë të modës “Elia Style“, Mirela ka bartur me vete guximin për të inovuar dhe për të krijuar vlerë kudo ku ka vepruar.
Për Mirelën, moda nuk ishte thjesht veshje, por një gjuhë komunikimi dhe mjet për të fuqizuar identitetin. Sot, ajo e ka transferuar këtë ndjeshmëri artistike dhe aftësi menaxhuese nga atelietë e Tiranës në forumet ndërkombëtare të Gjenevës. Ajo ka kuptuar se ashtu si një veshje kërkon harmoni dhe precizion, edhe një shoqëri apo rrjet biznesi kërkon ndjeshmëri, etikë dhe mbi të gjitha, një vizion gjithëpërfshirës.
Sot, si Presidente e “Women Alb World” (WAW) dhe anëtare e Këshillit Koordinues të Diasporës, ajo është kthyer në një zë të fuqishëm për diplomacinë ekonomike dhe fuqizimin e gruas shqiptare në botë. Me një përvojë mbi 20-vjeçare, Mirela nuk menaxhon vetëm biznese, por ndërton platforma që u japin zë profesionistëve shqiptarë, duke dëshmuar se qëndrueshmëria dhe rrjetëzimi janë çelësat e suksesit modern.
Në këtë bisedë ekskluzive për mendimi.al, Mirela rrëfen me sinqeritet sakrificën e lënies pas të gjithçkaje për një fillim të ri dhe filozofinë që e shndërroi atë në një lidere të shpirtrave njerëzorë.
Si nisi rrugëtimi juaj nga Tirana drejt Gjenevës dhe çfarë ju mungon më shumë nga fillimet tuaja në botën e modës në Shqipëri?
MM: Rrugëtimi im drejt Gjenevës ishte i papritur dhe i paplanifikuar. Nuk kam dashur kurrë të emigroj, edhe për shkak të historisë sime familjare: jam Çame dhe gjyshërit e mi kanë qenë të ardhur; gjithashtu kam përjetuar më herët një zhvendosje nga Vlora në Tiranë. Megjithatë, ky vendim u vlerësua dhe u mendua me shumë kujdes nga unë dhe ime bijë, në momentin kur Besi, sot bashkëshorti im, më propozoi martesë.
Nga ana profesionale, për mua ishte një sakrificë e madhe. Kisha mbi 15 vjet eksperiencë në administrimin e arsimit profesional, ku kam certifikuar dhjetëra studentë në fushën e stilimit, modelizmit dhe rrobaqepësisë. Jam krenare që disa prej tyre sot shkëlqejnë në tregun shqiptar dhe të tjerë në vende të ndryshme të botës. Paralelisht, drejtoja një laborator/atelie profesionale ku realizoheshin kampionë uniformash për kompani vendase dhe të huaja, veshje të personalizuara teatri, filma dhe spektakle televizive.
Në pak rreshta është e pamundur të përshkruhet ajo që lashë pas. Në mënyrë figurative do ta përkufizoja kështu: “Të mjaftohesh me ato që ke arritur (punën dhe biznesin) dhe të vazhdosh të luftosh me pasiguritë e Shqipërisë për të mbajtur një standard të nevojshëm për shkollimin dhe edukimin e vajzës, apo të marrësh vetëm vajzën të lidhur pas trupit dhe t’i futesh detit me not, për të dalë ose jo në bregun e sigurt të Perëndimit”. Unë zgjodha të dytën.
Kam vuajtur brenda meje profesionalisht, kur më duhej të përballesha me koston e jetesës zvicerane (cilësi-çmim) apo kur vajza ime vishte veshje që unë kisha krijuar 15 vite më parë dhe më thoshte: “Mami, si është e mundur që ke krijuar këto veshje qysh atëherë?”
Jam e vetëdijshme që shumë gra , madje edhe familjarë, mund të mendojnë se nuk kam të drejtë të flas për vështirësi, sepse jam martuar në Gjenevë dhe kam një familje të konsoliduar. I kuptoj këto perceptime dhe pikërisht për këtë arsye nuk e kam shprehur asnjëherë publikisht këtë “dhimbje” profesionale, por me durim, duke rrëmuar në aftësitë e mia dhe përshtatur me kushtet përreth kërkova të rindërtoj Mirelën në një tjetër realitet, në WAW.
Vendimin e mora para se të vija në Gjenevë me bindje të plotë: prioriteti im absolut do të ishte ime bijë, (universiteti dhe nacionaliteti i saj). Sot, pas 10 vitesh, kur ajo i ka arritur këto objektiva dhe ka ndërtuar rrugën e vet të suksesit, ndihem e qetë të reflektoj edhe mbi “rrudhat” profesionale që kjo sakrificë i ka sjellë Mirelës. Nuk jam aspak pishman; përkundrazi, jam krenare.

Cilat janë tre vlerat kryesore që udhëheqin stilin tuaj të lidershipit?
Integriteti dhe etika
Vij nga një familje patriarkale çame, me një edukim të fortë mbi parimet morale. E gjithë jeta ime është ndërtuar mbi sinqeritetin për atë që jam dhe atë që përfaqësoj, si dhe mbi respektin dhe mirënjohjen për çdo person me të cilin kam punuar apo bashkëpunuar. Kjo më ka dhënë mundësinë të jem e pranuar dhe e vlerësuar në nivelet e angazhimeve të mia.
Empatia dhe inteligjenca emocionale
Parimi që më ka shoqëruar gjithmonë është: “Mos ia bëj tjetrit atë që nuk dëshiron të ta bëjnë ty”. Kam natyrën që të dëgjoj, të vlerësoj mendimin ndryshe, dhe të mos flas “të fundit në fillim”. Analizoj gjatë dhe marr vendime të menduara, të cilave ju qëndroj. Kjo më ka zhvilluar një intuitë vendimarrëse, që unë besoj se buron nga dëgjimi i kujdesshëm, njohja e vetes dhe analiza e nevojave të të tjerëve. Edukimi dhe mësimi i vazhdueshëm janë gjithashtu thelbësorë, nëse nuk ke dëshirë të mësosh, nuk ke durim as të dëgjosh.
Gjithëpërfshirja dhe drejtësia sociale
E dua punën me njerëz dhe jo lidershipin nga distanca. Më pëlqen të marr mendime nga nivele të ndryshme dhe besoj fort në meritokraci.
Siç i them shpesh vajzës sime: “Nuk dua të jem lidere e mureve të ftohta të parasë, por e shpirtave njerëzorë që vrapojnë për t’u zhvilluar.” Nuk e shoh askënd thjesht si “punonjës”, por si një individ i barabartë me mua, që nëpërmjet punës ndjen se po rritet profesionalisht dhe emocionalisht. Kjo filozofi më vjen edhe nga puna në fushën e modës:nuk mund të krijosh një veshje që shkëlqen pa e njohur njeriun, pa harmoni me ekipin dhe pa dashuri për procesin.
Çfarë është Women Alb World (WAW) dhe cili është misioni i saj?
Women Alb World (WAW) është shoqata e grave shqipfolëse në botë, me seli në Gjenevë, Zvicër. Qëllimi i saj është rrjetëzimi i grave të mirë-integruara në diasporë, së bashku me studentet e shumta shqiptare jashtë vendit, për të prodhuar shërbime konkrete për gratë që kanë nevojë.
Katër fushat kryesore të veprimit janë:
- Paqja dhe siguria
- Lufta kundër dhunës në të gjitha format
- Edukimi dhe integrimi
- Sipërmarrja
Sloganet tona janë: “Partneritet me burrat për të ndihmuar gratë” dhe “WAW – shtëpia e çdo gruaje shqipfolëse, ku secila ndihet lidere në mënyrën e vet”.
Struktura e WAW përfshin Ambasadoret, Komitetin Drejtues, Bordin Ndërkombëtar dhe Bordin e Eksperteve. Dëshiroj të përmend tre ambasadore që i bëjnë nder kombit shqiptar:
– Arbëresha Cettina Mazzei (Itali), për 30 vite punë në ruajtjen e gjuhës dhe kulturës arbëreshe
– Shyrete Tahiri (Kanada), zë i fuqishëm i viktimave të luftës në Kosovë
– Remzije Zeka Sherifi (Skoci), e dekoruar nga Mbreti Charles III për kontributin në integrim
Si lindi ideja për themelimin e WAW?
Ideja lindi nga vetë rrugëtimi im si sipërmarrëse dhe nga realiteti që pashë në diasporë. Burrat ishin më të integruar, ndërsa gratë shpesh mbeteshin të izoluara në shtëpi. Procesi i ndërtimit të WAW (2017-2019) zgjati gati dy vjet, me shumë punë, investim dhe përballje, por sot WAW është një realitet i qëndrueshëm dhe transparent në të gjitha parametrat internacionale të veprimit. Aktualisht jemi në fazë ristrukturimi të web-it, digjitalizimit të shërbimeve përmes një aplikacioni dhe ndërtimit të qendrës së parë multifunksionale në Tetovë.
Çfarë aktivitetesh zhvillonit në Tiranë dhe si ju kanë ndihmuar në Zvicër?
Në Tiranë kam qenë aktive në marketing, media, modë, arsim profesional, ligjin për zejet, konsulencë imazhi dhe menaxhim të projekteve që lidheshin me gruan, shoqërinë civile, etnografinë e zejtarinë. Këto eksperienca më kanë dhënë forcën dhe fleksibilitetin për të ndërtuar veten sërish në Zvicër. Pa to, nuk do të kisha dalë dot “në breg”.
Cili është roli juaj në Këshillin Koordinues të Diasporës (KKD)?
Në vitin 2023 u ndjeva e vlerësuar që u zgjodha anëtare e KKD (mandati 2023-2027), vlerësim i punës në WAW. Si anëtare e KKD tashmë unë përpiqem të jem një zë i fuqishëm i të gjitha grave dhe komunitetit shqipfolës në Zvicër, për të ndërtuar ura bashkëpunimi istitucional midis Diasporës dhe Shqipërisë. Diaspora ka kapacitet të jashtëzakonshëm në ruajtjen e gjuhës, traditave kulturore, investime, turizëm dhe diplomaci. Strukturimi i gjithë potencialit të diasporës dhe përcjellja e këtyre eksperiencave të mira në Shqipëri është bërë lajtmotiv për t´i shërbyer vendit tim.
Çfarë mesazhi keni për gratë shqiptare?
Shoqëria fillon me gruan. Zhvillohet me punën e saj. Dhe demokratizohet kur gruaja pavarësohet dhe bëhet vendimmarrëse.
WAW beson tek aftësitë e çdo gruaje, pavarësisht vendit ku jeton apo statusit social. Ne punojmë çdo ditë që WAW të jetë shtëpia e gruas shqipfolëse, ku secila të ndihet lidere në mënyrën e vet.


