Bulëzat janë mishërimi i lumturisë. Ose lumturia ndonjëherë është thjesht ca bulëza të mbledhura në një gotë. Dhe kur kjo gotë mban emrin “Ferrari” dhe pihet pranë liqenit të Gardës, në mes të vreshtave ku është prodhuar, në të freskëtin e peizazhit të gjelbëruar rreth Trentos e sidomos në shoqërinë e disa mikeshave, atëherë lumturia është e plotë dhe të kthehet hera herës si bulëza kujtimesh.
Udhëtimi Ferrari nis nga Liqeni i Gardës. Aty, në Riva del Garda Rudina, Bieta, Jerina, Iva dhe Olesia drekojnë me Elisën dhe Anitën, përkatësisht përfaqësuesit e Ferrarit dhe Eurolab dhe provojnë të parat shije të bulëzave të Ferrarit, që shoqëron një drekë të lehtë e të sofisitikuar me bazë peshku, që ndiqet nga një shëtitje me varkë me vela në liqenin e Gardës.
Pastaj udhëtimi në qytetin e Trentos dhe qëndrimi në Grand Hotel me arredimin klasik që të bën të të duket vetja sikur po udhëton në kohë e të nxjerrësh nga valixhja veshje të viteve 50 dhe gati gati të ndjehesh fajtore që s’ke dhe doreza të bardha e kapele…
Qyteti dhe qendra kanë të njëjtin sharm, pa nxitimin dhe ngutjen e këtij shekulli, pa zhurmat dhe turistët e veshur me shapka me gisht, pa tregtarë ambulantë dhe me restorantin Scrigno del Duomo, ku darka ka pjata të sofiskuara, të tjera shishe me bulëza Ferrari dhe shijen e mirë të një Italie që gjendet vetëm në vende të tilla.
Pastaj dita e dytë nis atje ku bulëzat prodhohen, në kantinën Ferrari në Trento. Aty të shoqërojnë në të gjitha repartet dhe mund të shohësh gjithë punën që bëhet për të pasur atë cilësinë perfekte të bulëzave me gotë, që nga fermentimi i rrushit dhe deri tek puna që bëhet me dorë për muaj me radhë për të rrotulluar shishet një e nga një…
Në një vizitë të tillë njeh historinë që nisi në vitin 1902 me një njeri si Giulio Ferrari dhe ëndrrën e tij për të krijuar në Trentino një verë që do të konkurronte me shammpanjat më të mira franceze dhe që vijoi më tej me Brono Lunellin, që kishte një dyqan verërash në Trento e që me pasionin e tij dhe aftësitë sipërmarrëse arriti të shtonte prodhimin pa bërë kompromis me cilësinë, për të vijuar në ditët e sotme me brezin e tretë të familjes Lunelli, të cilët prodhojnë dhe shpërndajnë Ferrarin kudo nëpër botë, tashmë dhe në Shqipëri përmes Eurolab.
Dy lajme të mira nga kjo vizitë: E para, pasi ke parë gjithçka në fund të vizitës, mund të ulesh si një sommelier i vërtetë dhe të shijosh nga të gjitha, madje dhe ato të reservës dhe ato që prodhohen në sasi të kufizuar. Dhe e dyta: nuk të duhet një ftesë apo privilegj i veçantë për ta bërë: kompania organizon vizita të tilla për turistët dhe në tur përfshihet dhe vizita në vreshtat, që gjenden pak kilometra larg vendit të prodhimit, në një nga peizazhet me magjepsëse të zonës. Aty është dhe stacioni i radhës së këtij udhëtimi, bashkë me drekën në restorantin me yje Locanda Margon, gjithashtu pjesë e grupit Ferrari.
Më pas vizita private në villën Margon të mbush shpirtin jo vetëm me natyrën e bukur, lëndinën përrallore dhe kizhëzën, që duket sikur ka dalë nga rrëfenjat e mesjetës, por me gjithë veprat e çmuara të artit të gjenden brenda kësaj vile. Pas një shëtitjeje në kodrinat dhe vreshtat, vjen dhe kthimi në qytet, për t’u ndalur te Albert Pizza dhe për të provuar tendecën e kësaj vere: Pizza Bollicine dinner – pica dhe bulëza.
Nëse nuk e keni provuar ende, nuk keni ç‘prisni, është një kombinim i përsosur dhe nuk ka për të qenë kurrsesi një tendencë kalimtare verore. Sepse kushdo që e provon do të kërkojë t’i rikthehet. Jo më kot, siç e thamë në fillim, bulëzat janë mishërimi i lumturisë. Ose lumturia ndonjëherë është thjesht ca bulëza të mbledhura në gotën e Ferrarit. E gjeni në mapocity.al