Përplaset tramvaji historik i Lisbonës, të paktën 16 viktima

Një tragjedi goditi kryeqytetin portugez mbrëmjen e së mërkurës, kur tramvaji historik i njohur Elevador da Glória doli nga shinat dhe u përplas në një ndërtesë, duke shkaktuar të paktën 16 viktima dhe 18 të plagosur, pesë prej të cilëve në gjendje kritike, sipas Ministrisë së Shëndetësisë së Portugalisë.

Ngjarja ndodhi pak pas orës 18:00, kur një kabllo e sistemit u shkëput, duke bërë që funikulari të humbte kontrollin dhe të rrëzohej në fund të kodrës që lidh Sheshin Restauradores me lagjen panoramike Bairro Alto. Pamje dhe video në rrjete sociale treguan njërin nga vagonët e verdhë të përmbysur, të rrethuar nga tymi e mbeturinat.

Zyrtarët konfirmuan se mes viktimave ka emra portugezë dhe të huaj, por kombësitë e tyre nuk janë bërë ende të ditura. Nuk raportohet për fëmijë në mesin e të vdekurve.

Elevador da Glória, i hapur që në vitin 1885 dhe pjesë e identitetit turistik të Lisbonës, transporton çdo vit mbi 3.5 milionë pasagjerë. Edhe pse përdoret rrallë nga vendasit, për turistët ka qenë gjithmonë një simbol i qytetit.

Kryebashkiaku Carlos Moedas e shpalli Lisbonën në zi, duke e cilësuar aksidentin si “një moment tragjik për qytetin”. Presidenti Marcelo Rebelo de Sousa shprehu ngushëllimet dhe solidaritetin me familjet e viktimave.

Ndërkohë, kompania e transportit Carris njoftoi se mirëmbajtja e fundit e tramvajit ishte kryer në vitin 2024. Hetimet për shkaqet e plota të aksidentit kanë nisur.

Një dëshmitar, Paulo Valério, tha se zhurma ishte aq e fortë sa mendoi fillimisht se ishte një aksident automobilistik. “Pamja e vagonit të shtypur dhe e trupave në tokë do të mbetet gjatë në kujtesën e qytetit,” u shpreh ai.

Shpërndaje

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here