back to top
Friday, January 16, 2026
15.5 C
Tirana

Top 5 E JAVËS

Artikuj të ngjashëm

SHBA dhe lëvizja qytetare kundër karteleve dhe korrupsionit

Mesazhe të sinkronizuara: reagimi qytetar dhe diplomacia amerikane po e çojnë qeverinë drejt pikës së vlimit

Në Tiranë ka nisur një valë e re presioni politik që nuk vjen vetëm nga “rruga“, por edhe nga Uashingtoni. Qeveria shqiptare gjendet mes dy zjarreve: një lëvizjeje qytetare që po fiton terren dita ditës dhe një administrate amerikane që ka bërë të qartë se Shqipëria nuk është më “një çështje e brendshme”, por një prioritet i sigurisë kombëtare të Shteteve të Bashkuara.

Kreu i lëvizjes “Shqipëria Bëhet”, Adriatik Lapaj, riktheu protestën në zemër të kryeqytetit me një skenë që u përhap shpejt në rrjete sociale. Para zyrës së kryeministrit u hap një banderolë gjigante me fjalët e Sekretarit të ri të Shtetit të SHBA-ve, Marco Rubio: “Ne do të përballemi me kartelet kudo që ndodhen dhe kudo që veprojnë kundër interesave të SHBA-ve.
Mesazh i qartë, mesazh politik dhe një akuzë e drejtpërdrejtë ndaj Edi Ramës se ka lejuar kapjen e shtetit nga paratë e drogës dhe krimit.

Lapaj, në fjalimin e tij, bëri pyetjet që shumë shqiptarë artikulojnë vetëm në biseda private: Kush po ndërton kullat? Kush po lan paratë? Kush po ikën dhe kush po pasurohet? Sipas tij, qeveria ka ndërtuar një sistem ku krimi i organizuar lulëzon, ndërsa qytetari i ndershëm llogarit sa ditë i kanë mbetur para se të emigrojë.

E Ngarkuara me Punë, Nancy VanHorn, foli hapur gjatë ceremonisë së mbylljes së një trajnimi të FBI-së për hetuesit e SPAK dhe BKH. Deklaratat ishin të pakursyera: bandat shqiptare, të lidhura me kartelet e Amerikës Latine, janë tashmë kërcënim për sigurinë e SHBA-ve. Kjo është arsyeja, tha ajo, pse administrata Trump po rrit investimin për t’i goditur ato, jo vetëm këtu por kudo ku operojnë.

Për Uashingtonin, llogaritë janë të qarta: Shqipëria nuk mund të mbetet korridori i karteleve në Ballkan. Për qytetarët shqiptarë, dilema është më e dhimbshme: a do të vazhdojë klasa politike të mbrohet duke heshtur, apo do të lëvizë nën presionin e rrugës dhe ndërkombëtarëve?

Një gjë është e sigurt: “koha e justifikimeve ka mbaruar”.
Shqipëria po kalon një moment që mund ta ndryshojë drejtimin e saj për dekada.

Artikujt më të klikuar