Shqipëria, ky vend i vogël plot me gjitholog

Në Shqipëri, tregu i pasurive të paluajtshme ka hyrë në një fazë zhvillimi të pandalshëm. Ndërtohet në çdo cep të kryeqytetit, në bregdet, në zonat urbane, dhe çmimet shënojnë rekorde të reja çdo vit. Një apartament në Tiranë mund të kushtojë nga 1,300 deri në 4,000 euro për metër katror, ndërkohë që paga mesatare neto qëndron në rreth 450 euro, sipas të dhënave zyrtare të INSTAT-it.

Nëse këto shifra nuk përputhen logjikisht, arsyeja është e thjeshtë: nuk ka nevojë të përputhen. Në Shqipëri, tregu i ndërtimeve nuk ndjek parimin klasik të kërkesës dhe ofertës nga konsumi i brendshëm. Ndjek mekanizma të tjerë, më fleksibël, më të “avancuar“, ku përfshihen kapitalet informale, flukset e parasë së pistë dhe, sipas ekspertëve, aktivitete që shkojnë deri në kriminale.

Në emisionin “Opinion”, kjo situatë u bë objekt debati mes ekonomistit Arben Malaj dhe përfaqësuesve të tjerë të fushave të ndryshme. Malaj deklaroi:
Sektori i ndërtimit është forma më e mirë për pastrimin e parave. Edhe në Shqipëri ka elementë të kësaj natyre që kanë deformuar tregun. Blejnë apartamente me burime informale, deri në kriminale, dhe çmimet janë rritur pa lidhje.”

Ky pohim, që në vende të tjera do shkaktonte reagim institucional, në Shqipëri trajtohet si pjesë e diskutimeve të zakonshme, ku përveç ekspertëve të ekonomisë, japin mendime edhe përfaqësues të sportit, kulturës apo ndonjë sektori tjetër më pak të lidhur me fenomenin.

Gazetari sportiv Dritan Shakohoxha, në të njëjtin debat, shprehu dyshimin e tij:
Ore seriozisht e ke që mund të thuash këtë?

Kjo qasje pasqyron një tjetër tipar të tregut shqiptar: aftësinë për të relativizuar çdo gjë, për ta kthyer çdo problem struktural në temë bisede, ku të gjithë japin opinion, por pak kush sjell zgjidhje.

Për ta plotësuar tablonë, kreu i Shoqatës së Ndërtuesve, Erion Harizi, deklaroi:
Nuk ka të pastrehë Shqipëria.

Një konstatim që, nëse mbështetet vetëm në fjalë, tingëllon inkurajues. Nëse krahasohet me statistikat e varfërisë, ku rreth 30% e popullsisë është e varfër, dhe me realitetin social, ku qiratë janë më të larta se mundësitë financiare të shumicës, lë hapësirë për reflektim, ose për mosbesim.

Sipas Harizit, ndërtuesit kanë kontribuar me 3% të sipërfaqes për të pastrehët dhe me 500 milionë euro investime në 5 vitet e fundit. Një shifër e ndjeshme, që teorikisht duhet të kishte lehtësuar problemin social të strehimit. Praktikisht, qytetarët me të ardhura mesatare ose të ulëta vazhdojnë të kenë akses të kufizuar në pronë, ndërsa apartamentet e reja mbeten jashtë mundësive reale të blerjes.

Kreditë e buta, instrumenti i promovuar si zgjidhje, shpesh shkojnë në duart e individëve të lidhur me struktura politike, patronazhistë apo rrjete të privilegjuara. Për pjesën tjetër të popullsisë, mundësia për të blerë një banesë mbetet një projekt afatgjatë, me ritëm që tejkalon rritjen e pagave dhe standardeve të jetesës.

Në këtë realitet, Shqipëria vijon të ndërtojë më shumë pallate sesa politika sociale, të prodhojë më shumë metra katrorë bosh sesa strehim të përballueshëm, dhe të ketë më shumë gjithologë në studio televizive sesa specialistë në zyrat që hartojnë politika.

Përmbledhja është e qartë: apartamentet ekzistojnë, qiratë janë të larta, pagat janë të ulëta, të pastrehët “nuk ekzistojnë”, dhe të gjithë vazhdojnë të flasin. Sepse në këtë vend, mjafton të jesh figurë publike për të qenë gjitholog.

Shënim: Ky shkrim është një qëndrim personal nga Xh.B, redaktore kontribuese në mendimi.al. Opinioni i shprehur nuk përfaqëson domosdoshmërisht qëndrimet zyrtare të platformës.

Shpërndaje

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here