Shqipëria sërish në Top Ten: 17.5 vite për të blerë një apartament

Ëndrra e çifteve të reja për të filluar bashkëjetesën në folenë e tyre të dashurisë ka disa vite që është bërë koncept i largët. Megjithatë, lajme të “mira”: arritjet e qeverisë për ta renditur vendin në Top Ten nuk kanë të sosur.

Sipas renditjes së Numbeo-s, Shqipëria renditet në vendin e 10-të në rajonin e Evropës, pasi për të blerë një apartament në Tiranë nevojiten 17.5 vite, ndërkohë që në Mynih duhet 16.1 vite, në Vjenë 11.5 dhe Bruksel 6.7. Nëse i ngushtojmë rezultatet duke kapur vetëm pjesën jugore të Evropës, kemi Beogradin me 19.6 vite, Dubrovnikun me 19.3, Milanon me 19 dhe poshtë nesh renditen fqinjët si Shkupi me 15.3, Prishtina me 15, Tuzla me 13.7, Athina me 13.5 dhe Podgorica me 12 vite.

Nëse marrim në shqyrtim cilësinë e jetës në Shqipëri do të shohim se indeksi i fuqisë blerëse është vlerësuar me 29.82 (shumë i ulët), indeksin e kostos së jetesës me 36.86 (shumë i ulët), raporti çmim prone/të ardhura me 15.83 (i lartë) dhe indeksi i ndotjes me 76.3 (i lartë). Në këtë mënyrë indeksi i cilësisë së jetës është 90.61 ose ndryshe, shumë i ulët.

Po të bëjmë një krahasim midis Tiranës dhe fqinjëve të Ballkanit Perëndimor, Tirana shënon cilësinë më të ulët të jetës, ndjekur nga Shkupi me 100.68 (e ulët), më pas vjen Beogradi me 107.81 (e ulët). Prishtina shënon një indeks prej 121.9 pikësh (e moderuar), e ndjekur nga Sarajeva me 122.53 pikë (e moderuar) dhe Podgorica me 134.34 pikë (e moderuar).

Të gjitha këto indekse, shpjegojnë dhe renditjen e Shqipërisë sërish në Top Ten, kësaj radhe në vendin e 8-të me 8.3 pikë nga 10, por vendi i parë në Evropë, për indeksin e migrimit të trurit, ku janë analizuar të dhënat nga viti 2007 deri në 2022 sipas Global Economy.

A i duhen atribuar të gjitha këto “suksese” qeverisë aktuale e cila prej 3 mandatesh, tashmë, drejton vendin? “Shëndetësia falas”, “punë ka po nuk ka profesionistë”, cilësi e ulët jetese, çmime të larta që ndryshojnë çdo ditë dhe një bord transparence që luan me çmimet e naftës sipas pozicionit qiellor të hënës, mbase (të më ndjeni, se akoma nuk jam e sigurtë) mund të shpjegojnë pse të rinjtë nuk kanë shpresë e kërkojnë të ikin duke vënë  dhe jetën e tyre në rrezik. /Mendimi.al

Shpërndaje

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here