back to top
Friday, January 16, 2026
12.5 C
Tirana

Top 5 E JAVËS

Artikuj të ngjashëm

Tableta e parë e Wegovy për humbjen e peshës mbërrin në farmaci në SHBA

FDA miraton versionin oral të ilacit popullor për humbje peshe, duke hapur një epokë të re për trajtimin e obezitetit.

SHBA ka hyrë në një fazë të re të trajtimeve kundër obezitetit pasi Administrata Amerikane e Ushqimit dhe Barnave miratoi një version të ri të Wegovy në formë tablete. Ky është ilaçi i parë i grupit GLP-1 për humbje peshe që merret oralisht, dhe pacientët që më parë merrnin injeksione javore tani kanë mundësinë ta marrin çdo ditë në formë pilule.

Sipas Novo Nordisk, kompania që prodhon Wegovy dhe Ozempic, pacientët mund të humbasin 16 deri 17 përqind të peshës trupore, e njëjta sasi si me versionin e injektueshëm. Kjo e bën Wegovy një nga trajtimet më të fuqishme aktualisht në treg kundër obezitetit.

Fabrika e kompanisë në Karolinën e Veriut po punon 24 orë pa ndërprerje për të prodhuar pilulat dhe paketimet e tyre. Nga data 5 janar, tableta Wegovy gjenden në farmaci fizike dhe online në katër doza të ndryshme fillestare dhe të avancuara.

Procesi i prodhimit është kompleks dhe nis nga një burim i pazakontë. Ilaçi prodhohet duke përdorur maja që normalisht përdoret për bërjen e bukës, e cila modifikohet gjenetikisht për të krijuar përbërësin aktiv semaglutide. Majaja përpunohet për më shumë se një muaj, filtrohet, pastrohet dhe përfundon si një pluhur i bardhë që kthehet në tabletë.

Kalimi i Wegovy nga injeksioni te pilula kërkoi vite kërkimesh shkencore. Semaglutidi dëmtohej nga acidet e stomakut, ndaj studiuesit zhvilluan një sistem të ri që krijon një mbështjellëse të përkohshme rreth pilulës sapo ajo prek mukozën e stomakut. Ky efekt mbron ilaçin për rreth 30 minuta, mjaftueshëm që trupi të përthithë dozën e nevojshme.

Pacientët duhet ta marrin tabletën në mëngjes, me stomak bosh, dhe të presin të paktën gjysmë ore para se të hanë apo të pinë diçka tjetër, për të garantuar përthithje të plotë.

Wegovy nuk ka konkurrencën e fjalës së fundit për vete. Kompania rivale Eli Lilly, që prodhon Mounjaro, po përgatit një tabletë të ngjashme, orforglipron, që mund të marrë miratim shpejt. Studimet paraprake tregojnë se ilaçi i Lilly mund të sjellë humbje peshe edhe më të madhe, duke e shtyrë konkurrencën teknologjike mes kompanive farmaceutike më të fuqishme botërore.

Megjithatë, Novo Nordisk është e bindur se Wegovy mbetet formula më e kompletuar, qoftë si injeksion apo pilulë. Kompania po zhvillon edhe një dozë më të fortë të injektueshme që do të afrohet me rezultatet e konkurrentëve.

Çmimet e ilaçit në SHBA do të variojnë nga 149 deri në 299 dollarë në muaj, megjithëse personat me sigurime shëndetësore mund të paguajnë shumë më pak. Kompania thotë se synon të rrisë aksesin e pacientëve, por kujton se kostoja e lartë e prodhimit në SHBA mbetet sfidë.

Sipas drejtuesve të firmës, miliarda njerëz në mbarë botën mund të përfitojnë nga trajtimi i obezitetit dhe tableta konsiderohet një hap historik drejt një trajtimi më të thjeshtë, më të përditshëm dhe më pak invaziv.

Artikujt më të klikuar