Trend i ri në Kinë: Të rriturit përdorin çuçat antistres

Në një botë ku jeta është gjithnjë e më e vrullshme dhe gjumi shpesh duket luks, shumë të rinj në Kinë po i drejtohen një objekti të papritur për qetësi: çuçave për të rritur. Dikur të lidhur vetëm me foshnjat, këto çuça prej silikoni po shiten si mjete kundër ankthit, ndihmë për të fjetur dhe madje si mënyrë për të lënë duhanin.

Në platformat kryesore të tregtisë online si Taobao dhe JD.com, çmimet variojnë nga 10 juan (rreth 1,40 dollarë) deri në 500 juan (rreth 70 dollarë). Disa dyqane raportojnë shitje me mijëra njësi në muaj, sipas South China Morning Post.

Pse të rriturit po kthehen tek çuçat?

Përdoruesit thonë se çuçi u jep menjëherë ndjesi rehatie, i qetëson gjatë orëve të punës, lehtëson pagjumësinë apo ul dëshirën për cigare. Një përdorues shkruan: “Më bën të ndihem i qetë. Më jep ngushëllim psikologjik dhe më heq padurimin.”

Psikologët e lidhin këtë prirje me fenomenin e “regresit”, kur njerëzit nën stres ekstrem rikthehen tek sjellje ose objekte fëmijërie që u kanë dhënë ndjesi sigurie.

Rreziqet për shëndetin

Mjekët paralajmërojnë se ky trend nuk është i padëmshëm. Dr. Tang Caomin, dentist nga Sichuani, shpjegon se çuçat nuk janë të përshtatur për strukturën e nofullës së të rriturve dhe përdorimi i gjatë mund të shkaktojë deformime në dhëmbë, probleme në nofulla apo vështirësi në frymëmarrje gjatë gjumit. “Në rastin më të keq,” paralajmëron ai, “mund të ketë rrezik mbytjeje.”

Nga Kina në rrjetet sociale

Moda tashmë ka kaluar kufijtë. Në TikTok dhe Instagram shfaqen video të amerikanëve që përdorin biberonë për t’u qetësuar gjatë trafikut, mbledhjeve stresuese apo lodhjes nga puna. Disa e shohin si të çuditshme, të tjerë e krahasojnë me topat antistres, fidget spinners apo batanijet e rënda, thjesht një tjetër mekanizëm i kulturës moderne të stresit.

Shpërndaje

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here