Zgjedhjet Parlamentare 2025 live: Shqipëria voton

19:00 – Pjesëmarrja shkon rreth 42%, ndërkohë që qendrat përgatiten për mbyllje

17:45 – Pjesëmarrja në zgjedhje arrin 38.78%

17:28 – Procedohet penalisht Flamur Noka pas incidentit në Vorë
Policia ka nisur procedimin penal në gjendje të lirë ndaj Flamur Nokës, Sekretarit të Përgjithshëm të Partisë Demokratike, për kanosje ndaj votuesve në Vorë. Materialet procedurale janë referuar SPAK për hetime të mëtejshme.

16:45 – Pjesëmarrja në zgjedhje arrin 35.85%

15:45 – Pjesëmarrja në zgjedhje arrin 33.1%
Sipas KQZ-së, deri në orën 15:00 kanë votuar 33.1% e qytetarëve me të drejtë vote. Qarqet me pjesëmarrjen më të lartë janë Tirana, Dibra dhe Kukësi, ndërsa pjesëmarrja më e ulët regjistrohet në Vlorë dhe Shkodër.

14:51 – Voton kryebashkiaku i Tiranës në paraburgimin e Durrësit
Erion Veliaj, kryetari i Bashkisë së Tiranës, votoi sot në ambientet e paraburgimit të Durrësit, duke respektuar rregullat dhe procedurat e votimit për personat në paraburgim.

14:45 – Pjesëmarrja në votime arrin 29.96%

Situata zgjedhore është problematike në disa qendra votimi në vend, ndërkohë numri i të arrestuarve që kanë bërë foto të fletës së votimit ka arritur në 3.

Ja numri i votuesve deri tani në çdo qark:

  • Berat: 27,338 votues
  • Dibër: 21,535 votues
  • Durrës: 79,892 votues
  • Elbasan: 54,989 votues
  • Fier: 66,934 votues
  • Gjirokastër: 17,853 votues
  • Korçë: 58,689 votues
  • Kukës: 12,952 votues
  • Lezhë: 23,274 votues
  • Shkodër: 42,423 votues
  • Tiranë: 196,788 votues
  • Vlorë: 36,030 votues

Totali: 638,697 votues në të gjithë vendin.

14:17 – Kreu i KQZ-së voton dhe apelon për respektim të ligjit
Ilirjan Celibashi, kreu i KQZ-së, votoi dhe deklaroi se kushdo që shkel ligjin gjatë procesit zgjedhor do të mbahet përgjegjës. Ai theksoi rëndësinë e përgjegjësisë qytetare dhe respektimit të rregullave gjatë votimeve.

13:45 – Pjesëmarrja në votime arrin 27.05%

Qarku i Tiranës ka regjistruar pjesëmarrjen më të lartë në zgjedhje, me një përqindje prej 25.13% të zgjedhësve që kanë votuar deri në mesditë. Në Tiranë, 136,564 zgjedhës kanë votuar deri në këtë orë. Ndërkohë, Qarku i Vlorës ka shënuar pjesëmarrjen më të ulët, me vetëm 16.29%, ku 27,563 zgjedhës kanë votuar, ku shkak duket se është bërë Giro d’Italia.

13:36 – Incident në Vorë, Celibashi apelon për qetësi
Kreu i KQZ-së, Ilirjan Celibashi, reagoi pas një konflikti verbal mes dy kandidatëve të PD, Albana Vokshi dhe Flamur Noka, dhe qytetarëve në Vorë. Ai kërkoi që përfaqësuesit politikë të shmangin tensionet dhe të ndjekin kanalet institucionale për çdo problematikë, duke qëndruar larg qendrave të votimit.

12:45 – Pjesëmarrja në votime arrin 22.62%

Vazhdon të jetë i ulët numri i pjesëmarrësve në votime, rreth 5% më pak se në zgjedhjet e kaluara parlamentare në 2021.

12:30 – Zgjedhjet Parlamentare në Shqipëri 2025: Vështrim nga Mediat Ndërkombëtare

Zgjedhjet e 11 majit në Shqipëri kanë tërhequr vëmendjen e gjerë të mediave ndërkombëtare, të cilat kanë analizuar garën politike, sfidat për integrimin në BE dhe ndikimin e korrupsionit në procesin zgjedhor.

1. Reuters: Rama kërkon mandatin e katërt mes sfidave të korrupsionit dhe integrimit në BE

Reuters raporton se kryeministri Edi Rama synon një mandat të katërt, duke u mbështetur në rritjen ekonomike dhe përparimin drejt integrimit në BE. Megjithatë, skandalet e korrupsionit, përfshirë arrestimin e kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, kanë ngritur pikëpyetje mbi qeverisjen e tij. Rama premton anëtarësimin në BE deri në vitin 2030, por ekspertët janë skeptikë për realizimin e këtij afati.

2. Associated Press: Zgjedhje të tensionuara me pjesëmarrjen e diasporës dhe ndikimin e konsulentëve amerikanë

AP thekson se për herë të parë, shqiptarët jashtë vendit mund të votojnë me postë, duke shtuar kompleksitetin e zgjedhjeve. Fushata është karakterizuar nga retorika e ashpër mes Ramës dhe rivalit të tij, Sali Berisha, i cili ka angazhuar strategë amerikanë të lidhur me fushatën e Donald Trump. Të dy liderët përballen me akuza për korrupsion, duke ngritur shqetësime për standardet demokratike në vend.

3. The Wall Street Journal: Strategët e Trump përfshihen në fushatën e Berishës

WSJ raporton se Chris LaCivita, një nga arkitektët e fushatës së Trump, po udhëheq strategjinë e Berishës në Shqipëri, duke përdorur slogane si “Make Albania Great Again”. Pavarësisht sanksioneve amerikane ndaj Berishës për korrupsion, ai shpreson të përfitojë nga mbështetja e këtyre strategëve për të përmirësuar imazhin e tij ndërkombëtar.

4. Al Jazeera: Elektorati i lodhur përballet me zgjedhje të dominuara nga korrupsioni dhe shpresa për BE

Al Jazeera vëren se elektorati shqiptar është i lodhur nga premtimet e pambajtura dhe korrupsioni i përhapur. Megjithatë, shpresa për anëtarësimin në BE mbetet një motivim i fortë për votuesit, pavarësisht skepticizmit për realizimin e këtij objektivi.

5. OSBE/ODIHR: Monitorim i gjerë ndërkombëtar për të siguruar zgjedhje të ndershme

Misioni i OSBE/ODIHR ka vendosur mbi 300 vëzhgues ndërkombëtarë për të monitoruar zgjedhjet, duke përfshirë edhe procesin e votimit nga diaspora. Vëzhguesit do të publikojnë gjetjet e tyre paraprake më 12 maj, duke vlerësuar nëse zgjedhjet përmbushin standardet ndërkombëtare.

6. Atlantic Council: Polarizimi politik dhe ndikimi i partive të reja

Atlantic Council analizon se zgjedhjet zhvillohen në një klimë të polarizuar, me Ramën që kërkon mandatin e katërt dhe Berishën që përpiqet të rikthehet në pushtet. Partitë e reja mund të luajnë një rol vendimtar në formimin e qeverisë së ardhshme, duke reflektuar dëshirën e votuesve për ndryshim.

11:48 – OSBE monitoron zgjedhjet në Shqipëri
Kreu i Misionit të OSBE, Lamberto Zanier, deklaroi se 240 vëzhgues të ODIHR dhe 135 të tjerë nga BE dhe PE po ndjekin procesin zgjedhor. Konkluzionet e tyre do të prezantohen nesër në një konferencë për shtyp në orën 15:00.

11:45 – Pjesëmarrja në votime arrin 17.34%

11:20 – Voton Agron Shehaj: “Sot dëgjohet zëri i qytetarëve”
Kreu i Partisë Mundësia, Agron Shehaj, votoi në orën 11:20 në qendrën e votimit te shkolla “Dëshmorët e Lirisë”, i shoqëruar nga bashkëshortja e tij. Në mesazhin për mediat, ai u bëri thirrje qytetarëve të marrin pjesë në votime për të sjellë ndryshimin dhe për të vendosur për të ardhmen e vendit.

10:50 – Votojnë Gianni De Biasi dhe eurodeputeti Fredi Beleri
Ish-trajneri i Kombëtares shqiptare, Gianni De Biasi, votoi sot në Tiranë, ndërsa eurodeputeti Fredi Beleri votoi në Himarë. Të dy iu bashkuan qytetarëve në zgjedhjet parlamentare të 11 majit.

10:45 – KQZ publikon shifrat e para për pjesëmarrjen

10:38 – Kryeministri Edi Rama voton së bashku me bashkëshorten
Kryeministri Edi Rama votoi në orën 10:38 së bashku me bashkëshorten e tij. Në një koment të shkurtër për mediat, ai tha: “Të shohim se çfarë do të thotë populli”.

10:18 – Voton Sali Berisha së bashku me familjen
Në këto momente, kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, po voton i shoqëruar nga bashkëshortja, djali, nusja e tij dhe fëmijët e Shkëlzen Berishës. Familja Berisha u paraqit së bashku në qendrën e votimit për të ushtruar të drejtën e tyre qytetare në këto zgjedhje parlamentare. Berisha i ka bërë thirrje qytetarëve të votojnë masivisht.

09:59 – Ambasadori i BE-së monitoron votimet në Tiranë
Ambasadori i Bashkimit Evropian në Shqipëri ka ndjekur procesin e votimit në një qendër votimi në Tiranë, duke theksuar rëndësinë që këto zgjedhje kanë për integrimin europian të vendit. Ai ka ftuar qytetarët të marrin pjesë masivisht në zgjedhje, duke nënvizuar se vota e tyre është vendimtare për rrugëtimin e Shqipërisë drejt BE-së.

9:56 – Voton Kreu i SPAK
Kreu i SPAK votoi sot në Tiranë, duke deklaruar se do të komunikojë pas përfundimit të zgjedhjeve. Ai refuzoi të komentonte më tej mbi hetimet zgjedhore.

9:51 – PD denoncon bojën e gishtit
PD raportoi probleme me bojën që përdoret për timbrosjen e gishtit, duke deklaruar se ajo fshihet lehtë. Partia kërkoi nga KQZ të marrë masa urgjente për këtë çështje.

9:33 – Votimi nga Diaspora
Për herë të parë votojnë edhe shqiptarët jashtë vendit, me 181,609 zarfe votimi të mbërritura në KQZ deri tani. Zarfe të ardhura pas orës 19:00 do të konsiderohen të pavlefshme.

9:31 – Voton deputetja Kryemadhi
Deputetja Monika Kryemadhi votoi në Tiranë, e shoqëruar nga djali dhe e ëma. Besart Meta e cilësoi këtë ditë si mundësi për të bërë histori.

9:27 – Thirrja e kreut të PD
Kreu i PD, Sali Berisha, u ka drejtuar një mesazh mbështetësve të tij në rrjetet sociale për të marrë pjesë masivisht në votime. Ai kërkoi angazhim maksimal për këto zgjedhje.

9:12 – Pjesëmarrja në orën 08:00
Deri në orën 08:00, pjesëmarrja në votime në shkallë vendi ka qenë 1.93%. Në total, më shumë se 3.7 milionë qytetarë kanë të drejtë vote.

9:05 – Kryetari i koalicionit voton në Tiranë
Kreu i koalicionit “Nisma Shqipëria Bëhet”, Adriatik Lapaj, ka votuar sot në kryeqytet. Ai votoi në Shkollën e Mesme Ekonomike.

9:03 – Voton ish-deputeti nga burgu
Ish-deputeti i PD-së, Ervin Salianji, votoi nga ambientet e burgut në Fier. Ai bëri thirrje për pjesëmarrje masive në votime, duke e cilësuar si mjet për ndryshimin e vendit.

8:58 – Lideri i Koalicionit Euroatlantik voton
Drejtuesi i Koalicionit Euroatlantik, Lulzim Basha, votoi bashkë me vajzën e tij në Tiranë. Ai bëri thirrje për të rinjtë që të shfrytëzojnë të drejtën e votës për të ndërtuar të ardhmen.

8:50 – Probleme me votime familjare në Bradashesh
Në Bradashesh (Elbasan) janë raportuar raste të votimit familjar dhe probleme me garantimin e fshehtësisë së votës. Komisionerët thanë se kjo është lejuar në disa raste për arsye shëndetësore.

08:49 – Probleme në Finiq
Në dy fshatra të Bashkisë Finiq, procesi zgjedhor nuk ka nisur pasi nuk janë tërhequr materialet zgjedhore. Autoritetet po hetojnë dhe kanë marrë në dorëzim situatën.

08:46 – Arrestime në Rrëshen
Dy persona janë arrestuar në Rrëshen pasi bllokuan një automjet me pretendimin për blerje votash. Policia po heton ngjarjen për pengim të qarkullimit dhe konflikt zgjedhor.

08:42 – Tiranë, mungon ndihma për votuesin
Në një qendër votimi në Tiranë u krijuan radhë dhe një qytetari me probleme shikimi nuk iu ofrua ndihmë për të votuar. Komisioni deklaroi se kjo nuk ishte kompetenca e tij.

08:42 – Paralajmërim i KQZ-së për kandidatët
Kreu i KQZ, Ilirjan Celibashi, ka paralajmëruar kandidatët që tentuan të hynin në qendrat e votimit se kjo veprimtari ndalohet nga Kodi Zgjedhor. Kandidatëve u kërkohet të respektojnë ligjin dhe të kontribuojnë në integritetin zgjedhor.

08:37 – Oraret e votimit për liderët politikë
Liderët politikë kryesorë do të votojnë gjatë orëve të paradites në qendra të ndryshme në Tiranë. Kryeministri dhe disa përfaqësues të partive kanë bërë thirrje për pjesëmarrje masive në zgjedhje.

08:20 – Mesazh nga Kryeministri Edi Rama
Kryeministri ka bërë apel qytetarëve që të votojnë masivisht, duke e quajtur ditën e zgjedhjeve “Dita e Shqipërisë”. Ai ka theksuar rëndësinë e pjesëmarrjes për të ardhmen e vendit.

08:20 – Voton kryeparlamentarja Elisa Spiropali
Kryetarja e Kuvendit ka votuar e para mes liderëve politikë, duke apeluar për pjesëmarrje të lartë dhe qytetari evropiane. Ajo e quajti ditën e zgjedhjeve si ditë të rëndësishme demokratike.

08:14 – Shkodër, vonesa në zonat malore
Në zonat malore të Shkodrës votimi ende nuk ka nisur për shkak të mungesës së komisionerëve dhe problemeve me energjinë elektrike. Situata pritet të normalizohet brenda ditës.

08:12 – Probleme teknike në Elbasan
Në Elbasan janë raportuar probleme teknike dhe organizative, veçanërisht në qendrat e votimit në burgje. Mungesat e komisionerëve kanë krijuar vonesa në disa qendra.

07:59 – Monitorim nga OSBE-ODIHR në Berat
Vëzhguesit e OSBE-ODIHR kanë monitoruar procesin zgjedhor në Berat pa raportuar probleme të veçanta. Ata janë larguar pas inspektimit të disa qendrave votimi.

07:48 – Korçë, votimi nis normalisht
Në Korçë procesi zgjedhor po zhvillohet pa probleme të mëdha, ndërsa për herë të parë po votojnë edhe të burgosurat në burgun e grave në Pojskë. Të gjitha qendrat janë funksionale.

07:44 – Vlorë, incident i pazakontë
Në një qendër votimi në Vlorë, procesi nuk nisi në kohë për shkak të mungesës së kryetarit të komisionit, i cili kishte humbur një familjare. Komisionerët e tjerë gjithashtu mungonin.

07:28 – Probleme teknike në Lezhë
Në një qendër votimi në Lezhë procesi u vonua për shkak të mosfunksionimit të një pajisjeje teknologjike për identifikim. Komisionerët po punojnë për zgjidhjen e situatës.

07:19 – Fier, vonesë në nisje
Në një qendër votimi në Fier, votimi nuk kishte nisur ende për shkak të mungesës së kolaudimit të pajisjes së identifikimit. Autoritetet janë njoftuar dhe pritet nisja së shpejti.

07:00 Fillon votimi në mbarë vendin 

Zgjedhjet parlamentare në Shqipëri nisën sot në orën 07:00 dhe do të zgjasin deri në 19:00. Në garë janë 11 subjekte politike me 2046 kandidatë për 140 vende në Kuvend.

Procesi ka nisur me disa incidente dhe vonesa:

  • Në një qendër votimi në Lushnjë, u raportua se kamerat e sigurisë nuk ishin fikur.
  • Në Durrës, vonesat u shkaktuan nga mungesa e anëtarëve të komisioneve të PD.
  • Në Parkun Olimpik në Tiranë, procesi u vonua pasi kapakët e kutive të votimit ishin vendosur gabimisht.
  • Në Kukës (Arrën dhe Topojan), pati ngatërresa me materialet zgjedhore dhe listat e votuesve.

Subjektet politike pjesëmarrëse janë:

  1. Koalicioni PD – Aleanca për Shqipërinë Madhështore
  2. Partia Lëvizja Bashkë
  3. Lëvizja Atdheu
  4. Koalicioni Euroatlantik
  5. Partia Socialiste
  6. Koalicioni Nisma Shqipëria Bëhet
  7. Aleanca Kombëtare Shqiptare
  8. Aleanca Demokracia e Re
  9. Koalicioni Djathtas për Zhvillim
  10. Partia Mundësia
  11. Partia Social Demokrate
Shpërndaje

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here