Çfarë është tiroidja dhe pse është e rëndësishme?
Tiroidja është një gjëndër e vogël me formë fluture, e vendosur në pjesën e përparme të qafës, para trakesë. Ajo prodhon hormone që kontrollojnë metabolizmin, procesin se si trupi e shndërron ushqimin në energji. Gjithashtu, hormonet e tiroides ndikojnë në ritmin e zemrës, temperaturën e trupit, zhvillimin e trurit, aktivitetin mendor, fertilitetin dhe më shumë. Kur tiroidja nuk funksionon siç duhet, preket i gjithë organizmi.
Çrregullimet më të zakonshme të tiroides
- Hipotiroidizmi – Kur tiroidja prodhon pak hormone. Shkaktohet shpesh nga sëmundja autoimune Hashimoto, mungesa e jodit ose trajtime me kirurgji/radioterapi. Simptomat përfshijnë lodhje, shtim në peshë, ndjesi ftohti dhe lëkurë të thatë.
- Hipertiroidizmi – Kur tiroidja prodhon shumë hormone. Shkaku më i zakonshëm është sëmundja Graves. Simptomat përfshijnë humbje peshe, rrahje të shpejta zemre, nervozizëm dhe pagjumësi.
- Gojëza – Zgjerim i tiroides, shpesh për shkak të mungesës së jodit ose çrregullimeve autoimune. Mund të shkaktojë ënjtje në qafë dhe vështirësi në gëlltitje.
- Kanceri i tiroides – Zakonisht i trajtueshëm, por kërkon diagnostikim të hershëm. Shfaqet si një masë e fortë në qafë dhe mund të shoqërohet me ndryshim të zërit.
6 ushqimet që ndikojnë negativisht te tiroidja
1. Soja dhe produktet e bazuar në sojë
Soja përmban izoflavone, përbërës që mund të pengojnë aftësinë e trupit për të përthithur jod dhe medikamente për tiroiden. Konsumi i tepërt i sojës mund të përkeqësojë problemet ekzistuese.
2. Perimet krucifere të papërpunuara
Perime si brokoli apo lakra përmbajnë goitrogjenë, substanca që reduktojnë përthithjen e jodit. Nëse konsumohen të papërpunuara dhe në sasi të mëdha, mund të ndikojnë negativisht në tiroiden.
3. Gluteni
Personat me sëmundje autoimunitare, si Hashimoto, duhet të shmangin glutenin, pasi ai mund të shkaktojë inflamacion dhe të përkeqësojë gjendjen e sistemit imunitar.
4. Sheqeri i rafinuar
Sheqeri i rafinuar rrit inflamacionin, rezistencën ndaj insulinës dhe mund të përkeqësojë simptomat e hipotiroidizmit si shtimi në peshë, luhatjet e humorit dhe lodhja mendore.
5. Ushqimet e përpunuara dhe me shumë kripë
Hipotiroidizmi rrit rrezikun për hipertension. Konsumi i ushqimeve të përpunuara, të pasura me natrium, e shton edhe më shumë këtë rrezik.
6. Kafeja pas marrjes së medikamentit
Kafeja e konsumuar menjëherë pas marrjes së medikamenteve për tiroiden ul përthithjen e tyre deri në 60%, duke ngadalësuar efektin e trajtimit. Rekomandohet të pritet disa orë pas marrjes së ilaçeve.
Çfarë duhet të konsumoni për një tiroide të shëndetshme?
Peshq të pasur me Omega-3 (si salmoni dhe sardelja), vezë, arra dhe fara, alga deti, si dhe fruta të pasura me antioksidantë (boronica, mollë, kivi).
Shënim: Ky është një artikull informues. Për më tepër informacion drejtojuni mjekëve specialistë.











