78-vjetori i Paulo Coelho: Shkrimtari i “Alkimistit” që preku miliona zemra

Gëzuar ditëlindjen, Paulo Coelho! Shkrimtari brazilian mbush 78 vjeç, një jetë e tërë e kushtuar letërsisë, udhëtimeve shpirtërore dhe mesazheve universale që kanë frymëzuar lexues në mbarë botën.

Alkimisti” – romani që pushtoi botën

Në vitin 1988, Coelho botoi në portugalisht veprën e tij më të famshme, O Alquimista (“Alkimisti”). Pesë vite më vonë, kur u përkthye në anglisht, romani i vogël me vetëm disa qindra faqe pushtoi botën. Historia e bariut të ri andaluzian, Santiagos, nuk ishte thjesht një tregim aventuresk, por një udhëtim drejt vetë-zbulimit, ëndrrave dhe fatit personal.
Me gjuhë të thjeshtë, por mesazhe të thella, Alkimisti u kthye në një klasik modern, i përkthyer në dhjetëra gjuhë dhe i adaptuar në forma të ndryshme, nga komeditë dhe teatrot, deri tek këngët dhe projektet kinematografike. Këtu do të gjeni dhjetë fraza shkëputur nga libri, që do t’ju ndihmojnë për të kujtuar qëllimin tuaj në jetë.

Rruga e një shkrimtari të pazakontë

Para Alkimistit, Coelho botoi Udhëtimi i Magut (1987), një rrëfim i përjetimit të tij personal në Camino de Santiago, pelegrinazhi i famshëm që të çon në Santiago de Compostela në Spanjë. Ky libër hodhi bazat e temave që do të përshkonin gjithë krijimtarinë e tij: vetë-zbulimi, kërkimi shpirtëror dhe udhëtimet filozofike.

Por jeta e Coelhos nuk ishte aspak e lehtë. I lindur në Rio de Janeiro në vitin 1947, ai përjetoi vështirësi që në rini. Në moshën 17-vjeçare, prindërit e dërguan në një institucion psikiatrik, ku ai tentoi të arratisej tri herë përpara se të lirohej. Më pas, për të kënaqur familjen, u regjistrua në fakultetin e drejtësisë, por braktisi shpejt studimet për të përqafuar një jetë bohemiane, duke udhëtuar në Amerikë, Afrikën e Veriut dhe Europë gjatë viteve ’60.

Në Brazil, ai punoi si autor këngësh. Tekstet e tij, të mbushura me tone subversive dhe politike, i sollën telashe me diktaturën ushtarake. Në vitin 1974, u arrestua, u pyet gjatë dhe sipas rrëfimeve të tij, u torturua nga autoritetet përpara se të lirohej.

Nga hapat e parë tek fama botërore

Në vitet ’80, Coelho ndjeu se duhej të ndiqte ëndrrën e tij të vërtetë: letërsinë. Pelegrinazhi i tij në Camino de Santiago i dha frymëzimin për Udhëtimi i Magut, dhe menjëherë pas tij erdhi Alkimisti. Suksesi i jashtëzakonshëm i këtij romani e vendosi përfundimisht në radhët e shkrimtarëve më të dashur në botë.

Gjatë viteve ’90, ai botoi dhjetë libra të rinj, duke mbajtur ritëm edhe në dekadën pasuese. Nga 2000 deri në 2010, Coelho publikoi 13 vepra të tjera, përfshirë tri brenda një viti të vetëm (2004). Megjithatë, krijimtaria e tij nuk u mat kurrë vetëm me sasinë, por me ndikimin tek lexuesit.

Trashëgimia letrare

Paulo Coelho nuk ka botuar që prej vitit 2020, por kjo nuk e zbeh aspak trashëgiminë e tij. Veprat e tij, të mbushura me reflektime mbi jetën, dashurinë, fatin dhe shpirtin njerëzor, mbeten burim frymëzimi për miliona lexues. Në moshën 78-vjeçare, ai tashmë ka siguruar vendin e tij të përhershëm në historinë e letërsisë.

Dhe pavarësisht nëse do të shohim një roman të ri prej tij apo jo, një gjë mbetet e qartë: bota i ka borxh Paulo Coelhos falë librave që kanë prekur kaq shumë jetë. Këtu do të gjeni 25 pikat më të rëndësishme të jetës, sipas Paulo Coelhos.

Shpërndaje

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here