Viti 2025 është ndër më historikët për udhëheqjen femërore. Namibia, Japonia dhe Irlanda zgjodhën lidere gra për herë të parë, ndërsa gratë tashmë drejtojnë qeveri në vende nga Meksika te Danimarka. Përfaqësimi i tyre në parlamente dhe kompanitë më të mëdha po rritet. Megjithatë, një paradoks i qartë qëndron përpara nesh: ndërsa numri i grave në pushtet rritet, besimi global ndaj tyre po ngec.
Sipas Indeksit të Reykjavikut, vetëm 45% e qytetarëve në vendet e G7 do të ishin “shumë të lumtur” me një grua në krye të qeverisë, dhe më pak se gjysma ndihen rehat me një grua CEO. Edhe vendet që kanë më shumë gra në pozita udhëheqëse, si SHBA, Gjermania dhe Britania, kanë shënuar ulje të besimit. Pse po ndodh kjo?
Ekspertët thonë se pasiguritë globale si pandemia, luftërat, krizat ekonomike dhe frika nga inteligjenca artificiale, të cilat po rikthejnë preferencën njerëzore për “familjaritetin”. Për shekuj, udhëheqja ka qenë e lidhur me figurën mashkullore dhe në kohë krizash njerëzit i kthehen instinkteve të vjetra. Studime të shumta tregojnë gjithashtu se stereotipet e rrënjosur thellë ndikojnë ende në mënyrën si perceptohet kompetenca e grave.
Fenomeni “kodra e qelqtë” e përforcon këtë: gratë shpesh emërohen në pozita të vështira gjatë krizave, kur dështimi është pothuajse i garantuar. Për rrjedhojë, çdo pengesë interpretohet si provë se “një burrë do të bënte më mirë”. Një tjetër faktor është ndikimi i retorikës politike përjashtuese dhe i paragjykimeve që amplifikohen nga modelet e inteligjencës artificiale.
Megjithëse sfidat janë reale, zgjidhja që propozojnë ekspertët është e qartë: normalizimi. Sa më shpesh shohim gra në pushtet, aq më shumë zhduken paragjykimet. Aleatët që mbështesin lidershipin femëror, ekspozimi i vazhdueshëm dhe promovimi i modeleve pozitive mund të ndryshojnë perceptimet me kalimin e kohës. Rruga është e gjatë, por çdo grua që arrin në krye dhe tërheq të tjera pas vetes e afron shoqërinë drejt një të ardhmeje ku lidershipi nuk gjykohet nga gjinia, por nga aftësia.











