back to top
Wednesday, February 11, 2026
15.5 C
Tirana

Top 5 E JAVËS

Artikuj të ngjashëm

AmCham ngre alarmin: besueshmëria dhe siguria digjitale tashmë çështje ekonomike dhe kombëtare

Digjitalizimi i shërbimeve publike në Shqipëri është prezantuar prej vitesh si një histori suksesi. Platforma e-Albania ka reduktuar radhët fizike, ka thjeshtuar procedurat dhe ka krijuar një ndërfaqe më të shpejtë mes qytetarëve, bizneseve dhe administratës. Por ndërsa shteti po bëhet gjithnjë e më shumë “online”, rritet edhe rreziku: kur sistemi ndalon, ndalon i gjithë aktiviteti ekonomik.

Këtë shqetësim e ka artikuluar publikisht Dhoma Amerikane e Tregtisë në Shqipëri (AmCham), e cila në një deklaratë zyrtare ka kërkuar masa të menjëhershme për të garantuar sigurinë, qëndrueshmërinë dhe besueshmërinë e sistemeve qeveritare të e-Government.

Sipas AmCham, ndërprerjet e përsëritura, performanca e paqëndrueshme dhe vështirësitë në aksesin e disa shërbimeve të e-Albania-s po krijojnë pasoja direkte për bizneset. Për kompanitë që varen nga sistemet digjitale për deklarime, leje, dokumente apo procese rregullatore, çdo bllokim teknik përkthehet në humbje kohe, kosto shtesë dhe rrezik operacional.

Mesazhi i Dhomës është i qartë: digjitalizimi pa auditim, pa standarde sigurie dhe pa mirëmbajtje të vazhdueshme nuk është modernizim i plotë, por një dobësi e re strukturore.

Në thelb, AmCham e zhvendos debatin nga “lehtësia e përdorimit” tek “qëndrueshmëria e sistemit”. Kur platformat shtetërore administrojnë të dhëna sensitive, nga informacioni personal i qytetarëve te të dhënat financiare dhe operacionale të bizneseve, çdo dështim teknik apo boshllëk sigurie mund të ketë pasoja shumë më të mëdha sesa thjesht një shërbim i vonuar.

Një pjesë e rëndësishme e shqetësimit lidhet edhe me mënyrën se si prokurohen dhe menaxhohen sistemet TIK. Sipas AmCham, mungesa e konkurrencës së ndershme dhe standardeve të qarta teknike rrit rrezikun për përdorim joefektiv të fondeve publike dhe dobëson sigurinë e infrastrukturës digjitale.

Në ekonomitë e zhvilluara, veçanërisht në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, kompanitë që punojnë me sisteme qeveritare sensitive i nënshtrohen verifikimeve strikte, certifikimeve të sigurisë dhe kontrolleve të forta financiare. Kjo bëhet për të garantuar transparencë, eficiencë dhe mbrojtje të të dhënave të taksapaguesve.

Në Shqipëri, sipas Dhomës, ky nivel rigoroziteti duhet të forcohet.

Përtej aspektit teknik, deklarata ka edhe një dimension më të gjerë: besimin. Kur bizneset nuk mund të mbështeten te funksionimi i pandërprerë i sistemeve shtetërore, dëmtohet klima e investimeve dhe parashikueshmëria e tregut. Në një kohë kur vendi synon të tërheqë më shumë kapital dhe të afrohet me standardet europiane, stabiliteti digjital bëhet pjesë e drejtpërdrejtë e sigurisë ekonomike dhe kombëtare.

AmCham shpreh gatishmërinë për të bashkëpunuar me institucionet për të ndarë ekspertizë dhe praktika ndërkombëtare, duke theksuar se zgjidhja nuk është vetëm teknologjike, por edhe institucionale: auditime të pavarura, standarde të detyrueshme, transparencë në prokurime dhe komunikim i qartë me bizneset për çdo incident.

Në fund, mesazhi është i thjeshtë: nëse shteti është online, duhet të jetë edhe i sigurt, i qëndrueshëm dhe i besueshëm. Përndryshe, rreziku digjital kthehet në rrezik ekonomik.

Deklarata origjinale e plotë e AmCham si më poshtë:

Dhoma Amerikane e Tregtisë (AmCham) vlerëson përpjekjet dhe investimet publike të Qeverisë së Shqipërisë në digjitalizimin e shërbimeve publike, përfshirë zhvillimin e platformës e-Albania, si një hap të rëndësishëm drejt modernizimit të administratës dhe përmirësimit të shërbimeve për qytetarët dhe bizneset. Megjithatë, duke qenë se sistemet digjitale qeveritare administrojnë të dhëna shumë sensitive, mungesa e auditimit, sigurisë dhe përditësimit të vazhdueshëm në përputhje me standardet ndërkombëtare përbën rreziqe serioze për stabilitetin ekonomik, vazhdimësinë e bizneseve dhe sigurinë kombëtare.

AmCham shpreh shqetësim të veçantë në lidhje me reagimet e vazhdueshme të marra nga anëtarët e saj pas zhvillimeve të fundit që lidhen me AKSHI-n. Sipas raportimeve të anëtarëve, disa shërbime të platformës e-Albania aktualisht funksionojnë në mënyrë të paqëndrueshme dhe nuk përmbushin nevojat operacionale të bizneseve dhe qytetarëve. Këto shqetësime përfshijnë ndërprerje të shërbimeve, vonesa, akses të kufizuar gjatë orareve të ngarkuara dhe performancë të paparashikueshme të sistemit, të cilat ndikojnë drejtpërdrejt në ndërprerjen e aktivitetit normal të bizneseve.

Ndërprerje të tilla kanë një ndikim të prekshëm dhe të menjëhershëm negativ në aftësinë e kompanive për të përmbushur detyrimet rregullatore, për t’u shërbyer klientëve dhe për të zhvilluar operacionet e përditshme. Ky shqetësim është veçanërisht i rëndësishëm për AmCham, pasi Dhoma përfaqëson një numër të konsiderueshëm kompanish anëtare që operojnë në ekosistemin e Teknologjisë së Informacionit dhe Komunikimit (TIK) dhe sektorë të lidhur me të. Shumë prej këtyre kompanive janë të certifikuara ndërkombëtarisht, zbatojnë standarde të larta sigurie dhe rregullatore, dhe disa prej tyre janë të verifikuara plotësisht dhe të autorizuara për të ofruar shërbime për Qeverinë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Megjithatë, pavarësisht kësaj eksperience të fortë vendase dhe ndërkombëtare, anëtarët e AmCham raportojnë shqetësime të vazhdueshme lidhur edhe me proceset e prokurimit publik në sektorin TIK. Këto shqetësime cenojnë konkurrencën e ndershme dhe përdorimin efektiv të fondeve publike, duke rritur njëkohësisht rreziqet që lidhen me menaxhimin dhe mbrojtjen e të dhënave tepër sensitive.

Këto të dhëna përfshijnë informacion që lidhet me institucionet publike, bizneset, të dhënat personale dhe pasurore të qytetarëve, si dhe informacione të tjera me rëndësi kritike për funksionimin e shtetit dhe ekonomisë.

Në krahasim, në Shtetet e Bashkuara dhe në ekonomitë e tjera të avancuara, kompanitë e përfshira në sistemet TIK qeveritare dhe sistemet sensitive i nënshtrohen proceseve strikte të verifikimit, kërkesave për autorizim sigurie dhe kontrolleve financiare, përfshirë edhe kufizime mbi marzhet e fitimit, me qëllim garantimin e transparencës, eficiencës dhe mbrojtjes së fondeve të taksapaguesve.

Për këtë arsye, AmCham i bën thirrje Qeverisë të ndërmarrë masa korrigjuese të menjëhershme për të garantuar funksionimin e pandërprerë, të qëndrueshëm dhe të besueshëm të të gjitha shërbimeve të e-Albania-s, me fokus të veçantë te shërbimet kritike për aktivitetin e biznesit dhe prokurimet.

Në zgjidhjet afatshkurtra, AmCham propozon ndërmarrjen e veprimeve të menjëhershme si më poshtë:

  • AmCham propozon krijimin e një kuadri ligjor të detyrueshëm për auditime periodike dhe të pavarura të IT-së dhe sigurisë kibernetike për të gjitha platformat kritike të e-Government, të kryera në përputhje me standarde ndërkombëtare dhe praktikat më të mira të BE-së, përfshirë ISO/IEC 27001, ISO/IEC 22301, NIST, SOC 2 dhe udhëzimet e ENISA, me përmbledhje ekzekutive të disponueshme për palët e interesuara.
  • Autorizim sigurie, verifikim dhe kontroll aksesi: AmCham sugjeron forcimin e efektivitetit dhe nivelit të maturimit të mekanizmave ekzistues për autorizim sigurie, verifikim dhe kontroll aksesi në sistemet TIK qeveritare, në përputhje me rregulloret në fuqi për sigurinë e informacionit, menaxhimin e databazave shtetërore, prokurimin e informacionit të klasifikuar dhe ligjin e prokurimit publik. Duke njohur praktikat e zbatuara prej AKSHI-t, rekomandohet vlerësimi dhe përmirësimi i këtyre mekanizmave, përfshirë kontrollin e aksesit të bazuar në role, në linjë me Direktivën NIS2 të BE-së dhe praktikat më të mira të shteteve anëtare.
  • Standarde për disponueshmëri dhe vazhdimësi: Përcaktimi dhe zbatimi i kërkesave minimale për nivelin e shërbimit (SLA) lidhur me funksionimin, kohën e rikuperimit dhe performancën e sistemeve kritike, duke përfshirë redundancën, rikuperimin nga fatkeqësitë dhe vazhdimësinë e biznesit, në përputhje me ISO/IEC 22301 dhe parimet e reziliencës digjitale të BE-së.
  • AmCham sugjeron rritjen e efektivitetit dhe maturimit të procedurave ekzistuese të prokurimit në sektorin TIK, në përputhje me kuadrin ligjor në fuqi për sigurinë e informacionit, menaxhimin e databazave shtetërore, prokurimin e informacionit të klasifikuar dhe ligjin e prokurimit publik. Duke njohur praktikat aktuale të AKSHI-t, rekomandohet forcimi i vlerësimit mbi bazë merite, përmes peshimit më të qartë të kritereve teknike, certifikimeve, përvojës dhe profilit të sigurisë, në linjë me Direktivat e BE-së për Prokurimin Publik.
  • Komunikim i strukturuar dhe njoftim i detyrueshëm për incidentet: Krijimi i mekanizmave zyrtarë për njoftimin e bizneseve dhe qytetarëve mbi mirëmbajtjet e planifikuara, incidentet dhe ndërprerjet e shërbimit, përfshirë kohën e parashikuar të zgjidhjes dhe raportet pas incidentit, në përputhje me detyrimet e raportimit sipas NIS2.
  • Kuadër i rregulluar për integrimin e sistemeve: Krijimi i një kuadri të sigurt dhe të rregulluar që u mundëson sistemeve të autorizuara të sektorit privat të integrohen me platformat e e-Government, aty ku është e përshtatshme, në përputhje strikte me GDPR, eIDAS / eIDAS2, standardet e sigurisë kibernetike dhe rregullat e përcaktuara të kontrollit të aksesit, për të mbështetur automatizimin dhe reduktuar barrën administrative.

AmCham shpreh gatishmërinë për të bashkëpunuar me Qeverinë duke ofruar ekspertizë teknike dhe duke ndarë praktikat më të mira ndërkombëtare, veçanërisht ato të zbatuara në Shtetet e Bashkuara, me qëllim forcimin e qeverisjes, minimizimin e rreziqeve të korrupsionit, mbrojtjen e të dhënave sensitive dhe rritjen e sigurisë kombëtare dhe ekonomike.”

Artikujt më të klikuar