Një ngjarje e rëndë ka tronditur Italinë Veriore: dy foshnja të lindura parakohe humbën jetën brenda pak orësh në repartin e terapisë intensive neonatale të spitalit të Bolzanos. Shkaku i infeksionit, sipas autoriteteve shëndetësore, ka qenë bakteri Serratia marcescens, i izoluar pas analizave të kryera më 13 gusht.
Hetimet në vijim
Prokuroria e Bolzanos ka hapur një hetim paraprak, i cili i është besuar Njësisë së Karabinierëve për Shëndetësi (NAS). Hetimi do të verifikojë nëse janë respektuar protokollet dhe nëse ka pasur mangësi higjieno-sanitare në pavijonin neonatal. Pas këtyre kontrolleve, do të vendoset nëse do të kryhet autopsia dhe nëse do të ngrihen akuza për vrasje nga pakujdesia kundër personave të panjohur ose të identifikuar. Aktualisht, trupat e dy foshnjave janë në dispozicion për autopsi.
Spitali dhe gjendja e foshnjave
Drejtori i shëndetit, Pierpaolo Bertoli, sqaroi se foshnjat kishin lindur shumë para kohe, në javën e 23-të dhe të 27-të të shtatzënisë, duke qenë që në fillim në rrezik të lartë. “Fatkeqësisht, sistemi i tyre imunitar ishte tepër i pazhvilluar për të përballuar një infeksion të tillë. Një bakter që për një të rritur nuk do të kishte pasoja serioze, në rastin e këtyre foshnjave rezultoi fatal,” deklaroi Bertoli. Sipas tij, pavarësisht përdorimit të terapisë intensive, antibiotikëve dhe të gjitha masave të mundshme, gjendja e foshnjave përfundoi me një rezultat tragjik.
Reagimet
Ngjarja ka sjellë dhimbje të thellë në komunitet. Këshilltari i Shëndetësisë, Hubert Messner, u shpreh:
“Vdekja e dy të porsalindurve na prek të gjithëve. Është një tragjedi e pafund kur një jetë që sapo ka nisur ndërpritet kaq herët. Mendimet e mia shkojnë para së gjithash për familjet e prekura, të cilave u shpreh ngushëllimet më të sinqerta. Si neonatolog, e njoh ekipin e repartit dhe di që ata punojnë me profesionalizëm të lartë, si në aspektin mjekësor, ashtu edhe në atë njerëzor.”
Autoritetet shëndetësore theksuan se rreziku nga Serratia marcescens ekziston vazhdimisht në repartet e terapisë intensive neonatale, por për shkak të dobësisë së imunitetit të foshnjave të parakohshme, pasojat mund të jenë fatale.