Një incident i pazakontë ka ndodhur të dielën në Bullgari, kur avioni që transportonte Presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, u detyrua të ulej duke përdorur harta prej letre, pasi sistemi GPS u çaktivizua nga një ndërhyrje e dyshuar ruse.
Sipas tre zyrtarëve të informuar mbi ngjarjen, gjatë afrimit në aeroportin e Plovdivit, avionit i mungoning plotësisht ndihmat elektronike të navigimit. “E gjithë zona e aeroportit mbeti pa GPS,” tha një prej tyre. Pas rreth një ore në ajër, piloti vendosi të kryente uljen manualisht duke përdorur vetëm mjete analoge. Autoriteti i Shërbimeve të Trafikut Ajror në Bullgari e konfirmoi incidentin, duke nënvizuar rritjen e rasteve të ndërhyrjeve të tilla që nga shkurti 2022.
Fenomen në rritje në kufijtë lindorë të BE-së
Ndërhyrjet në sistemin satelitor GPS, të njohura si jamming apo spoofing, janë përdorur tradicionalisht nga shërbimet ushtarake për mbrojtjen e zonave të ndjeshme. Megjithatë, në vitet e fundit Rusia është akuzuar se i ka përdorur këto teknologji për të penguar lëvizjen civile. Incidentet janë rritur dukshëm në vendet e Detit Baltik dhe në shtetet lindore pranë kufirit me Rusinë, duke prekur avionë, anije dhe përdorues civilë të shërbimit. Ekspertët e sigurisë paralajmërojnë se këto raste mund të shkaktojnë katastrofa ajrore, duke “verbuar” avionët gjatë fluturimit.
Reagimet e palëve
Kremlini mohoi akuzat, me zëdhënësin Dmitry Peskov që deklaroi për Financial Times se “informacioni juaj është i pasaktë”. Nga ana tjetër, Komisioni Evropian nuk ka dhënë ende një koment zyrtar.
Mesazhi i von der Leyen
Von der Leyen ndodhej në Bullgari për të vizituar një fabrikë municionesh dhe për të diskutuar me kryeministrin Rosen Zhelyazkov mbi përgatitjet mbrojtëse të BE-së përballë agresionit rus. “Putini nuk ka ndryshuar dhe nuk do të ndryshojë. Ai është një grabitqar dhe mund të mbahet në kontroll vetëm përmes forcës së frenimit,” u shpreh ajo për gazetarët.
Bullgaria ka luajtur rol të rëndësishëm në furnizimin e Ukrainës me armatime, fillimisht me pajisje të mbetura nga koha sovjetike dhe më pas me prodhime të industrisë së saj të madhe të mbrojtjes.
Pas takimit në Plovdiv, von der Leyen u largua me të njëjtin avion, pa incidente të tjera.