Një anije me aktivistë ndërkombëtarë, mes tyre aktivistja e njohur e klimës Greta Thunberg, u ndalua nga forcat izraelite ndërsa përpiqej të dërgonte ndihma humanitare në Gaza. Anija “Madleen” u nis nga Italia me qëllimin për të thyer bllokadën detare të vendosur nga Izraeli prej vitit 2007.
Sipas Al Jazeera, në bord ishin 11 aktivistë dhe një gazetare nga vende të ndryshme:
Greta Thunberg: Suedi
Rima Hassan: Francë–Palestinë (Eurodeputate, me prejardhje palestineze)
Yasemin Acar: Gjermani
Baptiste Andre: Francë
Thiago Avila: Brazil
Omar Faiad: Francë (gazetari korrespondent i Al Jazeera Mubasher)
Pascal Maurieras: Francë
Yanis Mhamdi: Francë
Suayb Ordu: Turqi
Sergio Toribio: Spanjë
Marco van Rennes: Holandë
Reva Viard: Francë
Thunberg dhe aktivistët e tjerë, përfshirë një eurodeputete franceze, deklaruan se janë “rrëmbyer në ujëra ndërkombëtare“. Ata kishin regjistruar video paraprakisht, duke bërë thirrje shteteve të tyre për ndërhyrje dhe lirimin e menjëhershëm.
Ministria e Jashtme e Izraelit e quajti anijen një “jaht selfiesh“, duke pretenduar se ndihma e transportuar ishte simbolike dhe më pak se ngarkesa e një kamioni.
Sipas raportimeve, forcat izraelite e shoqëruan anijen në portin e Ashdod-it, ku aktivistëve iu tha se do t’u shfaqet një video mbi sulmin e Hamasit të 7 tetorit 2023, që shkaktoi mbi 1,200 viktima në Izrael. Ministri izraelit i mbrojtjes, Israel Katz, e konsideroi këtë masë të nevojshme për t’u shpjeguar aktivistëve realitetin e konfliktit.
Ministria e Jashtme palestineze e dënoi veprimin duke kërkuar mbrojtjen dhe lirimin e menjëhershëm të aktivistëve. Ndërkohë, Francesca Albanese, raportuesja e posaçme e OKB-së për territoret palestineze, bëri thirrje që anije të tjera të vazhdojnë të dërgojnë ndihma në Gaza për të sfiduar bllokadën detare.
Incidenti ka nxitur diskutime të mëtejshme mbi ligjshmërinë e bllokadës së Izraelit dhe gjendjen kritike humanitare në Gaza, ku mbi 2 milionë banorë po përballen me uri dhe mungesë të ndihmave bazë.