Tregu shqiptar i marketingut sot po përballet me një lloj “lodhjeje” që vjen nga mbingarkesa. Reklamat shpesh nuk prodhojnë më rezultatet e dikurshme, vëmendja e klientit është bërë tejet e fragmentuar dhe bizneset e kanë gjithmonë e më të vështirë të diferencohen. Pyetja që shtrohet sot nuk është nëse duhet të jesh online, por si të jesh i pranishëm në një mënyrë që ndërton autoritet dhe jo thjesht zhurmë.
Për të zbërthyer këtë dilemë që na mundon të gjithëve, bisedova me Renato Civilin, autorin e librit “Strategjia Fituese”, një udhëzues praktik, jo vetëm për bizneset e të gjitha madhësive, por edhe për profesionistët dhe individët. Me një përvojë 15-vjeçare dhe si drejtues i Digital Academy Albania, Renato ka trajnuar mbi 2,000 profesionistë dhe ka parë nga afër se si dështojnë apo lulëzojnë strategjitë në terrenin tonë. Libri i tij vjen si një udhërrëfyes për vitin 2026, në një kohë kur inteligjenca artificiale po lulëzon në çdo skaj të industrisë, megjithatë pesha e brendit personal dhe besimi te individi po tejkalojnë komunikimin tradicional të korporatave. Diskutuam për gabimet që po mbajnë peng bizneset dhe për sistemin që ai propozon për të rinisur rritjen.
Renato, ti përmend se 80% e klientëve hulumtojnë online para se të blejnë. Sipas përvojës sate të gjatë, cili është gabimi më i madh që shikon te bizneset shqiptare tani në vitin 2026?
RC: Gabimi kryesor që bëjnë bizneset në përgjithësi është fokusi i tepërt te produktet dhe te kompania, duke lënë pas dore ndërtimin e marrëdhënies së besimit. Bizneset fokusohen te shitja dhe te vetja, por jo te kapja e vëmendjes së audiencës përmes vlerës. Për ta bërë këtë, duhet të dëgjosh klientin dhe ta vësh atë në qendër.

“Marketingu efektiv nuk u tregon njerëzve thjesht çfarë ofron, por se si jeta e tyre përmirësohet përmes teje.”
Arsyen kryesore pse klientët blejnë është se kanë një dëshirë të paplotësuar ose duan të zgjidhin një problem. Produkti yt duhet të shikohet si mjeti për këtë zgjidhje. Për shembull, në sektorin e Real Estate, mesazhet fokusohen te madhësia dhe çmimi, por jo te komunikimi se pse duhet blerë ajo pronë dhe çfarë nevoje i plotëson klientit.
Pse zgjodhe që pjesa e parë e librit të jetë “Mendësia”? A është më e vështirë të përditësosh teknologjinë apo mënyrën si mendon një menaxher?
Mendësia është pa dyshim barriera më e vështirë. Teknologjinë e kemi të gjithë prezent në jetën tonë nëpërmjet smartphone-ve, por një pjesë e mirë e përdorin për t’u dukur, jo për të marrë maksimumin. Transformimi i kulturës është sfida e vërtetë. Në libër flas për kalimin nga një mendësi “transaksionale” në një mendësi “përmbushëse”.
“Marketingu nuk është thjesht shitje, ndaj lidershipi duhet t´i japi kohë ekipit që të krijojë marrëdhënie me klientin.”

A beson te “quick wins” (fitoret e shpejta) apo mendon se ato janë thjesht një “arnim” i përkohshëm?
Shumica e bizneseve punojnë pa një strategji të mirëfilltë; bëjnë një postim dhe shpresojnë te klienti, por shpresa nuk është strategji. Qëllimi është t’i ndjekësh të dhjetë hapat që propozoj: nga njohja e klientit te krijimi i avantazhit konkurrues. Investimi duhet të jetë afatgjatë. Kur marketingun e trajton si sistemin më të rëndësishëm të biznesit dhe jo si teknikë momenti, ti ndërton një ekosistem ku klientët vijnë në mënyrë të vazhdueshme.
Kjo nis që nga njohja e thellë e klientit e deri te krijimi i një avantazhi konkurrues që të diferencon realisht. Nuk mjafton vetëm të jesh online; suksesi vjen kur bën një marketing 360 gradë, duke përfshirë edhe anën offline në radio, emisione, apo evente. Duhet të pozicionohesh si zgjedhja e parë në mendjen e klientit përmes një komunikimi të vazhdueshëm që thotë: “Ja si mund të të ndihmojmë ne”.
Për një biznes që ndihet i bllokuar, cilin prej 10 hapave do t’i sugjeroje të niste menjëherë?
Hapi 3, menaxhimi i rrjeteve sociale, dhe hapi 4, fushatat dixhitale. Në libër kam përfshirë shumë shembuj shqiptarë që shërbejnë për t’u frymëzuar se si të kapet vëmendja. Këto hapa shërbejnë për të krijuar një lloj rezultati të shpejtë dhe likuiditeti. Duke njohur klientët idealë dhe duke u dalë para syve aty ku ata janë, efekti mund të jetë i dukshëm brenda muajit.
Si mundet një biznes t’i kthejë punonjësit dhe klientët në “ambasadorë” pa u dukur sikur po i detyron?
Detyrimi i stafit për të bërë “like” apo “share” është qasje e gabuar. Faqet personale të punonjësve nuk janë billboard-et e kompanisë. Trajnimi i ambasadorëve funksionon kur punonjësit kuptojnë se kjo rrit brendin e tyre personal dhe autoritetin si ekspertë. Atëherë kthehet situata në win-win, sepse individi promovohet si ekspert i fushës dhe rritet ndërgjegjësimi për kompaninë.
“Njerëzit u besojnë individëve më shumë se logove. Kur njerëzit dalin me fytyrë dhe komunikojnë hapur, ata kthehen në magnete besimi.”

Sa rol luan realisht Inteligjenca Artificiale në këtë strategji?
Inteligjenca artificiale po sjell revolucion, por nuk ka asnjë vlerë nëse nuk di të bësh pyetjet e duhura. Shumë njerëz e përdorin në mënyrë shabllone dhe kjo kuptohet menjëherë nga audienca, duke humbur efektivitetin. IA duhet parë si një asistent personal që të ndihmon të bëhesh më i shpejtë, por zemra e komunikimit duhet të mbetet njerëzore. ChatGPT nuk ka kaluar vite në tregun shqiptar; përvoja dhe këndvështrimi yt unik janë avantazhet e tua konkurruese. Pa dyshim që ndihmon me gjenerimin dhe perfeksionimin e ideve, por ti duhet të njohësh të gjitha hapat të cilat do të ndihmojnë për të pasur më shumë sukses.
Cila është këshilla jote për të rinjtë që duan të ndërtojnë një karrierë solide në marketing?
Hapi i fundit i librit është rritja e brendit personal. Sot njerëzit zgjedhin atë që njohin dhe besojnë. Mos jini thjesht “ekzekutues postimesh”, por pozicionohuni si zgjidhës problemesh dhe liderë industrie. Sot nuk mjafton të jemi ekspertë, përsa kohë nuk na njeh njeri. Ekspertiza jonë duhet të njihet dhe nga të tjerët, në mënyrë që të pozicionohemi në mendjen e tyre si ekspert.
“Emri ynë është kapitali ynë më i madh. Sa më shumë të njihemi në treg për vlerën që japim, aq më shumë dyer do të na hapen pa pasur nevojë t’i trokasim ne.”
* Librin “Strategjia Fituese” mund ta gjeni në libraritë Adrion, Leximtari.al dhe Educational Centre Albania. Për të shkarkuar 10 sfidat praktike të librit, vizitoni Akademia Dixhitale.

