Elon Musk ka njoftuar largimin e tij nga administrata e Donald Trump, ku kishte një rol të përkohshëm si punonjës i veçantë qeveritar, duke ndihmuar në drejtimin e Departamentit për Efiçencën Qeveritare i njohur si “Doge“.
Musk, përmes një postimi në platformën e tij X, falënderoi presidentin Trump për mundësinë që iu dha për të kontribuar në uljen e shpenzimeve të panevojshme të qeverisë. “Misioni i @DOGE do të forcohet me kohën dhe do të bëhet një mënyrë funksionimi në të gjithë administratën publike,” shkroi ai.
Përkundër largimit të planifikuar, ky hap vjen vetëm një ditë pasi Musk kritikoi paketën buxhetore të Trump, duke thënë se ajo do të rriste borxhin publik dhe do të minonte punën e Doge.
Sipas burimeve të BBC, Shtëpia e Bardhë kishte nisur procesin e largimit të Musk që të mërkurën në mbrëmje.
Gjatë kohës së tij në qeveri, Musk u përball me polemika të shumta, përfshirë kritika për shkurtimet masive të vendeve të punës në administratën federale. Më shumë se 260,000 punonjës u larguan ose u nxitën të pranonin paketa largimi, por në disa raste gjykatat ndaluan shkarkimet masive.
Musk pranoi se Doge ishte kthyer në “dërrasën ku shkarkohej faji për gjithçka që shkonte keq”, edhe kur nuk kishte lidhje me projektin.
Ai shtoi se do të rikthehej të fokusohej më shumë në kompanitë e tij private, përfshirë Tesla dhe SpaceX, ndërsa pranoi se përfshirja e tij politike kishte ndikuar negativisht në performancën e Tesla-s, e cila pati një rënie rekord të shitjeve dhe të çmimit të aksioneve këtë vit.
Musk gjithashtu deklaroi se do të reduktonte ndjeshëm financimet politike, pasi në vitin e kaluar kishte shpenzuar afro 300 milionë dollarë për të mbështetur fushatën e Trump dhe republikanëve.