Akuzat ndaj Erion Velisë nuk janë fryt i mendjes së çartur të një prokurori, por pasojë e mënyrës se si ai ka drejtuar bashkinë e Tiranës
Erion Veliaj më në fund po vihet në provë në të parën betejë të jetës, atë të përballjes me SPAK gjatë procesit gjyqësor kundër tij, i cili sapo ka nisur. Nëse ngjitja e tij e menjëhershme në majat e pushtetit i dedikohet aftësisë mahnitëse për t’u përkulur nën hijen e Edi Ramës, sot ai është i detyruar që akuzave për korrupsion, pastrim parash dhe fshehje pasurie t’u dalë për zot vetë përpara gjykatës speciale.
Dhe shenjat e para të kësaj përballje nuk janë zhgënjyese në raport me personalitetin e kryebashkiakut të burgosur. Ai po përpiqet të veshë rrobën e viktimës, por pa identifikuar persekutorin e tij. I mbështetur edhe nga një fushatë kaotike mediatike, e lobuar sipas traditës, deri tani nuk kuptohet qartë nëse Veliaj është një viktimë e sistemit të drejtësisë, i një prokurori të caktuar apo një i persekutuar politik nga partia në pushtet. I gjithë ky konfuzion duket të jetë pasojë e pamundësisë së Veliajt për të zhvilluar një betejë ballore qoftë me sistemin e drejtësisë, qoftë me “shokët” e partisë. Ai vetë, mediat që e përkrahin apo vëllai që paguan lobimet, janë pjesë e të njëjtit mekanizëm ndaj të cilit Veliaj kërkon të duket viktimë. Prandaj mbrojtja e tij, tingëllon kaotike, pa objektiv të qartë. Sa më shumë përpiqet të duket sfiduese aq më shumë bëhet dëshpëruese.
Deri tani Veliaj nuk ka dhënë kundërargumenta për akuzat ndaj tij, duke pretenduar se procesi është politik. Por ndërkohë që logjikisht do të duhej të jepte elementët e kësaj përndjekjeje politike, Veliaj dhe mbrojtësit e tij merren me një emër prokurori. Pikërisht këtu mbrojtja bëhet më shumë se dëshpëruese. Në mungesë të theksuar guximi për t’i shkuar deri në fund linjës së persekutimit politik, Veliaj kërkon t’ia mveshë Ols Dados të gjitha ato që pretendon se po ia bëjnë padrejtësisht. Dado njëherë paraqitet si një hakmarrës i zi që i vetëm ia ka dalë të burgosë kryetarin e Bashkisë së Tiranës. Pastaj si një individ në konflikt interesi. Pastaj si një prokuror i emëruar në shkelje të ligjit, etj, etj. Në këtë mënyrë, Veliaj po shkon në sallën e gjyqit me një paqartësi të madhe mes asaj që thotë e asaj që pretendon: A është ai viktimë e një procesi të montuar apo i një prokurori të zemëruar.

Strategjia e Veliajt për të mos u marrë me akuzat konkrete por me procesin, rrëzohet pikërisht nga dilema e mësipërme. Nuk mund të ketë proces politik dhe autor të jetë një prokuror i vetëm. Të gjithë janë të qartë, madje dhe ata që e mbrojnë publikisht, se akuzat ndaj Erion Velisë nuk janë fryt i mendjes së çartur të një prokurori, por pasojë e mënyrës se si ai ka drejtuar bashkinë e Tiranës. Mjafton të shihet sjellja e kryeministrit Edi Rama ndaj të projektuarit si pasues i tij, për të kuptuar se ai ishte i pambrojtshëm.
Ols Dado nuk e ka akuzuar Erion Velinë personalisht, por si funksionar publik. Ai ka treguar se si biznesmenët klientë të bashkisë çonin para në shoqatat guackë të Ajola Xoxës. Se si paguheshin apartamente e zyra të padeklaruara, si qarkullonin para kesh, si ndryshonin projektet e lejeve të ndërtimit për njerëzit e afërt, si fshiheshin vilat e pasuritë e tjera, si paguheshin artistët propagandistë me paratë e qytetarëve të Tiranës. Veliaj dhe mbrojtësit e tij publikë nuk flasin kurrë për akuzat konkrete të një dosje, punë e detajuar e prokurorit Dado, por kanë zgjedhur të merren me personin. Nëse ia kanë të dalë të “bindin” ndonjë personazh anonim të lobuar korridoreve të Brukselit apo kryebashkiakun e Bogotasë, se Veliaj po persekutohet politikisht dhe kjo është vepër e Ols Dados, në Tiranë u duhet të bindin gjykatën.Betejën për persekutim politik, Erion Veliaj do të duhej ta kishte bërë me kohë dhe me tjetër kënd. Me Ols Dadon ka betejën në gjykatë si i akuzuar për korrupsion, pastrim parash e fshehje pasurie.
/©lapsi.al

