Nga Habjon Hasani: Rinia që njoh unë

Në dhjetor më ra telefoni nga një bashkëpunëtor i Hashtagut, isha në një kontinent tjetër në atë moment

— Habjon, mund të pimë një kafe sepse kam diçka, — më tha Klaudio, një ndër editorët më të vjetër të mi.

— Ma thuaj këtu se s’jam në Shqipëri, — ia kthej.

— Dua të iki tre javë në SHBA, — më thotë.

— Vetëm kaq? — e pyes, ndërsa me intuitë e kapa që mund të kishte më tepër për të më thënë.

— Nëse mundesh, — më thotë.

Ik e bëj qejf, i them, por duke pasur ndjesinë që nuk m’i tha të gjitha.

Në janar takohemi në kafe, Klaudio më thotë që donte të shkëputej nga Hashtagu gradualisht.

Klaudio erdhi në Hashtag diku te 22 vjeç, në 2017-ën. Ai ka studiuar marrëdhënie ndërkombëtare, origjina e tij është nga fshati Progër i Devollit.

Të dy prindërit i humbi në një aksident fatal ndërsa punonin në fshat. Ishte fëmijë i vogël fare, bashkë me të motrën, kur u ndodhi gjëma. Ai kishte një gjyshe heroinë që rriti nipin e mbesën me shumë fukarallëk dhe peripeci.

Në vitet e fundit, ai Hashtagun e kishte angazhim të dytë pasi po punonte paraditeve në një fabrikë në Elbasan si kontrollor cilësie. Ai nuk e di, por unë kisha të dhëna të plota mbi angazhimin e tij në fabrikë, e dija shumë mirë sa shumë e vlerësonin pronarët në Elbasan për zotësinë dhe korrektësinë e jashtëzakonshme.

— Je në lidhje me ndonjë vajzë? — e pyes.

— Në fakt edhe kjo është, s’më mbetet fare kohë për veten, Habjon, kam nevojë për pak kohë, — më thotë.

Pastaj tha diçka që më pëlqeu:

— Hashtagu ka qenë si shtëpi për mua, kur kisha nevojë më shumë se kurrë. E kam shumë të vështirë këtë bisedë dhe moment, jam bërë disa herë gati ta them, por nuk e kam gjetur kurajën.

— Doje të ma thoshe dhe në dhjetor, — ia kthej, — e ndjeva.

Pohoi.

— Ti je fiks në kohë për të ikur, — i them. Është momenti. Jo vetëm që je i mirëkuptuar, por dua të të shpreh diçka që ti s’e di. Ti je më i miri që kam unë. Sepse je tepër i vuajtur dhe ke bagazh kulturor të veçantë. E kam kuptuar që javën e parë të punës tënde, sepse kishte ironi dhe thelb në titujt që vije.

Në këtë kuptim, është totalisht kundër leverdisë time të më ikë një aset si ty, por ti je 30 vjeç, je i dashuruar, është momenti të krijosh gjërat e tua. Në çdo rast të sugjeroj vetëm diçka: puno që të ndërtosh biznesin tënd. Nëse punon për veten, je në variantin më të mirë; nëse do shohësh rrogën, do biesh në kurth. Duhet të shohësh biznesin tënd, jo rrogën. Duhet të jesh vetë Zot e vetë shkop.

Ti je një ndër njerëzit më të aftë që unë kam pasur privilegjin të punoj, dhe fakti që e quajte Hashtagun “shtëpi” është dekoratë nderi për mua.

— Po shoh Australinë, — më thotë. — Kam një variant atje, dua ta provoj, por do qëndroj pa afat derisa ti të gjesh një bashkëpunëtor gradualisht dhe pa ngut.

Fiks kjo bisedë me Klaudion më shkrepëtiu në mendje dje, ndërsa shikoja ata copat e mutit që mbanin fjalime para Edi Ramës. Janë moshatarë të Klaudios ata, por janë në tribunë, ashtu si lapanjozë e rakitikë, por në tribunë ata. Të turpshëm, të neveritshëm, por në tribunë.

Ndërsa Klaudio, editori im, po sheh Australinë, nuk ka perspektivë për të në këtë vend të nemur.

Ndaj dhe kushdo që e merr si shaka dhe zbavitje atë maskaradë që ndodhi me të rinjtë e Edi Ramës, duhet të dijë që kjo shaka e kjo palaví po na kushton hemorragjinë e më të mirëve.

Kush çedon në këtë betejë dhe i hap rrugën këtij llumi, është duke luajtur kumar me jetën e brezave dhe me jetën e fëmijëve të tij.

Ia kam borxh Klaudios, ia kam borxh evlatit tim, ia kam borxh të vërtetës. Zero mëshirë për copat e mutit.

Le të shkojë Zaho në Australi po të dojë, jo Klaudio apo fëmijët tanë.

Shpërndaje

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here