Komentuesi anonim:
Profil me emrin “Beni Lushnja” foto nga Google, vendndodhje Montreal, por komenton si të ishte administratori pallatit në Laprake. I fshehur pas një emoji-je me syze, jep mendime për të gjithë e për gjithçka.
Komentuesi që nuk lexon postimin:
Ky nxiton të komentojë. Nuk bën gabim të lexojë postimin se e di që ka rrezik të ndryshojë mendjen. Shprehjen e Dekartit “Dyshoj, pra ekzitoj” e kanë shndërruar në “Kritikoj postimet, pra ekzistoj“.
Komentuesi patronazhist:
Ky nuk komenton, ky shërben. Çdo veprim i qeverisë është vizion, çdo ide e opozitës është rrënim. Edhe nëse qeveria shpall ndalimin e oksigjenit, ai do thotë: “ka njerëz që marrin frymë kot“.
Komentuesi fact-check:
Një specie e re. Përdor Google, ndonjëherë edhe ChatGPT, për të të gjetur gabime në postimin satirik me një fjali.
Komentuesi “inteligjent“:
Është shfaqur pas 2022. Lexon, bën copy-paste, verifikon dhe pastaj komenton pa asnjë gabim, falë chat gpt. Amin! Është nga rastet e rralla që gramatika nuk është viktimë në komente.
Komentuesi i inatosur:
Ti mund të postosh për motin, ai do të vringëllijë se i ke prishur ditën. Mund të postosh për librat, ai e merr personale ngaqë e zë libri.
Komentuesi që mendon se të njeh:
Ky shkruan si dikush që ka jetuar gjithë jetën me kokën pas shpatullave dhe di gjithçka për ty. Nuk shkruan për postimin por për ty.
Komentuesi nga diaspora:
Shumica të frustuar të pa integruar në shoqërinë e ku jetojnë dhe me mllef ndaj atyre që kanë mbetur këtu. Shkruan nga ura Bruklinit, për Shkumbinin e Peqinit.
Komentuesi që ka qenë aty:
Ky ka qenë në çdo ngjarje historike që nga Mbretëresha Teutë e deri te beteja e Koshares. E di saktë çfarë ka ndodhur, kush e ka bërë dhe pse.
Komentuesi konspirativ:
Sipas këtij tipi, çdo gjë që ndodh, ndodh se ka një plan. Asgjë nuk ndodh rastësisht. Ky tip nuk lexon, ky “di“.
Komentuesi relativizues:
Ti shkruan për zjarret në Priske ai të tregon zjarret në Los Angeles. Ti shkruan për mungesën e ujit në Golem ai shkruan për thatësirën në Jerusalem.
Komentuesi serioz:
Ky shfaqet rrallë, si kometa Halley. Jep mendim ndryshe pa të sharë, pa fyer, pa paragjykuar. Vjet kam patur një rast të tillë, sivjet pak më pak.
Dhe pastaj pyesim: “Pse ka kaq shumë urrejtje/mllef/inat/zili/baltë në rrjete sociale?”
Sepse Interneti i ka bërë të gjithë autorë, analistë, psikologë, prokurorë, dhe së fundmi, ekspertë për gjithçka. Dhe Facebook-u, ky bar i madh publik ku çdokush mund të hyjë zbathur dhe të ulërasë mbi tavolinë, i ka dhënë “mikrofonin” atij që më parë fliste me vete në stacionin e autobusit.