back to top
Thursday, February 12, 2026
11.5 C
Tirana

Top 5 E JAVËS

Artikuj të ngjashëm

Nga skandal në rrezik kombëtar: dilema e privatizimit të tenderave

Nga Enri Çeno

Nisma për “privatizimin e tenderave” në një institucion si AKSHI, pikërisht në kulmin e një skandali të rëndë korruptiv që ka tronditur opinionin publik, nuk është thjesht e gabuar politikisht; ajo është thellësisht e papërgjegjshme institucionalisht dhe alarmante nga pikëpamja e sigurisë kombëtare. Kur një vend anëtar i NATO-s përballet me akuza serioze për abuzim me fondet publike dhe me menaxhimin e të dhënave sensitive, përgjigjja logjike e një klase politike serioze do të ishte forcimi i kontrollit publik, rritja e transparencës, thellimi i mekanizmave të auditimit dhe përgjegjësisë penale. Jo shpërndarja e mëtejshme e përgjegjësisë tek privatët, sikur problemi të ishte “mungesa e ndërmjetësve” dhe jo korrupsioni i brendshëm.

Ironia është se kjo nismë vjen nga një jurist i ri, pa eksperiencë të dokumentuar në fushën e teknologjisë, sigurisë kibernetike apo menaxhimit të infrastrukturave kritike. Është një paradoks tipik i tranzicionit shqiptar: sa më pak ekspertizë teknike, aq më e madhe ambicia për të riformatuar sisteme komplekse. Siguria kibernetike nuk është një kontratë për pastrim zyrash dhe as një shërbim marketingu që mund të delegohet me logjikën e “outsourcing”-ut komercial. Ajo prek drejtpërdrejt bazat e të dhënave shtetërore, informacionin personal të qytetarëve, sistemet fiskale, regjistrat civilë, infrastrukturën energjetike dhe, në fund të ditës, arkitekturën e sigurisë kombëtare.

Në vendet e zhvilluara perëndimore, sidomos në shtetet anëtare të NATO-s, prokurimet që lidhen me infrastrukturën kritike dhe me sigurinë kibernetike trajtohen me një regjim të veçantë, shpesh të centralizuar dhe me filtra të shumtë sigurie. Në Shtetet e Bashkuara, Departamenti i Mbrojtjes dhe agjencitë federale që menaxhojnë sisteme sensitive operojnë nën rregulla të rrepta të “federal acquisition regulation”, me kontrolle të thelluara sigurie, clearance të detyrueshme dhe mbikëqyrje të drejtpërdrejtë shtetërore. Në Gjermani, roli i BSI (Bundesamt für Sicherheit in der Informationstechnik) është thelbësisht publik dhe i lidhur ngushtë me arkitekturën federale të sigurisë; në Francë, ANSSI është autoritet shtetëror me kompetenca të forta dhe kontroll të centralizuar. Edhe kur përfshihen kompani private, ato operojnë nën një kornizë të fortë publike, me mbikëqyrje direkte dhe pa delegim të funksionit vendimmarrës strategjik. Tenderimi i të dhënave sensitive nuk lihet në duart e tregut si një mall i zakonshëm; ai mbetet në zemër të shtetit.

Prandaj, ideja që në Shqipëri – pas një skandali që ka ngritur pikëpyetje serioze mbi integritetin institucional – zgjidhja qenka “privatizimi i tenderave”, është jo vetëm konceptualisht e gabuar, por rrezikshmërisht naive. Në një kontekst ku dyshimet për lidhje klienteliste dhe korrupsion galopant janë ende të freskëta, zhvendosja e procesit drejt privatëve krijon shtresa të reja opaciteti, jo transparencë. Është si të përpiqesh të shuash zjarrin duke hedhur benzinë dhe duke e quajtur atë “reformë strukturore”.

Nëse ka një mesazh të qartë që duhet dhënë, ai është ky: tenderimet që prekin sigurinë kibernetike dhe infrastrukturën kritike nuk mund dhe nuk duhet të delegohen si funksion vendimmarrës tek privati. Shteti mund të kontraktojë shërbime, por përgjegjësia, kontrolli dhe vendimmarrja strategjike duhet të mbeten ekskluzivisht publike, nën një strukturë të pastruar, profesionale dhe të depolitizuar. Çdo alternativë tjetër rrezikon të cenojë jo vetëm buxhetin e shtetit, por edhe kredibilitetin ndërkombëtar të Shqipërisë si vend anëtar i NATO-s.

Në dritën e skandalit që ka shpërthyer dhe të përgjegjësive të ngritura publikisht ndaj drejtuesve të AKSHI-t, përgjigjja e duhur nuk është riformatimi kozmetik i procedurave, por hetimi i plotë penal, deri në fund, i çdo hallke të zinxhirit vendimmarrës. Nëse ka elementë që përbëjnë vepër penale, ata duhet të trajtohen si të tillë nga drejtësia, pa imunitet politik dhe pa mbrojtje institucionale. Struktura drejtuese duhet të hetohet në mënyrë të integruar, si një e tërë, për të përcaktuar nëse kemi të bëjmë me përgjegjësi individuale apo me një model të organizuar abuzimi. Dhe nëse provohet se kemi të bëjmë me një mekanizëm të konsoliduar korrupsioni, atëherë zëvendësimi i plotë i kësaj strukture me profesionistë të ndershëm dhe të kualifikuar nuk është opsion politik – është domosdoshmëri kombëtare.

Si përfaqësues i opozitës, qëndrimi im është i qartë: Shqipëria nuk ka nevojë për eksperimente teorike të papjekura në zemër të sigurisë së saj digjitale. Ajo ka nevojë për shtet serioz, për standarde euroatlantike reale dhe për përgjegjësi penale kur fondet publike dhe siguria kombëtare preken. Çdo përpjekje për ta paraqitur privatizimin e tenderave si reformë moderne, në këtë kontekst, është ose keqkuptim i thellë i çështjes, ose tentativë për të shpërqendruar vëmendjen nga thelbi i problemit: korrupsioni dhe kapja e institucioneve. Dhe kjo nuk mund të tolerohet.

Artikujt më të klikuar