OKB konfirmon gjenocid në Gaza, BE propozon sanksione me Izraelin

Një Komision i Pavarur Hetimor i OKB-së (COI) ka dalë në përfundimin se Izraeli po kryen gjenocid ndaj popullsisë palestineze në Gaza. Raporti, i prezantuar nga ish-komisionerja e lartë Navi Pillay, flet për shifra tronditëse: dhjetëra mijëra civilë të vrarë, kufizime të rënda në ushqim dhe ilaçe, shkatërrime masive dhe zhvendosje të detyruara. Sipas komisionit, katër nga pesë aktet që përcaktohen si gjenocid në Konventën e vitit 1948 janë të pranishme në veprimet e ushtrisë izraelite.

Raporti akuzon drejtpërdrejt kryeministrin Benjamin Netanyahu dhe udhëheqës të tjerë izraelitë për “qëllim gjenocidal”, duke e cilësuar ofensivën në Gaza si një “strategji të tokës së djegur” që synon shkatërrimin e popullsisë palestineze si grup.

Ndërkohë, reagimi ndërkombëtar po ashpërsohet. Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, në një deklaratë publike ka shpallur propozimin e BE-së për të sanksionuar ministrat ekstremistë dhe kolonistët e dhunshëm, si dhe për të pezulluar koncesionet tregtare me Izraelin.

Ngjarjet e tmerrshme që po ndodhin çdo ditë në Gaza duhet të ndalen,” shkroi von der Leyen. Ajo shtoi se BE-ja do të vendosë gjithashtu pezullimin e mbështetjes bilaterale ndaj Izraelit, duke nënvizuar se kjo nuk do të ndikojë tek puna me shoqërinë civile izraelite apo me institucione si Yad Vashem.

Në mesazhin e saj, von der Leyen theksoi gjithashtu nevojën për një armëpushim të menjëhershëm, akses të pakufizuar për ndihmat humanitare, dhe lirimin e të gjithë pengjeve të mbajtura nga Hamasi.

Ajo rikujtoi se BE mbetet donatori më i madh i ndihmës humanitare për palestinezët dhe mbështetës i vendosur i zgjidhjes me dy shtete, ndërsa kritikoi hapur veprimet e qeverisë izraelite për zgjerimin e vendbanimeve në Bregun Perëndimor.

Kombinimi i raportit të OKB-së dhe qëndrimit të ri të Komisionit Evropian tregon për rritjen e presionit ndërkombëtar ndaj Izraelit. Megjithatë, Izraeli i ka hedhur poshtë të gjitha akuzat për gjenocid, duke i cilësuar raportet si të njëanshme dhe të motivuara politikisht.

Shpërndaje

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here