A po kaloni orë të tëra duke kaluar pa mendje nga një video në tjetrën nëpër Instagram Reels dhe TikTok? Nëse po, mund të vuani nga “kalbja e trurit/brain rot“, një term që Fjalori i Universitetit të Oksfordit e ka shpallur si frazën ose fjalën e vitit.
Ky term përshkruan shqetësimin për ndikimin e konsumimit të tepruar të përmbajtjes me cilësi të ulët online, veçanërisht në rrjetet sociale. Përdorimi i tij është rritur me 230% në periudhën 2023-2024.
Psikologu dhe profesori i Oksfordit, Andrew Przybylski, thotë se popullariteti i fjalës është një “simptomë e kohës në të cilën jetojmë“.
“Kalbja e trurit” mposhti pesë terma të tjerë në listën e ngushtë të botuesve të fjalorit, duke përfshirë: demure, romantasy dhe dynamic pricing.
Çfarë është “kalbja e trurit“?
“Kalbja e trurit” përkufizohet si përkeqësimi i supozuar i gjendjes mendore ose intelektuale të një personi, shpesh për shkak të konsumimit të tepërt të materialeve të konsideruara si të pavlera.
Përdorimi i parë i regjistruar i termit daton shumë kohë para krijimit të internetit. Ai u përdor për herë të parë në vitin 1854 nga autori amerikan Henry David Thoreau në librin e tij Walden.
Thoreau kritikoi prirjen e shoqërisë për të nënvlerësuar idetë komplekse, duke e parë këtë si pjesë të një rënieje të përgjithshme në përpjekjet mendore dhe intelektuale.
Ai pyet: “Ndërsa Anglia përpiqet të shërojë kalbjen e patates, a do të përpiqet dikush të shërojë kalbjen e trurit – që është shumë më e përhapur dhe fatale?”
Fillimisht, termi fitoi popullaritet në rrjetet sociale mes brezave Gen Z dhe Gen Alpha, por tani përdoret gjerësisht për të përshkruar përmbajtjen me cilësi të ulët në mediat sociale.
Profesori Przybylski thekson se “nuk ka prova që kalbja e trurit është një gjë reale“.
“Në vend të kësaj, ajo përshkruan pakënaqësinë tonë me botën online dhe është një fjalë që mund të përdorim për të mbledhur ankthet tona për rrjetet sociale.”
Fjalë të tjera në listën e ngushtë
Ja disa nga fjalët dhe shprehjet e tjera që konkurruan për titullin:
- Demure (përshkruese): Një person i rezervuar ose i përmbajtur në paraqitje ose sjellje. Veshje jo e zbuluar ose e ekzagjeruar.
- Dynamic pricing (emër): Praktika e ndryshimit të çmimit të një produkti ose shërbimi sipas kushteve të tregut, duke përfshirë rritjen e çmimit në kohë kërkese të lartë.
- Lore (emër): Një koleksion faktesh, informacioni dhe anekdotash që lidhen me dikë ose diçka.
- Romantasy (emër): Një zhanër i letërsisë që kombinon elemente romantike dhe fantastike.
- Slop (emër): Përmbajtje e krijuar nga inteligjenca artificiale, e shpërndarë pa kriter, shpesh me cilësi të ulët.
Fjalët e vitit nga fjalorë të tjerë
Fjalori i Universitetit të Oksfordit nuk është i vetmi që shpall një fjalë të vitit. Muajin e kaluar, Fjalori i Kembrixhit zgjodhi fjalën manifest. Kjo fjalë tani përfshin kuptimin e “përfytyrimit të realizimit të diçkaje që dëshiron, me besimin se kjo do ta bëjë më të mundshme“.
Ndërkohë, Fjalori i Collins shpalli si fjalë të vitit brat, një term që përfaqëson një qëndrim të sigurt, të pavarur dhe hedonist. Ky term mori famë përmes albumit të Charli XCX.
Në anën tjetër, demure u bë fjala e vitit në Dictionary.com pas një trendi viral në TikTok që nxirrte në pah idenë e një pamjeje “të thjeshtë dhe të përmbajtur“.