Pse gratë jetojnë më gjatë se burrat?

Është e ditur tashmë që gratë jetojnë më gjatë se burrat. Arsyeja zakonisht lidhet me sjelljen: burrat pijnë më shumë duhan, konsumojnë më shumë alkool dhe marrin më shpesh rreziqe. Por fakti që ky dallim në jetëgjatësi ekziston në çdo vend dhe në çdo shekull tregon se pas tij fshihet diçka më e thellë, diçka biologjike.

Një grup në rritje studimesh sugjeron se avantazhi i grave mund të vijë, të paktën pjesërisht, nga dy kromozomet X, të cilat ofrojnë një “kopje rezervë” që i mbron nga mutacionet e dëmshme. Ky përfundim u forcua edhe më shumë me publikimin e një analize të re, më të gjerë deri tani, mbi diferencat e jetëgjatësisë midis meshkujve dhe femrave në më shumë se 1,000 specie gjitarësh dhe zogjsh.

Tek gjitarët, përfshirë edhe njerëzit, seksi përcaktohet nga kromozomet X dhe Y. Një foshnjë me dy kromozome X (XX) është vajzë, ndërsa një me një X dhe një Y (XY) është djalë. Por tek zogjtë ndodh e kundërta: femrat kanë kromozome të ndryshme (ZW), ndërsa meshkujt kanë të njëjta (ZZ). Kjo çon në atë që quhet “hipoteza e seksit heterogam”, pra, seksi që ka kromozome të ndryshme është më i ndjeshëm ndaj problemeve gjenetike, sepse nuk ka “kopje rezervë” në rast se një gjen dëmtohet.

Në rastin e njerëzve, kjo do të thotë se burrat, që kanë vetëm një kromozom X, janë më të ekspozuar ndaj mutacioneve të dëmshme që mund të shkurtojnë jetën. “Kur ke vetëm një X, nëse ndodh një mutacion i keq, nuk ke rezervë për ta zëvendësuar,” shpjegon Fernando Colchero nga Instituti Max Planck për Antropologji Evolucionare.

Ekipi i Colchero-s dhe Johanna Staerk mblodhi të dhëna mbi jetëgjatësinë e 528 specieve gjitarësh dhe 648 specieve zogjsh të mbajtur në kopshte zoologjike. Rezultatet ishin të qarta: tek gjitarët, femrat jetojnë më gjatë në gati tre të katërtat e specieve. Ndërsa tek zogjtë ndodh e kundërta, 68% e specieve treguan jetë më të gjatë tek meshkujt, në përputhje me strukturën e tyre kromozomike. Rezultatet u publikuan në revistën shkencore Science Advances dhe u vlerësuan nga ekspertët si studimi më gjithëpërfshirës deri më sot.

Megjithatë, shkencëtarët theksojnë se kromozomet janë vetëm një pjesë e mozaikut. Ende nuk dihet saktësisht cilat gjene në kromozomet X dhe Y ndikojnë në jetëgjatësi, dhe këto mekanizma ndryshojnë nga një specie në tjetrën. Përveç gjenetikës, sjellja dhe fiziologjia luajnë një rol të rëndësishëm. Meshkujt që konkurrojnë më shumë për partnere, duke zhvilluar trupa më të mëdhenj ose duke u sjellë më agresivisht, priren të jetojnë më shkurt. Karakteristika “mashkullore” si brirët e gjatë tek drerët apo muskujt e fuqishëm tek gorillat mund të ndihmojnë për shumim, por shpesh kushtojnë jetëgjatësinë.

Ka edhe specie që thyejnë këtë rregull biologjik. Tek lemurët, për shembull, burrat dhe gratë jetojnë pothuajse njësoj, pavarësisht se janë shumë aktivë seksualisht. Ndërsa tek zogjtë grabitqarë, si shqiponjat, skifterët dhe korbat, femrat jetojnë më gjatë, megjithëse janë edhe më të mëdha se meshkujt. “Tek zogjtë grabitqarë gjithçka është përmbysur,” tha Colchero. “Ende kemi shumë për të zbuluar.

Shpërndaje

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here