Si të jetoni të lirë – 30 mendime që do t’ju ndryshojnë jetën

Shkëputur nga libri më i shitur globalisht, “101 esetë që do t’ju ndryshojnë mënyrën e të menduarit”, shkruar nga Brianna Wiest. 

Nuk ekziston asgjë e mirë në botë, që nuk ka ardhur nga mijëra revolucione të vogla, e njerëzit s’kanë si të bëjnë përjashtim. Prandaj zgjodha të përpiloja një sërë mendimesh që na bëjnë të ndihemi më të lirë, mendime që më kanë ndryshuar e formësuar mua si njeri, dhe jo vetëm.

  1. Mund t’i zgjedh vetë mendimet e mia.
  2. Nuk jam i detyruar t’u kërkoj falje të tjerëve, vetëm se kam një qëndrim ndryshe nga ata.
  3. Mund të keni çdo gjë që doni, vetëm se jo përnjëherësh, e nëse mendoni se është diçka e keqe, mendoni sikur të kishit arritur çdo gjë njëkohësisht; nuk do të shijonit asgjë plotësisht.
  4. Mund të zgjidhni familjen. Mund të zgjidhni besimin. Mund të zgjidhni çdo ditë se kush dëshironi të jeni, pa qenë nevoja të jeni i njëjti person që ishit dje. Nuk keni pse të kufizoheni te personi që të tjerët duan apo kuptojnë.
  5. Jeta ime nuk përkufizon se kush jam unë, unë përkufizoj se cila është jeta ime. Ky nuk është çasti vendimtar i jetës sime, ky është vetëm një çast në të.
  6. Çdo perceptim imi është tregues i personit që jam. Nëse dua të ndryshoj jetën, duhet të ndryshoj veten.
  7. Nuk jam i detyruar të pranoj asgjë. Nuk jam i detyruar të ndryshoj çdo gjë.
  8. Liria është gjendje shpirtërore.

  9. Asgjë nuk zgjat përgjithmonë, por ka shumë gjëra që s’do t’i shijoni sa duhet, nëse përqendroheni më shumë që t’i mbani pas vetes, sesa thjesht t’i doni për aq kohë sa i keni.
  10. Ka shumë lloje dashurish që ia vlejnë të përjetohen, përpos atyre romantike. Ka kaq shumë eksperienca që duhet t’i përjetojmë, përpos atyre të bukurave. Nuk quhet e dështuar diçka, vetëm se nuk është ideale. Kjo është jeta. Për këtë jemi krijuar.
  11. Unë kam vlera. Meritoj të jem i lumtur. Meritoj ta trajtoj mirë veten. E meritoj të më duan.

  12. E di që do të kaloj çdo gjë që më mundon, ashtu siç kam kaluar ato që mendoja se s’do t’i kaloja kurrë. Ky mendim më bën të ndihem mirë: të krahasoj ato që po kaloj me të mëparshmet dhe të di saktësisht se ç’duhet për ta kaluar atë që kam para.
  13. Vitet nuk mbahen mend, çastet po.
  14. Nuk supozohet të jemi askush tjetër përveçse vetvetja.
  15. Asgjë nuk është e përhershme, as ndjenjat më të këqija që kemi përjetuar.
  16. Mund të ndryshoj eksperiencat e mia, thjesht duke i parë gjërat ndryshe. Nuk kam në dorë ato që ndodhin rreth meje, por mënyrën se si i shoh, si reagoj e si përgjigjem. Në fund të fundit, vetëm për këtë mbaj përgjegjësi unë.
  17. Askush nuk qan në një varrim, sepse botës do t’i mungojë një bukuroshe tjetër. Qan sepse botës do t’i mungojë një zemër, një shpirt, një njeri tjetër. Mos harxhoni kohë me gjëra të parëndësishme, por krijoni diçka që do të zgjasë më shumë se ju.
  18. Njerëzit nuk ju duan nga cilësitë që krahasojnë me të tjerët. Në të vërtetë, njerëzit më të bukur, më elegantë dhe më të pasur, nuk janë ata që i duan më së shumti. As nuk kanë jetën më të bukur. Ia rikujtoj vetes sa herë që shqetësohem më shumë për pamjen, sesa për brendinë time.
  19. Në jetë kemi vetëm çaste. Fjalitë klishe që na thonë të jetojmë çastin, janë ripërsëritur shumë, por nuk kemi zgjedhje tjetër. I vetmi problem është a iu kushtojmë vëmendje.
  20. Që të kaloni çdo gjë, duhet të kuptoni se çdo gjë ndodh për një arsye; ata që mbeten në jetën tuaj, qëndrojnë për një arsye; ata që ju lëndojnë, e bëjnë për një arsye. Fakti që përpiqeni të shpërfillni apo të luftoni pasojën, nuk ju bën të anashkaloni dot arsyen.
  21. Ajo së cilës i kushtoni më shumë vëmendje, zgjerohet.

  22. Edhe kjo, ashtu si çdo gjë tjetër, do të kalojë.

  23. Gjithmonë jam detyruar të veproja në një mënyrë të caktuar, kur ka qenë e shkruar të bëja kështu. Nuk jam përpjekur kurrë më shumë seç duhet, për atë që ishte e shkruar për mua. Thjesht, duhet të isha i hapur ndaj saj.
  24. Çdo gjë që kam kaluar deri më sot, më ka bërë atë që jam. Çdo gjë që do të kaloj, do të më bëjë atë që do të jem në të ardhmen. Çdo gjë ku do të përqendrohem, do të më kthejë në atë që dua të jem. Është në dorën time, jo të rrethanave ku ndodhem.
  25. Gjithmonë gjeni kohën për t’i kujtuar vetes se nuk jeni pjesë e botës, por ajo është pjesë e juaja. Çfarëdo që ju ndodh, keni eksperiencën. Çdo krijim përmban në vetvete të dhëna. Shpirti ushqehet nga përvojat, ashtu si trupi ushqehet nga ushqimi.
  26. Gjithmonë ka një rrugëzgjidhje, edhe kur mendoni se është gjëja e fundit. Gjithmonë ka ide të reja, punë të reja, apartamente të sapondërtuara apo avionë që fluturojnë për në vendin tuaj të preferuar. Gjithmonë ka një mënyrë për të fituar para apo për të gjetur dashurinë e jetës. Gjithmonë do të ketë një rrugëzgjidhje. Unë s’mund të ngec asnjëherë, vetëm mendësia ime mundet.
  27. Në jetë nuk ka asnjëherë një çast kulmor. Nuk mund të zgjoheni një ditë e të mendoni: “Ia dola!” Në të vërtetë, lumturia gjendet te detajet, kurse gëzimi te rrugëtimi. Kështu ka qenë e do të jetë.
  28. Qëllimi i të qenit këtu, është që të rritemi shpirtërisht. Kjo nënkupton që mund t’i përjetojmë gjërat e të shohim më larg, pasi jemi të vetëdijshëm. Pra, qëllimi i të qenit këtu është të ndërgjegjësohemi.
  29. Gjërat më të këqija që më kanë ndodhur në jetë, ishin ato që më mësuan më shumë dhe që më përgatitën për gjëra kaq të mrekullueshme. As nuk i imagjinoja, jo më të isha gati për to.
  30. Nuk ka dështim, nëse përpiqeni.

Shpërndaje

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here