Në universitetet më të njohura të botës, gjithnjë e më shumë profesorë po përballen me një problem të pazakontë: studentët e shkëlqyer nuk arrijnë dot të lexojnë një libër të plotë.
“Nuk është se nuk duan por nuk dinë si”
Nicholas Dames, profesor i Letërsisë në Universitetin Columbia, e ka vënë re ndryshimin. Ai jep prej më shumë se 25 vitesh kursin e famshëm Literature Humanities, ku studentët lexojnë veprat më të mëdha të letërsisë botërore. Por sot, thotë ai, shumë studentë ndihen të humbur përballë detyrës për të lexuar disa libra në semestër.
Një studente i tregoi se në gjimnazin publik ku kishte studiuar, nuk kishte lexuar asnjë libër të plotë, vetëm fragmente, poezi dhe artikuj gazete. “Shtanga,” kujton Dames. “Nuk është se nuk duan të lexojnë, thjesht askush nuk u ka mësuar si ta bëjnë.”
Një brez që nuk ka më vëmendje
Profesorët në universitete si Princeton, Georgetown dhe Berkeley raportojnë të njëjtën gjë: studentët kanë fjalor më të kufizuar, nuk ndjekin dot argumente të gjata dhe humbasin përqendrimin edhe në një sonetë.
Shkaku kryesor? Telefonat inteligjentë.
Sipas psikologut Daniel Willingham, “të ndihesh i mërzitur është bërë diçka e panatyrshme.” Leximi kërkon durim dhe përqendrim, dy cilësi që rrjetet sociale i kanë zbehur. Në vitin 1976, 40% e nxënësve të shkollës së mesme lexonin të paktën gjashtë libra në vit për qejf. Në vitin 2022, vetëm 11.5% e bëjnë këtë.
Shkollat nuk kërkojnë më libra të plotë
Reformat arsimore si Asnjë fëmijë të mos ngelet pas kanë nxitur fokusin te testet standarde dhe tekstet e shkurtra. Shumë mësues kanë hequr dorë nga romanet për të dhënë fragmente që përputhen me formatin e testeve. Si pasojë, gjeneratat e reja po humbasin aftësinë për të ndjekur një tekst të gjatë, për të ndërtuar mendim kritik dhe për të kuptuar në thellësi idetë.
Sipas një sondazhi të EdWeek Research Center, vetëm 17% e mësuesve në SHBA mësojnë kryesisht me libra të plotë. Pjesa tjetër përdor kombinime fragmentesh ose materiale alternative si artikuj, video apo TED Talks.
Profesorët po dorëzohen
Në universitete si UC Berkeley apo Columbia, profesorët po ulin numrin e faqeve dhe librave të detyrueshëm. “Nuk mund t’u kërkoj të lexojnë Iliadën për tri javë sepse nuk do ta bëjnë,” thotë profesorja Victoria Kahn. Disa mendojnë se kjo u jep mundësi të lexojnë më me kujdes tekstet e mbetura, por shumë të tjerë druhen se po humbasim vetë qëllimin e arsimit: zhvillimin e mendimit të thellë.
Leximi si ushtrim i empatisë
Studiuesja Maryanne Wolf thekson se leximi i thellë, zhytja për orë të tëra në një tekst, zhvillon reflektimin, mendimin kritik dhe aftësinë për të kuptuar ndjenjat e tjetrit. Këto përfitime nuk mund të zëvendësohen nga leximi i fragmenteve apo nga përmbajtja e shpejtë e rrjeteve sociale.
Profesorja Kahn shton: “Leximi të mëson të ndjesh përtej vetes, më shumë se çdo ide identiteti apo politike.”
Një brez që humbet lidhjen me librin
Sot, shumë studentë shohin librat si një luks apo si një hobi të rrallë. Por, siç thotë profesori Dames, për të kuptuar vërtet natyrën njerëzore, duhet të lexosh Iliadën, të gjithë librin, jo vetëm një fragment.
Në një botë të sunduar nga ekrani dhe përmbajtja e menjëhershme, ky fenomen nuk kufizohet vetëm në SHBA. Edhe në Shqipëri, shumë të rinj mbarojnë gjimnazin pa lexuar asnjë roman të plotë. Ndoshta është koha të rikthejmë librin jo si detyrë, por si përvojë, si një nga mënyrat më të thella për të njohur veten dhe botën.