Numri i aksidenteve rrugore si pasojë e alkoolit në Shqipëri vazhdon të rritet çdo ditë, duke lënë pas histori të tmerrshme dhe familje të shkatërruara. Viktimat më të fundit janë dy motra të reja, vetëm 20 dhe 22 vjeç, të cilat humbën jetën pasi u goditën nga një 23-vjeçar i dehur. Ai kishte hyrë në parakalim dhe u përplas kokë më kokë me makinën ku ndodheshin vajzat, duke i shuar jetët e tyre në një çast.
Këto nuk janë më thjesht statistika. Janë ëndrra të prera në mes, janë prindër që nuk do t’i shohin kurrë më bijat e tyre të kthehen në shtëpi, janë dhimbje që nuk shërohen kurrë. Një sekondë e marrë me mendjelehtësi, një timon i mbajtur me duar të dehura, dhe gjithçka përfundon në gjak, në lot e në heshtje varresh. Sa jetë të tjera duhet të humbasin që të kuptojmë se alkooli dhe drejtimi i makinës nuk mund të shkojnë bashkë?
Nuk është turp të lini makinën kur jeni të dehur. Nuk është dobësi të merrni në telefon një mik, një familjar, apo të thërrisni një taksi. Turp është të merrni jetën e dikujt tjetër, vetëm pse nuk pranuat të ishit të përgjegjshëm. Një gotë më shumë nuk duhet të kthehet në një funeral më shumë.
Pikërisht për këtë arsye, në shumë vende qarkullon një letër imagjinare e një vajze që flet me nënën e saj nga shtrati i aksidentit, një vajzë që tregoi kujdes, nuk piu alkool, por megjithatë humbi jetën sepse dikush tjetër nuk tregoi përgjegjësi. Një letër që të thyen shpirtin dhe të kujton se çdo vendim i marrë pas timonit ka pasoja të pakthyeshme.
“Mami, dola me miqtë. Shkova në një festë dhe kujtova atë që më kishe thënë: të mos pija alkool. Më kishe kërkuar të mos pija, meqë duhet të ngisja makinën, kështu që piva një pije me gaz. U ndjeva krenare me veten time, edhe që dëgjova mënyrën se si, me butësi, më kishe këshilluar të mos pija nëse duhet të ngisja, ndryshe nga ajo që më thonë disa miq. Bëra një zgjedhje të shëndetshme dhe këshilla jote ishte e drejtë.
Kur festa mbaroi, njerëzit filluan të ngisnin makinën pa qenë në gjendje për ta bërë këtë. Unë mora makinën time me bindjen se isha esëll. Nuk mund ta imagjinoja dot atë që më priste. Tani jam këtu, e shtrirë mbi asfalt dhe dëgjoj një polic që thotë: ‘djali që shkaktoi aksidentin ishte i dehur’. Zëri i tij duket kaq i largët… gjaku im është shpërndarë gjithandej dhe po përpiqem, me gjithë fuqitë e mia, të mos qaj.
Mund të dëgjoj mjekët që thonë: ‘kjo vajzë nuk do ia dalë’. Jam e sigurt se djali në timonin e makinës tjetër as që e kishte menduar, ndërsa ecte me shpejtësi të madhe. Në fund ai vendosi të pinte dhe tani unë duhet të vdes. Pse njerëzit bëjnë gjëra të tilla, mami? Duke ditur që do të shkatërrojnë jetë?
Dhimbja është sikur të më therin me qindra thika njëkohësisht. Thuaji motrës sime të mos trembet, thuaji babit të jetë i fortë. Dikush duhej t’i kishte thënë atij djali se nuk duhet të pish dhe të ngasësh makinën. Ndoshta, sikur prindërit e tij t’ia kishin thënë, unë tani do të isha gjallë.
Frymëmarrja ime po bëhet gjithnjë e më e dobët dhe po filloj të kem shumë frikë… këto janë momentet e mia të fundit, dhe ndihem kaq e dëshpëruar. Do të doja të të përqafoja, mami, ndërsa jam e shtrirë këtu, duke vdekur. Do të doja të të thosha që të dua shumë… të dua shumë, lamtumirë.”
Alkooli dhe timoni nuk shkojnë bashkë. Çdo herë që zgjidhni të drejtoni makinën në gjendje të dehur, dikush tjetër mund të mos kthehet më në shtëpi.