Presidenti amerikan Donald Trump ka ndezur një debat të madh mbi lirinë e fjalës në SHBA, pasi sugjeroi se disa rrjete televizive që raportojnë kundër tij duhet të humbasin licencën.
Deklarata erdhi pas pezullimit të moderatorit të njohur Jimmy Kimmel nga rrjeti ABC, pas komenteve të tij mbi vrasjen e aktivistit konservator Charlie Kirk në Utah. Kimmel kishte ironizuar reagimin e Trump dhe mbështetësve të tij, gjë që solli kërcënime të hapura nga administrata për masa rregullatore kundër rrjetit.
Trump, gjatë një interviste në avionin presidencial Air Force One, tha: “Ata japin vetëm publicitet negativ. Ndoshta licenca e tyre duhet të hiqet.”
Vendimi për pezullimin e Kimmel ka ngjallur reagime të ashpra. Stephen Colbert e quajti këtë “censurë të hapur”, ndërsa Jon Stewart ironizoi se tashmë është “prezantues patriotikisht i bindur ndaj administratës”. Barack Obama e cilësoi veprimin si një “nivel të ri dhe të rrezikshëm” të shfrytëzimit të pushtetit kundër mediave.
Nga ana tjetër, disa figura konservatore kanë mbrojtur masën duke thënë se Kimmel duhet të përballet me pasojat e deklaratave të tij. Por shumë juristë theksojnë se Amendamenti i Parë i Kushtetutës mbron lirinë e fjalës dhe nuk lejon revokimin e licencave për arsye politike.
Ky rast ka ndezur frikën se SHBA po shkon drejt një precedentit të rrezikshëm, ku kritika ndaj pushtetit mund të ndëshkohet me censurë, ndërkohë që vetëm pak kohë më parë Trump premtonte lirinë e fjalës dhe mbrojtjen e saj kudo.