Presidenti i SHBA-ve, Donald Trump, ka nënshkruar një urdhër ekzekutiv që ndalon gratë transgjinore të garojnë në kategoritë sportive për femra.
Ky urdhër ofron udhëzime, rregullore dhe interpretime ligjore, duke i ngarkuar Departamentit të Arsimit detyrën të hetojë shkollat e mesme që dyshohet se nuk respektojnë rregullat.
Republikanët thonë se kjo masë rikthen ndershmërinë në sport, por organizatat për të drejtat e njeriut dhe avokatët e komunitetit LGBTQ+ e kanë përshkruar si diskriminuese.
Urdhëri, i cili hyn në fuqi menjëherë, mbulon kryesisht shkollat e mesme, universitetet dhe sportet e niveleve bazë.
Disa organizata qeverisëse të sporteve, përfshirë atletikën, notin dhe golfin, tashmë kanë ndaluar gratë transgjinore të garojnë në kategorinë e femrave në nivelin elitar, nëse ato kanë kaluar pubertetin mashkullor.
Një zyrtar i administratës tha se ky vendim do të rrëzojë qasjen e administratës së Biden-it, e cila në prill të vitit të kaluar kishte theksuar se studentët LGBT do të mbroheshin nga ligji federal, por pa dhënë udhëzime specifike mbi sportistët transgjinorë.
“Nëse lejoni burrat të marrin në kontroll ekipet sportive të femrave ose të pushtojnë dhomat e tyre të zhveshjes, do të hetoheni për shkelje të Titullit IX dhe rrezikoni financimin tuaj federal,” tha Trump.
Sportistët transgjinorë dhe Lojërat Olimpike 2028
Shtëpia e Bardhë ka planifikuar të ftojë organizatat sportive si NCAA (Shoqata Kombëtare e Atletikës Universitare) për të diskutuar shqetësimet me sportistet dhe prindërit e tyre.
Një zyrtar i administratës tha se SHBA do të përpiqet të parandalojë sportistët transgjinorë të garojnë kundër femrave në garat e Komitetit Olimpik Ndërkombëtar që do të mbahen në tokën amerikane.
Presidenti Trump e ka specifikuar se ky urdhër do të aplikohet edhe në Lojërat Olimpike 2028 në Los Angeles. Ai ka deklaruar se do të refuzojë vizat për sportistët transgjinorë që synojnë të garojnë në SHBA për Olimpiadën.
Para se të firmoste urdhërin ekzekutiv, Trump deklaroi se “lufta kundër sporteve të grave ka marrë fund“, duke shtuar se administrata e tij nuk do të lejojë meshkuj të garojnë kundër grave gjatë Lojërave Olimpike të Los Anxhelosit.
Ai ka udhëzuar sekretarin e Sigurisë Kombëtare “të refuzojë aplikimet për vizë nga meshkuj që përpiqen të hyjnë në Shtetet e Bashkuara duke u identifikuar si sportiste femra…”