Një ekip shkencëtarësh çekë ka zbuluar në jug të Shqipërisë liqenin termal nëntokësor më të madh në botë, të cilin e kanë quajtur Liqeni Neuron, në nder të fondacionit që financoi ekspeditën.
Zbulimi u bë në rajonin e Vromonerit, pranë kufirit me Greqinë, ku në vitin 2021 shkencëtarët hasën një sistem të gjerë shpellash me burime termale. Ata identifikuan një humnerë mbi 100 metra të thellë, të cilën e quajtën Atmos. Në fund të kësaj humnerë, ekipi zbuloi një liqen me përmasa mbresëlënëse: 138.3 metra gjatësi, 42 metra gjerësi dhe një perimetër prej 345 metrash, me një vëllim prej 8,335 metra kub ujë termal.
Për të realizuar matjet e sakta dhe hartimin e shpellës, ekipi përdori teknologji moderne, duke përfshirë një skaner 3D GeoSlam, që mundësoi krijimin e një modeli të detajuar të hapësirave nëntokësore. Ky zbulim është i veçantë jo vetëm për përmasat e tij, por edhe për procesin e formimit të shpellës. Uji mineral i liqenit është i ngopur me sulfur hidrogjeni, i cili, në kontakt me ajrin, oksidohet dhe prodhon acid sulfurik që shndërron shkëmbin gëlqeror në gips të butë.
Ky zbulim pritet të kontribuojë në kuptimin më të mirë të formacioneve të rralla të shpellave dhe në mbrojtjen e zonës përreth, duke ofruar mundësi të reja për kërkime shkencore dhe zhvillim të turizmit në Shqipëri.