Turqia ka miratuar rregulla të reja për udhëtimet ajrore që synojnë të përmirësojnë sigurinë në bord dhe të ndalojnë sjelljet e papërgjegjshme të disa pasagjerëve. Sipas një njoftimi të ri nga Drejtoria e Përgjithshme e Aviacionit Civil të Turqisë, çdo pasagjer që ngrihet nga vendi i tij, zgjidh rripin e sigurimit apo hap ndarjet mbi sedilje përpara se avioni të ndalojë dhe sinjali i rripit të sigurimit të fiket, do të gjobitet.
Ky vendim vjen pas një rritjeje të madhe të ankesave për pasagjerët që nuk i respektojnë udhëzimet e ekuipazhit dhe shpesh ngrihen sapo avioni prek pistën, duke rrezikuar sigurinë dhe komoditetin e të gjithë udhëtarëve të tjerë.
Çfarë parashikojnë rregullat?
-
Pasagjerët nuk lejohen të ngrihen nga vendet e tyre para se avioni të ndalet plotësisht dhe sinjali i rripit të sigurimit të fiket.
-
Nuk lejohet hapja e ndarjeve mbi kokë gjatë rrotullimit të avionit në pistë.
-
Ndalohen duhanpirja apo qëndrimi në këmbë gjatë kohës që avioni është ende në lëvizje.
-
Ata që nuk i respektojnë këto rregulla, do të raportohen përmes formularit zyrtar “Raporti për pasagjerët problematik” dhe do të përballen me gjobë, edhe pse shumat e sakta ende nuk janë bërë publike.
Në një letër zyrtare të publikuar nga drejtori Kemal Yüksek në fillim të vitit, theksohet se shkelja e rregullave të sigurisë është bërë problem shqetësues në Turqi, me pasagjerë që shpesh nuk presin sinjalin e rripit të sigurimit për të zbritur nga avioni.
Letra përfshin edhe një njoftim model në anglisht, të cilin ekuipazhet duhet ta lexojnë në fund të udhëtimit:
“Është rreptësisht e ndaluar të ngriheni, të hapni ndarjet mbi sedilje apo të qëndroni në korridor përpara se avioni të arrijë pozicionin e parkimit dhe sinjali i rripit të sigurimit të fiket.”
Ekspertët theksojnë se kur avioni është ende duke lëvizur në pistë, çdo qëndrim në këmbë është i rrezikshëm pasi mund të ndodhin manovra të papritura. Mosbindja ndaj urdhrave të ekuipazhit është shkelje serioze e ligjit në shumë vende, përfshirë edhe SHBA-në.
Në vitin 2023, vetëm në SHBA, u regjistruan mbi 2,000 raste të pasagjerëve problematikë, me një total gjobash mbi 7.5 milionë dollarë. Sjelljet si mosvendosja e rripit, abuzimi verbal apo tentativat për të hapur dyert gjatë fluturimit janë kthyer në fenomene shqetësuese globalisht.