Valbona Nathanaili për Maks Velo: “Gjithë puna në jetë është të kesh horizont”

Nga Valbona Nathanaili

Kam pasur fatin e mirë ta njoh personalisht Maks Velon në kohën kur isha drejtore e Shtëpisë Botuese të Universitetit Europian të Tiranës. Duhet të ketë qenë viti 2013, ndoshta, kur e kam takuar për herë të parë. Kisha dëgjuar shpesh për të. Po vendosja kontaktet me bashkëpunëtorët për botimet, jo vetëm si autorë, përkthyes dhe redaktorë, por edhe pjesëmarrës me kontribute të ndryshme, për të shkruar një parathënie apo për të qenë pjesë e një paneli për promovimin e librave. Maks Velo plotësonte listën e gjatë me kërkesa. Ishte intelektuali që e donin dhe e vlerësonin të gjithë. Ishte nga ata intelektualë që u përndoqën në kohën e diktaturës, që mbijetuan dhe, më kryesorja, shfaqen me një prodhimtari të jashtëzakonshme pas viteve ‘90, sikur duan të vënë në vend kohën e humbur. Ndoshta kjo ka qenë arsyeja kryesore edhe që nuk u angazhua në politikë, duke i bërë një nder të madh vendit, sepse na la trashëgimi një vepër me shumë dimensione.

Ndërkohë, më kërkoi ta njoftoja sa herë kisha promovime libri dhe vinte shpesh. Jo gjithnjë fliste, por mjaftonte prania e tij, për të pasur një lloj qetësie për rezultatin. Më dërgonte ndonjë mesazh të shkurtër të shkruar, kur botonte ndonjë artikull, për ta lexuar, ose më ftonte në ekspozitat që hapte. E-mailin e përdorte shumë rrallë. Maksi fliste me të njëjtin zë pasionant edhe në biseda të zakonshme. Të drejtohej gjithnjë në numrin shumës, ishte shumë i sjellshëm dhe i respektuar. Dhe të shihte gjithnjë në sy kur bashkëbisedoje!

Por vetëm pas tre vitesh, më 2016, kur vendosi të botojë një libër me ne, kontaktet dhe takimet u bënë më të shpeshta. Dhe bisedat më të gjata. Ndonjëherë edhe personale. Ndër njerëzit që vazhdonte të adhuronte ishte i vëllai.

Sa i takon librit, bëhet fjalë për “Klubin Karavasta”. Lamë takimin dhe erdhi në zyrë. Kaluan pyetjet e para, kryesisht detaje teknike. I pranoi të gjitha, dhe dukej në shqetësimin për të pritur pyetjen e radhës, që mesa dukej nuk ishte ajo që i interesonte. Derisa sa mbërritëm aty ku kishte shqetësimin e vërtetë: mos hiqni asnjë fjalë nga teksti; anën grafike të kopertinës ta zgjedh vetë; ta shtyp në një shtypshkronjë tjetër, nga ato që më rekomanduat Ju.

Sigurisht që ia plotësuam të gjitha Maksit! Por po i shpjegoj më me hollësi kërkesat e veçanta të tij.

Mos hiq asnjë fjalë nga teksti. Në atë kohë, Maks Velo kishte një problem për të drejtën e autorit për librin “Klubi Karavasta”. Mbi bazën e romanit ishte realizuar një vepër tjetër artistike, për të cilën ishte në konflikt me autorët. Pavarësisht se në këtë botim të ri kishte shtuar edhe një pjesë të dytë, këmbëngulja, pikërisht për shkak të kësaj arsye, ishte që në pjesën e parë të mos kishte asnjë fjalë të ndryshuar. Ndërkohë, mund të shtoj që dialekti që përdorte ndihej më shumë në të shkruar se në të folur.

Anën grafike dhe kopertinën ta zgjedh vetë. Të dyja shtëpitë botuese, edhe UET Press, edhe MAPO, kishin një kopertinë pak a shumë formale. Domethënë botimet tona “thërrisnin”, që larg, që ishin “UET”, por te Maksi bëmë përsëri një përjashtim. Gjë e rrallë në fakt! Pak autorë e kishin këtë fat. Në kopertinë është një pelikan, që e ka vizatuar po vetë dhe i njëjti model, me ndryshime të vogla në pozicion dhe numër, është edhe në një a dy skica që gjenden brenda në libër, në krye të pjesëve.

Ta shtyp në një shtypshkronjë tjetër nga ato që më rekomanduat Ju. Më duket se libri u shtyp diku afër UET-it, një zgjedhje që bazohej në bashkëpunime të mëparshme të suksesshme.

Më 11 tetor 2016 më dërgoi, me e-mail, tekstin e librit, në word. Më 5 nëntor të vitit 2016 u bë promovimi i parë i librit, në hollin e UET, ku bënim zakonisht promovimet e librave. Por organizuam edhe një të dytë, te 15 katëshi, këtë radhë në prani të Kryeministrit, miku i tij, që nuk mundi të ishte i pranishëm në promovimin e parë.

Ndonjëherë një piktor, në pikturën e tij të madhe, ose një poet, në një poemë të gjatë, paraqet një karakter të pavarur dhe pa shumë pretendime, i cili mund të jetë vetvetja. Në rastin e Maks Velos dhe librit “Klubi Karavasta”, vetvetja e tij është Andrea. Në ditarin që mban Andrea, gjejmë një lloj autobiografie të shkurtër të jetës së tij, në dy epokat kryesore të prodhimtarisë si artist dhe arkitekt, në diktaturë dhe demokraci, shoqëruar me vlerësime të shumta për secilën prej tyre. Shkurtimisht, nga ditari i Andreas, lexojmë se marrëdhëniet që ka pasur me diktaturën, i pasqyron në ndjenjën e lumturisë, duke u shprehur, se në atë sistem, lumturia ishte e njëtrajtshme, po aq edhe ushqimi, veshja, festat e arti. Më pas rreshton edhe disa simbole të asaj kohe, si shishja e qumështit dhe radhët. “Më vitin 1973 u përndoq dhe u burgos nga regjimi i kohës, për cilësinë ‘ndryshe’ të arkitekturës e artit” – shkruan në një njoftim për shtyp, për ndarjen nga jeta të Maks Velos, Shoqata e Arkitektëve të Shqipërisë. Në libër, autori shprehet: “Nuk ka më vend për ëndrrën e gjeniut, e të veçantit, e aventurierit, se do bëj çudira. E vetmja çudi që nuk e kisha llogaritur ish vuajtja”.

Por jo më pak e zhgënjen demokracia: “Demokracia e ndërron stafin. Po këtu te ne nuk lëvizin. Janë si ujë kënete, nuk i shkul dot… Shqipëria është si ato makinat e bëra me pjesë nga marka të ndryshme. Kur ecën kërcet.” (Klubi “Karavasta”)

Hera e fundit që jemi takuar duhet të ketë qenë përpara dy vitesh, në Universitetin e Arteve, në premierën e Simfonisë “Skënderbeu”, të kompozitorit Aleksandër Peçi, “Mjeshtër i Madh”. Aty në, hollin e Universitetit të Arteve, njoha edhe pasionin e dashurinë e tij për muzikën.

“Gjithë puna në jetë është të kesh horizont” – shkruan Maks Velo. Por horizontin më të madh që ka pasur, ka qenë ai i qytetarit të përgjegjshëm! Ikja e Maks Velos është një humbje për vendin.

Shpërndaje

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here