Shkrimtari i shquar Ismail Kadare u nda sot nga jeta në moshën 88-vjeçare. Megjithatë, pasuria që ka lënë pas do të jetë absolutisht e pavdekshme.
Më poshtë po ndajmë me ju 10 nga poezitë e tij më të bukura dhe romantike.
1- Kohë e pamjaftueshme
S’kam kohë të harroj shumë gjëra
Që nga mendja ti nxjerr përjetë.
Për tragjikët e vjetër e shkrepëtimat
Do t’më duhen së paku dy vjet.
Dhe ndoshta po aq për Danten,
Për frëngjishten tok me plazhet po aq,
Ndoshta gratë do të jem duke fshirë
Kur muzgu do të afrohet ndërkaq.
Si udhëtari me peshë të tepërt
Para avionit që niset pas pak
I ngarkuar rëndshëm ende
Do t’afrohem tek varri humbak.
Nga supet si ta heq këtë barrë?
Ku ta hedh këte peshë, si?
Me të s’mund të zbres atje poshtë
Por as lart dot s’e lë kurrsesi.
I menduar gjer në çast të fundit
Nga mosthënia, nga pengu tragjik,
Një shenjë ndoshta të pakuptueshme
Do t’ju bëj të gjithëve e do ik.
2- Kristal
Ka kohë që s’shihemi dhe ndjej
si të harroj une dalëngadal
si vdes tek unë kujtimi yt
si vdesin flokët dhe gjithçka.
tani kërkoj poshtë e lartë
një vend ku ty të të lëshoj
nje strofë a notë, a një brilant
ku të të lë, të puth, të shkoj.
në s’të pranoftë asnjë varr
asnjë mermer, a morg kristal
mos duhet vallë prapë të të mbart
gjysëm të vdekur, gjysëm të gjallë.
në s’gjetsha hon ku të të hedh
do gjej një fushë a një lulnajë
ku butësisht porsi polen
gjithkund, gjithkund të të shpërndajë.
të të mashtroj ndoshta kështu
dhe të të puth të ik pa kthim
dhe nuk do dinë as ne askush
harrim ish ky a s’ish harrim.
3- Ti qave
Ti qave dhe më the me zë te ulët
Se unë të trajtoja si prostitutë.
Atherë lotëve të tu s’ua vura veshin
Të desha, pa ditur se të desha.
Veç një mëngjes të beftë kur u gdhiva
Pa ty dhe bota krejt e zbrazët m’u duk,
Atherë kuptova ç’kisha humbur,
Ç’kisha fituar kuptova gjithashtu.
Më rrëzëllinte si smerald mërzitja,
Dhe lumturia ngrysej si një muzg me re…
Nuk dija kë të zgjidhja nga të dyja
Sepse seicila m’e bukur se tjetra qe.
Se ish i tillë ky koleksion bizhush
Që dritë e terr lëshonte njëkohësisht,
Që njëqindfish etjen për jetën shtonte,
Por dhe që vdekjen ndillte njëqindfish.
4- Ra si yll po s’u shua
Vështroi princesha krenare,
Në ç’do kullë e ç’do kamare,
Si të fundit roje ranë,
Ç’do pëllëmbë me gjak e lanë.
Dhe e vetme ajo mbeti,
Përmbi kullë porsi deti,
Që i hedh dallgët në rërë,
Turqit u vërsulën të tërë,
Që ta zenë yllin të gjallë,
Po a zihet ylli vallë?
Ja Argjiroja e shpejtë,
Tok me foshnjëzën e vet,
U vërtit si zog në erë,
Nga kalaja në humnerë.
Shkëmb më shkëmb seç u copëtua,
Ra si ylli po s’u shua,
Dhe kujtoi ky shkëmb i bardhë,
Se fëmija saj mbet gjallë,
Dhe që foshnjën ta mëkojë,
Qumësht zuri të pikojë.
5- Ti ishe për mua
Ti ishe për mua e pamposhtur si Troja
Troja që unë dot s’e pushtoja.
Ti ishe për mua e pakuptueshme,
Më e pakuptueshme se mbishkrimet etruske
Vetëm në ëndrra, ah, në ëndrra
T’i përqafoja flokët e dendura.
Gaz më shumë ndjeja tek të pushtoja
Se gjithë grekët kur ra Troja.
Vetëm në ëndrra m’ishe e kuptueshme,
Ti, e shtrenjta ime etruske.
6- Kur ti telefonoje
Telefonin nga gjumi i rëndë e i zi ti e zgjove
Me zërin e dashur, që dridhej ngrohtësisht
Ishte dimër.
Unë isha i fundosur
Në kolltukun e palëvizshëm pranë vetmisë.
U afrova tek xhamat
Jashtë binte shi
Vështrova me mirënjohje telat e gjatë telefonikë
Ata vinin nga larg, pa u ndalur gjëkund drejt e nga ti,
Nga aroma e flokëve tu, nga vija besnike e buzëve,
Pa u ndalur e pa u pleksur me ylberët joshës rrugës.
Ti qaje?
Jo. Pik shiu të ngrohtë nga telat binin.
7- Të huaj jemi
Të huaj jemi ne prej kohësh,
Ç’ish për t’u thënë është thënë,
Si gurët që zënë vend në tokë,
Në jetë vend ne kemi zënë.
Drejt njëri-tjetrit kemi mbyllur
Të gjitha rrugët edhe shtigjet,
Si dy qytete mesjetare
Me mure, heshta dhe me pirgje.
Por natën, kur i lodhuri truri,
Portat i mbyll me qetësi,
Ti gjen një shteg dhe futesh brenda,
Një shteg që vetëm ti e di.
Pastaj si në rrugica parqesh,
Shëtit mes cirkovolucionesh,
Hyn nëpër ëndrra e shkujdesur,
Fanitesh, qesh, ma bën me dorë.
Por kur mëngjesi zë afrohet,
Nis shqetësohesh befas ti,
Dhe heshturazi del përjashta
Nga shtegu, që del veç ti
E dita vjen. Rrjedh prapë jeta.
Dhe ne të dy si dhe më parë
Të ftohtë rrimë e të pamposhtur
Si dy qytete mesjetare.
8- Pa ty
Ti ike udhes së pafundme
Ku zverdhin drurët gjetherënës
Mbi gjokse pellgjesh tani tundet
I arti medalion i henës.
Lejlekët ikën.
Fill pas teje
Si stof i keq u zbeh blerimi
Dhe ngjajnë toka, pylli, reja,
Me negativin e një filmi.
Tani në fusha shkoj menduar
Ku nis të fryjë erë e ftohtë,
Ku ca mullare të gjysmuar
Duken që larg si Don Kishotë.
Ç’të bëj, po them me vehten time,
Në këtë orë të vonë të muzgut,
Ku qerrja baltave bën shkrime.
Të lashta sa të Gjon Buzukut?
Do të shkoj të ulem përmbi pellgjet,
Të pi në gjunjë duke rënë,
Në grykë e di që do të më ngelet
I ftohti medalioni i hënës.
9- Vjeshtë tiranase
Pa formë është qielli, si tru idioti
mërzitshem trotuaret shiu i qull
një kalimtar, një ombrellë, gjëmon moti
një biçikletë kthesën merr me vrull.
Pa formë është qielli, si një mendim idioti…
10- Ti dhe hëna
Kësaj nate me hënë të vjeshtës
Dola fushës të bredh kuturu.
Retë shtohen me vrap pa reshtur,
Hëna duket aty-këtu.
Porsi vetë mendimet e mia
Po më shtyhem ndër mend më shpesh
dhe pas tyre gjithnjë gjendesh ti
si kjo hënë që duket mes resh.
Hëna shpejt do të zhduket dhe netët
do të mbeten pa të, kurse ti
në ëndërrimet e mia pa jetë
perëndim s’do të kesh kurrsesi.