Avionët rusë shkelin hapësirën ajrore të Estonisë

Qeveria e Estonisë ka kërkuar konsultime urgjente me aleatët e NATO-s, pasi tre avionë luftarakë rusë tip MiG-31 hynë në hapësirën ajrore të vendit për 12 minuta, pa leje. Autoritetet e Talinit e përshkruan këtë si një “provokim të paprecedentë dhe të guximshëm”. Presidenti Alar Karis tha se incidenti tregon qartë se mbrojtja ajrore duhet të jetë prioritet i NATO-s, sidomos në krahun lindor.

NATO konfirmoi se do të mblidhet sipas nenit 4 për të diskutuar këtë shkelje. Ndërkohë, Polonia njoftoi se ka ngritur avionë dhe ka rritur gatishmërinë e mbrojtjes ajrore, pasi Rusia ndërmori sulme ajrore të gjera në Ukrainën perëndimore. Varshava tha se avionë polakë dhe aleatë po patrullojnë hapësirën ajrore për të mbrojtur kufirin e gjatë me Ukrainën.

Nga ana tjetër, Rusia mohoi çdo shkelje, duke thënë se avionët e saj kanë fluturuar sipas rregullave ndërkombëtare mbi ujëra neutrale dhe nuk kanë hyrë në territorin e Estonisë. Ministria ruse e Mbrojtjes tha se avioni nuk është devijuar nga rruga e rënë dakord.

Reagimet ndërkombëtare kanë qenë të ashpra. Shefja e politikës së jashtme të BE-së, Kaja Kallas, e quajti shkeljen “një provokim jashtëzakonisht të rrezikshëm”. Ndërsa presidenti amerikan Donald Trump u tregua më i rezervuar, duke thënë: “Nuk më pëlqen kur ndodh kjo. Mund të jetë problem i madh, por do të flas më vonë pasi të informohem.” Qëndrimi i tij më i butë ka ngjallur shqetësim mes aleatëve, sidomos duke pasur parasysh përpjekjet e tij për të krijuar marrëdhënie më të ngushta me Moskën.

Ky incident i shton tensionet në Evropën Lindore, pas disa shkeljeve të ngjashme të hapësirës ajrore në Poloni dhe Rumani këtë vit. Për shumë analistë, veprime të tilla janë testime të qëllimshme të gatishmërisë së NATO-s dhe një mënyrë për Rusinë që të rrisë presionin mbi aleancën, ndërkohë që lufta në Ukrainë vazhdon.

Shpërndaje

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here