Një nga përbërësit më të përdorur në manikyrët me xhel është ndaluar zyrtarisht nga Bashkimi Evropian për shkak të rreziqeve të tij potenciale për shëndetin e njeriut.
Bëhet fjalë për trimethylbenzoyl diphenylphosphine oxide (TPO), një substancë e cila deri tani përdorej gjerësisht në formulimet e manikyrëve me xhel. Dokumentet e publikuara nga autoritetet evropiane e kanë klasifikuar TPO-në si një përbërës të dyshuar se është kancerogjen, mutagjen ose toksik për riprodhimin.
Çfarë nënkupton ndalimi?
Vendimi hyn në fuqi menjëherë dhe zbatohet në të gjitha 27 shtetet anëtare të BE-së:
-
Sallonet e thonjve nuk do të lejohen më të shesin produkte që përmbajnë TPO.
-
Stoqet ekzistuese duhet të tërhiqen dhe të asgjësohen në mënyrë të sigurt.
-
Prodhuesit duhet të riformulojnë produktet për t’i bërë ato pa TPO.
Ky ndalim mund të ketë ndikim edhe jashtë Evropës. Shumë kompani që shesin produkte si në BE ashtu edhe në SHBA, mund të vendosin të ndryshojnë të gjitha formulat e tyre për të shmangur krijimin e versioneve të ndryshme për tregje të ndryshme.
Pse nuk u mbrojt TPO?
Sipas Francesca Rapolla nga shoqata britanike CPTA, industria nuk mundi ta mbrojë përdorimin e mëtejshëm të këtij përbërësi, sepse nuk kishte prova se TPO mund të përdorej në mënyrë të sigurt pa alternativa të tjera.
Eksperti shkencor Doug Schoon shton se rreziqet lidhen kryesisht me përdorimin e gabuar: nëse produkti bie në kontakt të drejtpërdrejtë me lëkurën, mund të shkaktojë reaksione alergjike tek disa individë. Megjithatë, kur aplikohet siç duhet nga profesionistë të trajnuar, rastet e efekteve anësore janë të rralla.
Ai thekson gjithashtu se shqetësimi kryesor për TPO lidhet me përdorimin e tij në industri të tjera, siç janë prodhimi i bojërave të printimit apo ngjitësave industrialë, ku ekspozimi është shumë më i lartë.
Çfarë pritet të ndodhë?
Industria e bukurisë tashmë duhet të përshtatet me formulime të reja. Sipas ekspertëve, heqja e TPO nuk pritet të dëmtojë performancën e produkteve, por do të kërkojë kohë dhe investime për riformulime të sigurta.
Ky vendim i BE-së është një tjetër hap drejt forcimit të standardeve të sigurisë në produktet kozmetike, duke vendosur shëndetin e konsumatorëve mbi interesat tregtare.