CEO i ChatGPT refuzon ofertën e Elon Musk

Shefi ekzekutiv i OpenAI, Sam Altman, ka refuzuar një ofertë prej 97.4 miliardë dollarësh nga një grup investitorësh të udhëhequr nga Elon Musk për blerjen e kompanisë që krijoi ChatGPT.

Avokati i Musk, Marc Toberoff, konfirmoi se ai kishte paraqitur ofertën për “të gjitha asetet” e OpenAI te bordi i kompanisë të hënën.

Kjo ofertë është zhvillimi i fundit në betejën e gjatë mes Musk, njeriu më i pasur në botë dhe këshilltari kryesor i presidentit amerikan Donald Trump, dhe Altman, drejtuesi i OpenAI, për të ardhmen e startup-it që ndodhet në qendër të revolucionit të inteligjencës artificiale.

Altman iu përgjigj ofertës së Musk me një postim në platformën e tij sociale X: “Jo faleminderit, por ne mund të blejmë Twitter për 9.74 miliardë dollarë nëse dëshiron“.

Megjithatë, refuzimi i Altman nuk do të thotë se oferta ka dështuar plotësisht. Bordi i OpenAI mund të ketë fjalën e fundit mbi të ardhmen e kompanisë dhe mund ta konsiderojë një shitje, veçanërisht nëse oferta rritet.

Po ashtu, ekzistojnë dyshime mbi seriozitetin e Musk për të blerë OpenAI apo nëse kjo ofertë është vetëm një pjesë e konfliktit ligjor mes tij dhe Altman.

Musk dhe Altman themeluan së bashku OpenAI në vitin 2015 si një organizatë jofitimprurëse, por raportet e tyre u tensionuan pas largimit të Musk nga kompania në vitin 2018.

Altman ka planifikuar ta kthejë OpenAI në një kompani fitimprurëse, duke hequr bordin jofitimprurës. Musk pretendon se kjo do të shkelte misionin fillestar të kompanisë për zhvillimin e IA (inteligjencës artificiale) në dobi të njërëzimit, por OpenAI argumenton se ky ndryshim është i nevojshëm për të siguruar financimet për zhvillimin e modeleve më të mira të inteligjencës artificiale.

Oferta prej 97.4 miliardë dollarësh është dukshëm më e ulët se vlera e fundit e OpenAI prej 157 miliardë dollarësh nga raundi i financimit të tetorit të kaluar. Sipas raporteve, kompania mund të vlerësohet deri në 300 miliardë dollarë në raundin e ardhshëm të financimit.

Avokati i Musk deklaroi se grupi i investitorëve do të ishte “i gatshëm të konsideronte barazimin apo tejkalimin” e një oferte më të lartë.

Përveç ofertës për OpenAI, kjo kompani po bashkëpunon edhe me gjigantin amerikan Oracle, një firmë japoneze investimi dhe një fond sovran nga Emiratet e Bashkuara Arabe për të ndërmtuar 500 miliardë dollarë infrastrukturë të IA në SHBA.

Projekti i ri, i quajtur “The Stargate Project“, u shpall në Shtëpinë e Bardhë nga presidenti Donald Trump, i cili e cilësoi si “projektin më të madh të infrastrukturës së IA-së në histori” dhe tha se do të ndihmonte për ta mbajtur “të ardhmen e teknologjisë” në SHBA.

Edhe pse Musk është këshilltar i lartë i Trump, ai ka pretenduar se ky projekt nuk ka realisht fondet e premtuara, por nuk ka ofruar prova për këtë pohim.

 

Shpërndaje

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here